1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia në prag të reformave serioze

Bahri Cani15 Shkurt 2013

Turqia synon që me një paketë të re reformash t'i përshtasë ligjet e veta për luftimin e terrorizmit me ato evropiane. Opozita e sheh këtë synim vetëm si përpjekje për të gjetur alibi për gjendjen.

https://p.dw.com/p/17eqY
Fotografi: Getty Images

Turqia gjendet shpesh në shënjestër të kritikave të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe shoqatave joqeveritare, për shkak të kufizimeve të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit, si dhe keqpërdorimit të ligjit antiterror. Lidhur me këto kritika aktualisht ka rreth 450 procese, të cilat po zhvillohen kundër Turqisë para Gjykatës Evropiane për Të Drejtat e Njeriut.

Kjo duhet të ndryshojë: qeveria konservatore e kryeministrit Erdogan ka përgatitur një paketë reformash. Vëmendja kryesore i kushtohet në këtë paketë luftës kundër terrorizmit. Projektligjet e reja parashikojnë dallimet mes anëtarësisë në një organizatë të ndaluar si dhe mbështetjes së qëllimeve të një organizate të këtillë.

Kontribut për zgjidhjen e konfliktit me kurdët

Definimi i ri i veprave terroriste do të mund të thoshte lirimin e shumë të burgosurve kurdë. Shtypi turk vlerëson se pas miratimit të ligjeve të reja do të mund të liroheshin rreth 1000 kurdë. Shumë prej tyre akuzohen për mbështetjen e qëllimeve të partisë së ndaluar kurde PKK. Kjo parti angazhohet prej 30 vitesh për një autonomi politike të pjesëve të banuara me shumicë kurde në Turqi.

Kryeministri turk ka njoftuar reforma në ligjet për luftën kundër terrorizmit
Kryeministri turk ka njoftuar reforma në ligjet për luftën kundër terrorizmitFotografi: Reuters

Shumë vëzhgues e shohin këtë paketë reformash juridike si një kontribut për zgjidhjen e konfliktit me kurdët. Reforma po bëhet në kohën e negociatave të nisura pak muaj më parë me liderin e PKK, Abdullah Öcalan. Pritet që bisedimet të vazhdojnë ditët e ardhshme. Si pasojë e këtij konflikti deri tani kanë humbur jetën më shumë se 45.000 vetë.

Qeveria turke ka bërë të ditur para katër vitesh se synon ndryshimin e politikës ndaj çështjes kurde. Me këtë do të duhej të përfundonte diskriminimimi i kurdëve. Por fjalët e mëdha shumë rrallë janë pasur me vepra. Ka munguar deri tani mbështetja e opinionit dhe partive politike për këto qëllime. Kjo sepse edhe PKK shumë shpesh ka ushtruar sulme mbi objektivat ushtarake, që si pasojë ka pasur edhe të vdekur. Qevria turke po përpiqet tani të ndryshojë këtë gjendje.

Ministri i Drejtësisë kërkon më shumë liri mendimi

Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e këtyre reformave, sipas ministrit të Drejtësisë Sadullah Ergin, është përshtatja e ligjeve turke me ato të Bashkimit Evropian për çështjen e lirisë së shtypit dhe të të menduarit. Por deri tani nuk dihet konkretisht se cilat pjesë do të ndryshojnë. Ergin foli edhe për proceset të cilat kundër Turqisë po zhvillohet para Gjykatës Evropiane për Të Drejtat e Njeriut duke konstatuar se "për fat të keq për Turqinë aktualisht mbretëron një përfytyrim shumë negativ. Ne duhet që vendin tonë ta lirojmë nga këto brenga dhe të sigurojmë lirinë e shprehjes së mendimit dhe kjo do të bëhet me propozimet e parashikuara ligjore".

Një prej qëllimeve të këtyre reformave është edhe heqja e mundësisë së vjetërimit të delikteve për dhunë. Kjo do të mundësojë që ata që kanë përdorur dhunë të mos mund t'i shmangen drejtësisë as pas 20 vitesh.

Për shkak të kufizimit të lirisë së shprehjes së mendimit gjithnjë e më shumë personalitete të njohura po detyrohen të dalin para gjykatave. Rasti më i ri është ai i pianistit shumë të njohur Fazil Say, i cili akuzohet për mosrespektimin e rregullave fetare. Procesi kundër tij do të vazhdojë të hënën e ardhshme (18.02.13).