1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e informacionit

Michael Hartlep/ Auron Dodi10 Qershor 2014

Në luftë, e vërteta vdes e para. Në pak vende të botës mund të vërehet këto ditë kjo më mirë se në Ukrainë. Informacion mbi një vend, që kërkon të vërtetën dhe gjen vetëm propagandë.

https://p.dw.com/p/1CExz
Stacion televiziv ne Donetsk ne duart e separatisteve
Fotografi: DW/K. Oganessjan

Në parkun e qytetit të Ukrainës Lindore, Luhansk sheh copa metali. Kryetari i kryengritësve, Vasili Nikitin ndodhet pranë tyre, me një gazetar të Reutersit. Copat e metalit u gjetën fare pranë një veture të përgjakur, thotë Nikitin. Për të kjo është dëshmi se ushtria ukrainase, në luftën e saj kundër separatistëve përdor bomba thërrmuese. Tetë njerëz u vranë.

Stacionet televizive nacionale raportuan një version tjetër. Separatistët patën goditur me një raketë një avion ukrainas. Në sulm ata patën goditur godinën e administratës rajonale të pushtuar nga kryengritësit. Pra një aksident. Për Rodion Miroshnikun kjo është propagandë e pastër. Ai është gazetar në Luhansk dhe raporton që prej 25 vjetësh për televizionin rajonal.

Stacionet televizive në pronësi private

"Kjo ishte gënjeshtër! Por ndërkohë kjo është bërë normale në Ukrainë." Me të vërtetë është bërë e vështirë që të gjesh në Ukrainë informacione në përputhje me të vërtetën. Kanali i madh i lajmeve 5 Kanal TV është në pronësi të miliarderit Petro Poroshenko, i cili u zgjodh president pak kohë më parë. Edhe programe të tjera që shihen në të gjithë vendin janë në pronësi private.

Tanke ukrainase në Slovjansk
Tanke ukrainase në SlovjanskFotografi: picture-alliance/dpa

Shumë prej këtyre stacioneve raportojnë në mënyrë të njëanshme, kryengritësit asnjëherë nuk flasin në to, thotë Miroshnik. Edhe shefat e tij në Kiev përpiqen ta ndikojnë raportimin e tij. "Ata na përcaktojnë si duhet të raportojmë për ngjarjet në Ukrainë. Luftëtarët në rajonin tonë duhet t'i quajmë "separatistë" dhe "terroristë". Dhe jo "luftëtarë të lirisë".

Korrespondentë të papreferuar

Megjithatë, ai nuk merr komente negative nga qytetarët për raportimin e tij - në dallim nga korrespondentët e kanaleve nacionale: "Njerëzit u bërtasin atyre dhe nganjëherë edhe i godasin". Disa kanaleve iu desh nga ky shkak që t'i tërheqin korrespondentët e tyre, thotë Miroshnik. "Natyrisht që kjo nuk është e drejtë, por një rezultat i propagandës, që transmetojnë ata. Njerëzit e shohin që ajo nuk është e vërtetë." Çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo? Liydia Huzhva do t'i përgjigjej ndryshe kësaj pyetjeje. Në fakt ajo është regjisore, por që prej revolucionit ajo informon si "streamer", si ofruese pjesësh filmike nga Maidani, nga Krimeja dhe Lindja e Ukrainës. Atje ajo filmon me një kamera të vogël, regjistrimet transmetohet të paprera dhe drejtpërdrejt në internet. Gjithçka pa para dhe në mënyrë honorifike.

Gazetarë aktivistë

Momentalisht ajo po shoqëron një njësi të ushtrisë ukrainase dhe raporton drejtpërdrejt nga shkëmbimet e zjarrit dhe nga betejat. Kjo është rrezik për jetën, por për Huzhvan një shërbim për Ukrainën. "Kam ndjesinë se duhet të bëj diçka për vendin tim. Unë nuk kam sa duhet guxim për të shtirë me armë, nuk jam as mjeke. Pra unë bëj atë që mund të bëj. Shkruaj dhe informoj."

Që ajo merr anën e një pale, të qeverisë së Kievit, kjo nuk e shqetëson Huzhvan. "Ne jemi si Fox News. Unë kam mendimin tim dhe e them atë, thotë ajo. Unë nuk them se është e vërteta." Propagandë gjen para së gjithash në mediat ruse, thotë ajo. Vetëm pak kohë më parë mediat ruse publikuan fotografinë e një djaloshi të vrarë, gjoja viktimë e sulmeve të qeverisë. Por në të vërtetë fotografia ishte bërë në Krime, dy vjet më parë.

Huzhva shton se që prej revolucionit në Maidan, raportimi i është afruar së vërtetës. Por çfarë do të thotë kjo në një vend të përçarë. Kur bëhet fjalë për shpjegimin e ngjarjeve, kufiri midis legjitimimit dhe diskreditimit të një pale nuk është i largët. Lufta e informacionit, ajo i mban fort të mbërthyer gazetarët ukrainas në të dyja krahët.