1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNMIK mbetet në Kosovë - Me shtrirje më të vogël

Bekim Shehu / Prishtinë14 Maj 2008

Çështja e kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek misioni i BE-së dhe tek institucionet e Kosovës, ka ngecur në vend, sepse akoma është e paqartë baza ligjore e transferimit të përgjegjësive.

https://p.dw.com/p/DzmS
Selia e UNMIK - Prishtinë
Selia e UNMIK - PrishtinëFotografi: picture-alliance/ dpa

Çështja e kalimit të përgjegjësive nga UNMIK-u tek misioni i BE-së dhe tek institucionet e Kosovës, ka ngecur në vend, për faktin që akoma është e paqartë baza ligjore e transferimit të këtyre përgjegjësive.

Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi me datën 15 qeshor dhe udhëheqësit politik kosovarë, presin që pas kësaj date, të gjitha përgjegjësitë e UNMIK-ut të kalojnë në duar të institucioneve të Kosovës ndërsa, siguria dhe drejtësia në duar të misionit të BE-së.

Zyrtarë të UNMIK-ut pranojnë së pas datës 15 qeshor do të ndodhë rikonfigurimi i UNMIK-ut, mirëpo formati i misionit pas 15 qershorit nuk dihet. Aleksander Ivanko, zëdhënës i UNMIK-ut thotë se: "kjo çështje është duke u diskutuar ndërmjet UNMIK-ut, selisë së OKB-së në Nju Jork dhe Brukselit. Unë tash për tash, nuk mund të them asgjë sepse procesi i bisedimeve për rikonfigurimin e UNMIK-ut është duke vazhduar," thotë zëdhënësi Ivanko.


Ndërkohë, përfaqësuesit e misionit të BE-së në Kosovë, janë të bindur se pas datës 15 qeshor, kur kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi, ata do të marrin përgjegjësitë e tyre dhe do të shtrihen në të gjithë territorin e Kosovës. Misioni i BE-së, do të mbikqyrë zbatimin e pakos së Marti Ahtisarit, dhe do të menaxhojë sigurinë dhe sistemin e drejtësisë.

Andy Mcguffie, është zëdhënës i misionit të BE-së në Kosovë: "Vendet e Bashkimit Evropian e kanë bërë të qartë se duan të shohin misionin EULEX, të vendosur në gjithë territorin e Kosovës, thotë zëdhënësi Mcguffie. Ai nuk e di se si do të rrjedhë procesi i tranzicionit. Qeveria e Kosovës nga ana e saj, thotë se në Kosovë nuk duhet të ketë përzirje kompetencash, dhe se pushteti duhet të kalojë në duar të institucioneve kosovare.

Hajredin Kuqi, zëvëndëskryeministër i Kosovës thotë se: "Qeveria e Kosovës ka shprehur qëndrimin e saj se duhet të jetë një qendër e vendosjes ndërkombëtare. Ne jemi në fazën e tranzicionit dhe besojmë se kjo do të përfundojë me kohë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës, nënkupton përfundimin e një faze dhe fillimin e zhvillimit të një shteti të ri e demokratik," thotë Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë, bazuar në rrethanat aktuale në Kosovë, analistët parashohin se do të ketë vështirësi për largimin e UNMIK-ut nga Kosova. Kjo për faktin që shfuqizimi i rezolutës 1244 duhet të bëhet në KS-it, dhe tashmë është e qartë se kjo nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Rusisë. Në këtë kuadër analistët thonë se rezoluta 1244 do ta mbajë misionin e UNMIK-ut në Kosovë, mirëpo padyshim me një shtrirje shumë më të vogël se sa deri tani.