1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Urrejtja kundër mbrojtësve shiito-islamistë të revolucionit është e madhe

19 Tetor 2009

Gazetat gjermane të së hënës komentojnë zhvillimet në Iran duke marrë shkas nga sulmi i së dielës ndaj anëtarëve të Gardave të revolucionit:

https://p.dw.com/p/K9jZ
Nga atentati me bombë në juglindje të Iranit, kanë humbur shumë pjesëtarë të gardës së revolucionit.
Nga atentati me bombë në juglindje të Iranit, kanë humbur shumë pjesëtarë të gardës së revolucionit.Fotografi: IRNA

Si pasojë e një atentati me bombë në juglindje të Iranit, kanë humbur shumë pjesëtarë të gardës së revolucionit. Agjencia e lajmeve IRNA flet për 60 të vdekur dhe të plagosur. Ndër viktimat thuhet se janë edhe oficerë të rangut të lartë të gardës së revolucionit. Atentatori thuhet se u takon rebelëve sunitë.

"Frankfurter Rundschau" komenton: "Ky ishte sulmi më i rëndë qysh prej disa vitesh ndaj trupës ideologjike elitë. Sapo Gardat Revolucionare vendosën një qetësi të brishtë duke përdorur forcën ndaj popullit të vet, një atentator kamikaz morri me vete drejt vdekjes në një zonë kufitare një sërë komandantësh dhe shumë gardistë. (...) Atentati nxjerr në pah edhe të tjera konflikte që ziejnë në brendësi të Republikës Islamike, e cila u vu në qendër të vëmendjes përmes trazirave pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale. (...) Parë nga ky këndvështrim sulmi hedh dritë ndaj problemit të opiumit, prej të cilit rënkon shoqëria e Iranit dhe kundër të cilit Teherani edhe në interes të Evropës lufton i vetëm. Irani nuk merr ndihmën e duhur nga Evropa në luftën kundër veprimtarisë së bandave të lëndëve narkotike."

"Märkische Oderzeitung": "Trazira dhe atentate ka pasur shpesh në provincën e banuar kryesisht prej sunitëve, shpesh ato janë drejtuar prej grupit sunit-islamist Xhundallah, i cili i kundërvihet me terror dominancës së shiitëve. Urrejtja kundër mbrojtësve shiito-islamistë të revolucionit është e madhe. Për më tepër që më 13 korrik u ekzekutuan anëtarë të grupit Xhundallah. Edhe pse qeveria në Teheran kësaj here sërish reagon duke deklaruar për pjesëmarrjen e SHBA-së dhe të britanikëve, sulmi duhet të jetë një sinjal alarmi për presidentin Mahmud Ahmedinexhad. Ai nuk ia ka dalë, që provincën ta shpëtojë nga statusi i pjesës më të varfër në vendin më të pasur me naftë. Banorët sunitë të kësaj province e ndiejnë veten si qytetarë të klasës së dytë - një terren pjellor ky për akte të mëtejshme tronditëse."

Ndërsa gazeta "Bayerische Rundschau" komenton problemin e programit atomik iranian. "Në Vjenë do të hapet porta. Ka ardhur koha që Iranit t' i besohet, por edhe t' i bëhet e qartë, se dredhitë ndëshkohen pa asnjë diskutim, e madje nga të gjithë njëkohësisht."