1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060809 Erdogan Putin

7 Gusht 2009

Kryeministri turk Erdogan dhe ai rus Putin nënshkruan të enjten (06.08) në Stamboll një marrëveshje për ndërtimin e gazsjellësit South-Stream. I pranishëm në ceremoni edhe kryeministri italian Silvio Berlusconi.

https://p.dw.com/p/J5SG
Erdogan, Putin nënshkruajnë marrëveshjen, i pranishëm edhe Berlusconi
Koncerni italian ENI dhe ai rus Gazprom bashkëpunojnë për ndërtimin e gazsjellësit South-Stream.Fotografi: AP

Për Vladimir Putin takimi ishte një sukses. Sepse Turqia dhe Rusia ranë dakord pas bisedimeve disa vjeçare për ndërtimin e një linje gazsjellësi përmes detit të Zi. Linja South-Stream duke anashkaluar Ukrainën do të sjellë gaz rus në Bullgari për ta çuar atë më tej drejt Evropës Qendrore. Ky projekt forcon edhe statusin e Ankarasë si një vend i rëndësishëm tranziti për energjinë, theksoi Rexhep Taip Erdogan: "Në kuadrin e klimës së mirë të miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve Turqia i dha lejen Rusisë bazuar në kërkesën e saj për të nisur në ujrat turke të Detit të Zi studimet e fizibilitetit për linjën e planifikuar të gazsjellësit South-Stream."

South-Stream drejtohet kundër gazsjellësit Nabucco

Ndërtimi i gazsjellësit thuhet se duhet të nisë nga fillimi i vitit 2011. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe kryeministri italian Silvio Berlusconi, sepse koncerni energjetik italian, ENI bashkëpunon me gjigantin rus Gazprom. Projekti South-Stream i financuar prej Moskës drejtohet kundër linjës së planifikuar të gazsjellësit Nabucco, përmes të cilit Evropa do të minimizojë varësinë e vet prej gazit rus. Linja, për ndërtimin e së cilës Turqia dhe BE-ja ranë dakord para gati një muaji në Ankara, do të përçojë gazin nga Deti Kaspik dhe Iraku përmes Turqisë drejt Evropës.

Krahas ndërtimit të South-Stream u nënshkrua edhe një marrëveshje, që parashikon furnizimin e naftës ruse në Samsun në veri të Turqisë. Prej këtej linja shkon drejt Çejhanit për në Detin Mesdhe. Kjo masë ka për qëllim të kufizojë qarkullimin e anijeve cisternë përmes Bosforit dhe ngushticës së Dardaneleve.

Gjatë takimit të tyre, siç theksuan të dy kryeministrat, është biseduar edhe për çështje të politikës rajonale. Të dhëna konkrete lidhur me këto tema nuk u bënë publike. Së fundi Erdogan dhe Putin theksuan, se marrëdhëniet midis dy vendeve janë sot më të mira se asnjëherë tjetër. Rusia është partnerja më e madhe tregtare e Turqisë me një volum prej 40 miliardë dollarësh, ndërsa Turqia zë vendin e pestë për Rusinë.

Autor: Ulrich Pick/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani