1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150411 Abidjan Selbsthilfe

15 Prill 2011

Jeta po kthehet ngadalë në rrugët e Abidjanit, por ende ka plaçkitje dhe prita të snajperëve. Në metropolin e Bregut të Fildishtë banorët shfrytëzojnë internetin për të zgjidhur vështirësitë e jetës së përditshme.

https://p.dw.com/p/10tvC
Trazira në Bregun e FildishtëFotografi: AP

Guy Manasse është shpëtues jetësh digjital. Në mes të kaosit të luftimeve në rrugë entuziasti i kompjuterit pati një ide të mirë. Ai shfrytëzon internetin si sistem alternativ të ndihmës së parë, për të plagosur dhe të sëmurë.

Guy shpjegon, se si funksionon shërbimi i tij, siç i ka hije, në një video you-tube-i. Ai informohet me sms apo e-mail kur dikujt i duhet ndihmë, sepse mund të jetë qëlluar për shembull me armë zjarri në shtëpinë e tij.

"Nuk ka taksi për t'i marrë njerëzit, nuk ka makinë urgjence, që t'i çojë në klinikë. Me ndihmën e twitterit gjej në rrjetin tim dikë, që ka për shembull makinë. Ky mund të vijë dhe t'i çojë njerëzit në spital."

Interneti - mjet i fuqishëm ndihme

Me idenë e vet informaticieni ka ndihmuar ndër të tjera diabetikë, astmatikë ose të sëmurë, të cilëve u ishin mbaruar ushqimet. Në qytetin më të madh të Bregut të Fildishtë interneti mund të shpalosë forcën e vet si medium decentral, kur rrugët zyrtare të ndihmës janë të mbingarkuara. Natyrisht që nuk ka shumë kompjutera, celularët janë më të përhapur, por një specialist, që mund ta vendosë problemin shpejt online, ku i jepet zgjidhje, gjehet në lagje: "Urgjent! Nënë e re në jug ka nevojë për furnizim me tableta kundër tensionit. Adresën e saktë e dërgoj si mesazh privat. Cyriac."

Mesazhe të tilla ka mjaft në facebook dhe në rrjete të tjera. Dikush kujdeset, shkruan poshtë, që u zgjidh, të tjerë klikojnë "më pëlqen". Solidaritet online në një vend të tronditur. Edhe njoftime për të humbur ka në internet.

Shpresë: Shtëpia e re do të shkëlqejë më bukur se e vjetra!

Bllokada e plotë e Abidjanit ka mbaruar prej disa ditësh, por ende shumica e lagjeve janë të pasigurta. Në google maps ka një hartë krize të qytetit, e cila tregon gjithnjë e aktualizuar, se ku është gjendja e rrezikshme dhe ku është kthyer normaliteti. "Tregu Anono me sa duket është rihapur", thuhet për shembull atje. "Kishim informacione kundërthënëse, por gjithmonë e më shumë njerëz shkruajnë, se kanë bërë pazar atje sot. Në sektorin 5 ka sërish ujë. Fikini shkurt pompat në mbrëmje dhe ndizini përsëri."

Ndjenja e bashkësisë i ndihmon njerëzit edhe t'i përpunojnë problemet duke folur për to në rrugë virtuale. Në grupin e facebookut "Zinxhiri njerëzor" një regjistrim i Zindës. Sipas fotografisë së profilit, në të cilën ai shikon te kamera i veshur me xhaketë, ai hyn te shtresa e lartë e Abidjanit: "Kur erdha sot në zyrë, ishte krejtësisht e shkatërruar. Dy vjet punë! Të zhbëra. Më qan zemra, por nuk dua të më mbërthejë zemërimi dhe hakmarrja. Do t'ia dal me këtë fatkeqësi. Dua të besoj te idioma: 'Shtëpia e re do të shkëlqejë më bukur se e vjetra'.' Dhe shpresojmë se kjo do të vlejë për gjithë vendin."

Autor: Hendrikc Buhrs/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi