1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina Lindore: OSBE mes fronteve

Eugen Theise24 Qershor 2015

Si mund të mbeten të besueshëm vëzhguesit ndërkombëtarë në Ukrainën Lindore? Në Global Media Forum të DW, vëzhguesit e OSBE-së folën për punën e tyre.

https://p.dw.com/p/1Fmjp
DW Reportage zur Lage in Donezk Januar 2015
Fotografi: DW/F. Hofmann

Që prej më shumë se një viti konflikti në Lindje të Ukrainës mbizotëron në lajmet botërore. Mediet ruse, ukrainase dhe ndërkombëtare përcjellin shpesh pamje krejt të ndryshme të ngjarjeve. Në rajon ndodhet vetëm një instancë që mund të thotë se është neutrale - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, shkurt OSBE. Rreth 400 vëzhguesit e OSBE-së mund të qarkullojnë në të dyja anët e vijës së frontit, një luks që shumica e gazetarëve në rajon nuk e kanë. Prandaj ajo që pret opinioni nga raportimet e bashkëpunëtorëve të OSBE-së është e lartë.

Puna me publikun e OSBE-së: e hapur, moderne, e kujdesshme

Sa e vështirë është që t'i plotësosh këto shpresa të larta, për këtë informuan disa përfaqësues të misionit të OSBE-së në një workshop në kuadër të Global Media Forum të martën në Bon. Që OSBE-ja nuk ka dëshirë të perceptohet si dinosaur në botën mediatike, kjo bëhet shumë shpejt e qartë: një zëdhënëse dërgon twitter drejtpëdrejt nga takimi, intervista me përfaqësues të organizatës transmetohen drejtpërdrejt në internet. "Ne nuk lëmë të na shpëtojë asnjë rast pa dalë në publik ku flasim për punën tonë. Ne jemi të hapur dhe duam ta konfirmojmë besueshmërinë tonë", thekson zëvendësdrejtuesi i misionit të OSBE-së në Ukrainë, Alexander Hug.

Vërtet që misioni vëzhgues i OSBE-së tani depërton në mënyrë më ofensive me përmbajtjet e tij në rrjet. Por megjithatë, mesazhet në twitter të gazetarëve që kanë bërë kërkime në terren vazhdojnë të jenë më të preferuara se raportet e vëzhguesve të OSBE-së. Sukses të veçantë, raportuesit kanë me dëshmi të mbledhura me ekzaktësi për një prani ushtarake ruse në Ukrainën Lindore. Që vëzhguesit e OSBE-së, edhe një vit pas konfliktit në rajonin e Donbasit nuk mund të thonë ende me saktësi, që trupat ruse janë të pranishme në Ukrainën Lindore, kjo ia vështirëson shpjegimet misionit. "A ka trupa ruse në Ukrainë - po apo jo? Këtë pyetje unë e dëgjoj shumë shpesh", thotë Alexander Hug. Por mandati nuk i lejon që ai të shprehë një gjykim për këtë. "Ne raportojmë për gjithçka që shikojmë: njerëz në uniforma ushtarake ruse, me shenja të nacionalitetit rus dhe për sisteme të caktuara armësh, të cilat mund t'i klasifikojmë si duhet. Por përfundimet nga këto raportime duhet t'i nxjerrin vetë gazetarët dhe politikanët", thotë Hug.

Paul Picard është një vëzhgues i OSBE-së i stacionuar që prej një viti në një pikë kalimi kufitar në Donjeck. Ai thekson se vetëm dy nga kalimet kufitare kontrollohen nga vëzhguesit e OSBE-së - përgjatë një kufiri prej 400 km midis Ukrainës dhe Rusisë, i cili nuk kontrollohet nga trupat e Kievit. Një zgjerim i mandatit të OSBE-së në kalime të tjera kufitare bllokohet nga Rusia. Kolegu i tij vjenez, Frane Maroevic, këshilltar i të ngarkuarit për medie të OSBE-së flet për luftë propagandistike për Ukrainën Lindore, së cilës organizata e tij synon t'i kundërvihet. "Propaganda vret. Në këtë luftë mbillet urrejtje midis ukrainasve dhe rusëve", kritikon Maroevic. Përfaqësuesit e OSBE-së konstatojnë se historitë e gazetarëve thjesht janë shpikur. "Kështu televizioni shtetëror rus raportoi para pak kohësh për një vajzë të vrarë në Donjeck, e cila nuk ka ekzistuar kurrë", tha Maroevic. Ai është i bindur: propagandës mund t'i kundërvihesh vetëm me të vërtetën, jo me kundërpropagandë.