1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia do të bojkotojë presidencën e Qipros

Ayhan Simsek/Esat Ahmeti2 Korrik 2012

Pjesa greke e Qipros mori përsipër presidencën e BE-së. Turqia, e cila kontrollon veriun e ishullit paralajmëron bojkot. Gjashtë muajt e ardhshëm pritet të jenë të trazuar për BE-në dhe Turqinë.

https://p.dw.com/p/15PHD
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Marrëdhëniet me Turqinë kanë një rëndësi të madhe, veçanërisht në sfondin e krizës së borxhit në Evropë dhe jostabilitetit të vendeve në Lindjen e Mesme", thuhet në një artikull të përbashkët të 16 ministrave të Jashtëm evropianë. Artikulli u botua në fillim të javës në gazetën turke "Hurriyet Daily News". Mesazhi se Turqia patjetër dëshirohet të jetë partner erdhi pak para se Qipro më 1 Korrik të marrë presidencën e radhës së BE-së.

Ishulli mesdhetar është i ndarë: Jugu ndodhet në duart e grekëve qipriotë, për ata vlejnë ligjet e BE-së. Turqia mban të okupuar veriun dhe nuk ka përparuar me kërkesën e saj për anëtarësim në BE, siç shpresohej nga ajo.

Shtatorin e kaluar, qeveria turke kishte kërcënuar se do të ngrijë bashkëpunimin e saj me BE-në në rast se Qipro me të vërtetë do të merrte presidencën e radhës në BE. Në vend të ndarjes së Qipros atëherë problem më i madh do të jenë marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së, citonin atëherë mediet turke zëvendëskryeministrin Beşir Atalay.

Tani, dhjetë muaj më vonë janë zbutur deklaratat nga Ankaraja: diplomatët turqë sigurojnë se do të bojkotohet vetëm presidenca e Qipros. Bashkëpunimi me institucionet evropiane nuk do të ndërpritet. Këtë e konfirmoi për DW-në edhe Selim Yenel, ambasadori turk në BE. "Por ne nuk do të bashkëpunojmë me Presidencën e Këshillit", shtoi ai. "Në mbledhjet, të cilat drejtohen nga kreu i Presidencës ose që do të mbahen në Qipro ne nuk do të marrim pjesë."

Symbolbild EU Türkei Flagge
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dy shtete pa njohje

Turqia nuk e njeh Qipron si shtet dhe nuk pranon që qeveria e saj të jetë përfaqësuesja e vetme legjitime e ishullit. Nga ana tjetër Ankaraja e ka pranuar Republikën Turke të Qipros Veriore. Konflikti mes dy vendeve për këtë ishull është historik. Por ndarja aktuale lidhet me ngjarjet e vitit 1974: puçistët grekë dëshironin të detyronin Qipron që t'i bashkohet Greqisë. Në shenjë reagimi trupat turke pushtuan veriun e vendit. Në vitin 2004 dështoi plani për ribashkim i OKB-së i ish-Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan. Së fundmi vitin e kaluar shpimet në kërkim të naftës dhe gazit në detin Mesdhe ngritën sërish tensionet mes palëve në konflikt.

Konflikti është një arsye përse deri tani kanë mbetur pa rezultat përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Negociatat për këtë filluan në vitin 2005, por ndërkohë janë ndërprerë pothuajse tërsisht. Gjithsej negociohet për 35 çështje apo siç thuhet ndryshe kapituj. Kjo do të thotë se ligjet e Turqisë duhet të përshtaten me ato të BE-së. Në 14 kapituj deri tani nuk është arritur marrëveshje. Diplomatët turq paralajmëruan se do të përgatiten për vazhdimin e negociatave deri në vitin e ardhshëm dhe deri atëherë do të kryejnë reforma të tjera.

Ambasadori Yenel shpreson se së shpejti do të evitohen të gjitha pengesat. "Turqia nuk do të ndërpresë kontaktet me BE-në. Ne nuk kemi hequr dorë asnjëherë nga kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian."