1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNMIK-u nuk organizon zgjedhje në Kosovë

23 Mars 2012

Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, tha të enjten se për shkak të rrethanave në terren, UNMIK-u nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale serbe në Kosovë. Përgjigjja e UNMIK-ut është një goditje prapësuese për Beogradin

https://p.dw.com/p/14Pl7
Fotografi: AP

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) deklaroi se ai nuk do të ndihmojë në organizimin e zgjedhjeve lokale serbe atje. Ka vendim është një goditje prapësuese për Beogradin dhe do t'i kufizojë rëndë mundësitë e tij për të organizuar zgjedhje lokale në disa komuna të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Zveçanit Dragisha Milloviq tha sot (23.03.) se qytetarët e Kosovës nuk kërkojnë nga UNMIK-u që t'iu organizojnë zgjedhjet lokale. "UNMIK-u nuk ka organizuar zgjedhjet as për shqiptarët e Kosovës dhe ne kërkojmë që edhe ndaj nesh të sillen njëjtë si ndaj tyre", tha Milloviq për agjencinë serbe të lajmeve Beta. Ai shtoi se zgjedhjet në Kosovë duhet t'i organizojë Beogradi, sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Serbi. Prandaj nuk është dashur që UNMIK-ut t'i shtrohet një pyetje përgjigjeja e së cilës dihet paraprakisht.

Beogradi zyrtarisht ka kërkuar ndihmën e UNMIK-ut

Beogradi i pati kërkuar zyrtarisht shefit të UNMIK-ut Farid Zarif të ndihmonte në organizimin e zgjedhjeve si pjesë e rolit të tij mbikëqyrës. "Zgjedhjet janë shpallur të mbahen në tërë territorin e Serbisë, por duke pasur parasysh që krahina jugore është nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, në përputhje me rezolutën 1244 është e nevojshme që për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të arrihet një marrëveshje me misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Metohi", ka theksuar në letrën e dërguar shefit të UNMIK-ut, ministri Goran Bogdanoviq.

Ndërkohë për qeverinë e Kosovës është i papranueshëm qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ekzekutivi kosovar i ka rikujtuar Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës. Qeveria e Kosovës, thotë se vendimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, nxjerr në pah qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi janë caktuar të mbahen më 6 Maj.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani