1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia zbut tonet - Sërish afrim me Gjermaninë

8 Tetor 2017

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu shprehet për riafrim me Berlinin. Pas zgjedhjeve në Gjermani, marrëdhëniet do të normalizohen, tha ai duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për probleme.

https://p.dw.com/p/2lQUe
Mevlut Cavusoglu
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Altan

Pas kryeministrit turk, është ministri i Jashtëm Mevlüt Cavusoglu, ai që kërkon normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë. „Nuk ka asnjë arsye për probleme mes Gjermanisë dhe Turqisë", ka thënë Cavusoglu në një intervistë për revistën gjermane „Der Spiegel".

„Nëse ju afroheni një hap, ne do të afrohemi dy hapa", ka thënë ai. Turqia vetë asnjëherë nuk e ka kërkuar konfrontimin me Gjermaninë, ka thënë ministri i Jashtëm turk. Sipas tij, presidenti Erdogan vetëm i është përgjigjur sulmeve që kanë ardhur nga Gjermania.

Turqia është e gatshme të punojë edhe me një ministër të Jashtëm si Cem Özdemir, ka thënë Cavusoglu. Kreu i Të Gjelbërve është kritiku më i ashpër i Erdoganit. Ministri i Jashtëm turk është përpjekur të justifikojë se krahasimet e bëra me nazistët, kanë qenë „një përgjigje ndaj armiqësive" të ardhura nga Gjermania. „Qeveria gjermane duhet të mësojë të respektojë Turqinë".

Gjermanë në burgjet turke

Në rastin e gazetarit turk, Deniz Yücel, Cavusoglu i është referuar pavarësisë së drejtësisë në Turqi. „Për ne ai është një qytetar turk që ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimit për një vepër të caktuar", tha Cavusoglu për „Spiegel". Drejtësia vendos për pafajësi ose fajësi. Sa më shpejt që të fillojë procesi, aq më mirë, ka thënë ministri turk. Sipas Cavosoglu në Gjermani rasti Yücel është fryrë tej mase. „Opinioni turk nuk interesohet për të." Ministri i Jashtëm turk e hodhi poshtë akuzën, se Yücel mbahet për arsye politike në paraburgim.

Ndërkohë ai theksoi se për aktivistin gjerman, Peter Steudtner është angazhuar që të përshpejtohen procedurat. Qeveria gjermanë kërkon lirimin e gjermanëve të arrestuar për arsye politike. Kryeministri turk Binali Yildirim kërkoi javën e kaluar hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me Berlinin si edhe „përmirësimin" e marrëdhënieve.

 

la/(dpa, Der Spiegel)