1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia korrigjon politikën ndaj Sirisë

Ayhan Simsek / Eliana Xhani23 Maj 2013

Atentati vdekjeprurës në Reyhanli tregoi se Turqia është e papërgatitur për kërcënimet e sigurisë nga Siria. Kriza ka ngjallur shqetësime për tensione të reja etnike mes shumicës sunite dhe komunitetit arab alevit.

https://p.dw.com/p/18c8d
Fotografi: Reuters

Sipas analistëve kriza aktuale nxori në pah gjithashtu se megjithë ambiciet, Turqisë i mungon një dorë e fortë për të sjellë e vetme ndryshime në Siri, me mjete politike apo ushtarake. 11 ditë pas sulmit të përgjakshëm në qytetin kufitar turk Reyhanli, shumë pyetje nuk kanë marrë ende përgjigje.

Policia dhe shërbimet sekrete turke besojnë se prapa sulmit qendron një organizatë radikale e majtë e cila ka vepruar me ndihmën e inteligjencës siriane. Anëtarët e organizatës dyshohet se janë turq të etnisë arabe, që i përkasin një sekti të afërt me alevitët e Sirisë.

Qeveria turke beson se sulmi ishte një operacion i qëllimshëm i regjimit sirian, për të mbjellë farën e trazirave në anën turke të kufirit. Qytetet juglindore të Turqisë në kufirin me Sirinë janë atdheu i komunitetit arab alevit në Turqi, një degëzim i shiitëve. Pjesa më e madhe e 300.000 refugjatëve të larguar nga Siria i përkasin sunitëve.

'Mesazh nga Assadi'

Kriza siriane rrezik për sigurinë në Turqi: atentati në Reyhanli
Kriza siriane rrezik për sigurinë në Turqi: atentati në ReyhanliFotografi: picture-alliance/dpa

Ufuk Ulutas, një ekspert për Lindjen e Mesme në institutin kërkimor pro-qeveritar SETA dhe publicist në gazetën turke Sabah, beson se atentati në Reyhanli ishte një mesazh i qartë nga regjimi sirian. Regjimi i partisë Baath me anë të përfaqësuesve të tij në rajon, po përpiqet të përhapë trazirat brenda Turqisë dhe presidenti Bashar al-Assad po jep mesazhin e qartë se nuk do të dorëzohet lehtë, thotë Ulutas.

“Regjimi i Baath nëpërmjet këtij atentati kërcënon si fuqitë rajonale ashtu edhe ato globale. Ai përpiqet të frikësojë rajonin përmes dhunës dhe i jep aktorëve rajonalë dhe globale mesazhin e qartë se rrëzimi i regjimit sirian mund të sjellë të papritura të pakëndshme", shkruan Ulutas në artikullin e tij.

Ndërkohë që shumë analistë dhe politikanë akuzojnë regjimin sirian, të tjerë dyshojnë se pas sulmit qendrojnë elementë radikalë brenda opozitës siriane, të cilët sipas këtyre supozimeve po përpiqen të shtyjnë Turqinë në një luftë kundër regjimit të Assadit.

Kufijtë e fuqisë së Turqisë

Ushtarë turq në kufirin turko-sirian
Fuqi e kufizuar - Turqia me pozita të dobësuara në rajonFotografi: AFP/Getty Images

Në fillimet e protestave kundër Assadit në Siri në mars 2011, Turqia pati kërkuar dialogun me Assadin dhe u përpoq ta bindë për një tranzicion paqësor por me kohë i ndërpreu marrëdhëniet dhe po i jep mbështetje të fortë grupeve opozitare siriane, duke u dhënë strehë udhëheqësve të tyre dhe komandantëve të kryengritësve. Mijëra refugjatë sirianë vazhdojnë të jetojnë në Turqi dhe pjesëtarë të armatosur të opozitës kalojnë lehtësisht kufirin, të plagosurit në radhët e tyre mjekohen në spitalet turke.

Megjithatë dështimi në përpjekjet për të hequr qafe regjimin e Assadit do të thotë se kriza në Siri është bërë një shqetësim madhor për sigurinë e vetë Turqisë.

“Kriza siriane tregon se ndikimi i fuqisë së Turqisë si një faktor rajonal është shumë më poshtë asaj që synon Ankaraja", thotë Cengiz Çandar, një ekspert i njohur i Lindjes së Mesme në Turqi dhe publicist pranë të përditshmes Radikal.

Hugh Pope nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës (ICG) thotë se kriza ka nxjerrë në pah se Turqisë i mungon një dorë e fortë, që do të drejtonte ndryshimet në rajon me mjete ushtarake apo diplomatike.

“Për fat të keq Turqia e ka humbur pozitën e saj të fuqishme dhe neutrale të pesë viteve më parë, kur ishte e aftë të komunikonte me të gjitha palët dhe kur aktorët në rajon nuk guxonin të provokonin Turqinë. Por tani Assad është ende në pushtet megjithë përpjekjet dyvjeçare të Turqisë për të arritur të kundërtën", i tha Pope të përditshmes turke Hurriyet.

Korigjim i politikës ndaj Sirisë

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan
Ndikimi i SHBA-së: Erdogan korigjon politikën ndaj Sirisë pas takimit me ObamënFotografi: Reuters

Ndërkohë që këto zhvillime kritike e kanë vënë në pozicion të pavaforshëm Erdoganin në politikën e brendshme, vizita e tij e fundit në Uashington solli një axhustim të papritur të politikës së Ankarasë ndaj Sirisë.

Megjithëse kryeministri turk nuk arriti të sigurojë mbështetje ushtarake nga SHBA për opozitën siriane apo mbështetje për krijimin e një zone ndalim-fluturimi në veri të Sirisë, menjëherë pas takimit të tij me presidentin Obama, Erdogan sinjalizoi një politikë më të moderuar, një politikë të mjeteve politike dhe diplomatike.

Semih Idiz, ekspert për politikën e jashtme dhe publicist pranë së përditshmes Taraf, beson se ky ndryshim në politikën e Erdoganit është rezultat i ndikimit të Obamës.

“Në konferencën e përbashkët për shtyp, Obama theksoi se SHBA do të bashkëpunojë me Turqinë për një Siri të pacënuar dhe që përfshin të gjitha grupet etnike dhe fetare. Obama gjithashtu nënvizoi se Siria duhet të jetë burim stabiliteti dhe jo ekstremizmi dhe kjo është veçanërisht në interes të Turqisë. Këto ishin dy shenja të qarta të ndikimit të tij tek Erdogan", shkruante Idiz në artikullin e tij.

Idiz shkruante gjithashtu se këto fjalë duhen vlerësuar në kontekstin e kritikave të kohëve të fundit nga disa vende perëndimore ndaj qeverisë turke, e cila sipas tyre po mbështet vetëm sunitët dhe po injoron alevitët dhe të krishterët në Siri.

Sipas Idiz, Turqia ka shumë gjasa të rishikojë politikën e saj ndaj opozitës siriane dhe të ndërpresë mbështetjen për elementët më radikalë në radhët e kësaj opozite.