1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090810 Türkei Verfassung

9 Korrik 2010

A duhet të ndryshohet në elementë vendimtarë kushtetuta e Turqisë? Për këtë çështje do të vendosin deri në mes të shtatorit turqit, në një referendum. Rrugën për referendumin e hapi Gjykata e Lartë e vendit.

https://p.dw.com/p/OEzu
Gjykatá Kushtetuese
Gjykatá KushtetueseFotografi: AP

"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i kënaq shpresat tona."

Kështu u shpreh shefi i partisë opozitare turke, Partia Popullore Republikane (CHP), Kilicdaroglu, në një deklaratë të parë pas vendimit. Ai pati shpresuar, që gjykata më e lartë turke nuk do ta lejonte fare votimin për një ndryshim të kushtetutës. Por kjo nuk ndodhi.

Gjykata Kushtetuese turke gjykoi: populli mund të vendosë më 12 shtator për një ndryshim të kushtetutës. Gjykatësit më të lartë miratuan tani në parim një ndryshim të kushtetutës së miratuar më 1982 nga puçistët ushtarakë. Por megjithatë, disa detaje të paketës reformuese ata i shpallën të palejueshme. E thënë shkurt: rregullat e deritashme për emërimin e gjykatësve të lartë dhe të prokurorëve duhet të mbeten si janë tani. Pjesën tjetër të 20 amendamenteve të propozuara, gjykatësit nuk e kritikuan.

Reformimi i kushtetutës është i nevojshëm

Nga pikëpamja e qeverisë, reformimi i kushtetutës është i nevojshëm, për ta demokratizuar Turqinë si dhe për ta bërë atë më "moderne" dhe të përshtatshme për Evropën. Edhe Komisioni i BE në Bruksel e karakterizoi paketën reformuese si "hap në drejtimin e duhur."

Kundër ndryshimeve janë, dhe ky është paradoksi, pikërisht kemalistët opozitarë. Pra pikërisht forca politike e Turqisë, e cila thotë se është vazhduese e trashëgimisë së themeluesit të Republikës, Kemal Ataturk, i cili u përpoq gjithmonë ta modernizojë Turqinë dhe ta hapë atë drejt Perëndimit. Të vetëemëruarit mbrojtës të trashëgimisë së Ataturkut, të përbërë nga administratorë dhe ushtarakë duan t'i përmbahen tani strukturave të deritashme të kushtetutës ushtarake. Ata argumentojnë se me paketën reformuese, pavarësia e drejtësisë ndodhet në rrezik.

CHP-ja kemaliste nuk e mbështet këtë reformë

CHP-ja kemaliste në parim është pro një kushtetute të re, por deri tani ka treguar pak se si e përfytyron ajo këtë kushtetutë. Në vend të kësaj, shefi i CHP, Kemal Kilicdaroglu i kritikon propozimet e partisë fetare konservatore AKP: "Politizimi i drejtësisë do të çojë me domosdo në një përçarje të shoqërisë. Edhe pas ndryshimeve nga gjykata e lartë mbetet problemi që prokurorët mbeten nën kontrollin e ministrit të drejtësisë. Për ne kjo reformë kushtetuese është vazhdim i kushtetutës jodemokratike. Prandaj ne nuk do ta mbështesim atë."

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese megjithatë të dyja palët, edhe pozita, edhe opozita mund të jenë të kënaqura. Kjo sepse vendimin për lejimin e ndryshimit të kushtetutës e morën gjykatësit. Fjalën e fundit do ta thotë populli.

Autor: Steffan Wurzel/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama