1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Evropë pa Janukoviçin

Alexander Warkentin/Bahri Cani3 Dhjetor 2013

Protestat në Ukrainë kanë treguar se shumë politikanë në Bruksel dhe në Lindje e kanë nënçmuar energjinë e ukrainasve. Shoqëria civile tregohet shumë më e pjekur se sa që është menduar. Ajo do të shkojë drejt Evropës.

https://p.dw.com/p/1ASLP
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar Ukrainën që të mos përdorë dhunë ndaj demonstruesve të qetë. Ajo kërkoi nga presidenti ukrainas Viktor Janukoviç "që të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur të drejtën e protestave të qeta". Edhe politikanë të tjerë evropianë kanë apeluar që Ukraina të heqë dorë nga të gjitha format e dhunës.

Disponimi në Ukrainë ka ndryshuar shumë. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe presidentit. Ata duan të shkojnë drejt Evropës, por pa Janukoviçin. Ndërkohë që ai bën sikur në vend nuk ka ndonjë krizë të rëndë politike. Të martën (03.12.2013) presidenti Janukoviç është nisur për një vizitë të planifikuar kaherë në Kinë.

Potenciali i protestave është nënvlerësuar

Vrulli i protestave është nënvlerësuar nga shumë politikanë në Lindje dhe në Perëndim. Udhëheqësi i Fondacionit për bashkëpunim gjermano-polak, Cornelius Ochmann, thotë në një intervistë me DW se politikanët e BE-së janë befasuar me zhvillimet në Kiev. "Por më së shumti është befasuar vet presidenti Janukoviç. Kjo ishte një befasi e madhe për të gjithë", konstaton Ochmann.

Cornelius Ochmann Rotary Club Adam Mickiewicz in Berlin
Cornelius OchmannFotografi: DW/R. Romaniec

Shumica e politikanëve evropianë kërkojnë shkaqet e protestave tek dëshpërimi i ukrainasve me vendimin e qeverisë që të mos nënshkruajë Marrëveshjen e stabilizim asociimit me BE. Rusia ka luajtur këtu një rol të madh, sepse ajo ka bërë presion të madh ndaj Ukrainës në disa muajt e fundit që të mos e nënshkruajë këtë dokument. Maria Davidçuk nga Shoqata Gjermane për Politikë të Jashtme në Berlin (DGAP) nënvizon në një intervistë me DW se të gjithë pjesëmarrësti e këtij procesi, pra Kievi, Moska dhe Brukseli e kanë nënvlerësuar gjendjen. "Qeveria ukrainase e ka parë partneritetin me BE vetëm si një prej mundësive, që ndihmon zhvillimin e brendshëm ekonomik. Në anën tjetër, BE-ja ka ka dërguar shumë sinjale drejt Ukrainës, por nuk ka pasur ndonjë strategji konkrete dhe instrumente për zgjidhjen e problemeve reale të këtij vendi dhe popullit ukrainas".

Cornelius Ochmann mendon se në veçanti presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin ka kontribuar që ukrainasit tani të dalin në rrugë. "Paraqitjet e presidentit Putin kanë qenë si hedhje e benzinës në zjarr, sepse ai përpiqet që të bëjë presion ndaj Ukrainës. Ukrainasit nuk duan të pranojnë një metodë të tillë", pohon Ochmann.

Perspektivat e shoqërisë civile

BE duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje Ukrainës. Polonia dhe Gjermania kanë treguar më shumë kujdes, por jo edhe vendet e tjera si Italia, Greqia apo Spanja. Cornelius Ochmann mnendon se mosnënshkrimi i MSA është përdorur vetëm si shkas për protesta. "Shoqëria civile në Ukrainë është zhvilluar shumë më shumë se sa që mendohet. Njerëzit janë të pakënaqur me presidentin Janukoviç dhe tani po e shfrytëzojnë momentin që ta shprehin mllefin e tyre".

Maria Davidçuk nga DGAP është e mendimit se BE duhet të koncentrohet në të ardhmen tek elita e këtij vendi. Evropianët duhet t'u tregojnë ukrainasve të rëndomtë se problemet e tyre kuptohen seriozisht. Bashkëpunimi me BE-në u ofron Ukrainës një perspektivë afatgjate. Kjo duhet tu bëhet ukrainasve e qartë.