1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtarë grekë fyejnë shqiptarët – proteston Tirana

27 Mars 2010

Në Tiranë është protestuar kundër thirrjeve raciste antishqiptare të ushtarëve grekë. Qeveria e Shqipërisë i quajti fyerjet"akt skandaloz dhe të dënueshëm".Qeveria greke premton hetim.

https://p.dw.com/p/Mfnq
Ndërrimi i rojeve para parlamentit grek në Athinë
Ndërrimi i rojeve para parlamentit grek në AthinëFotografi: picture-alliance / dpa
Lëvizja Mjaft dhe disa organizata joqeveritare, kanë zhvilluar sot paradite pranë ambasadës greke në Tiranë një protestë kundër thirrjeve ksenofobe dhe raciste të ushtarëve grekë kundër shqiptarëve.

Vendi i protestës ishte zgjedhur në sheshin përpara sportelit të vizave në ambasadën greke në Tiranë. Aktivistët e Lëvizjes Mjaft dhe të shoqatave të tjera mbanin në duar simbole kombëtare dhe parrulla me përmbajtje kundër sjelljes së fundit ushtaraktëve helenë. Oratorët duke dënuar thirrjet fyese në adresë të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit kërkuan nga autoritetet që t’i dënojnë me forcë këto akte të shëmtuara. Ata kanë vënë në dukje se thirrje të tilla janë përsëritur po nga forcat e armatosura të Greqisë dhe disa kohë më parë.

Ushtarë në bulevard me parulla rrënqethëse

Me parulla raciste dhe fyese kundër shqiptarëve, maqedonasve dhe turqve, komando të ushtrisë greke e kthyen paradën e festës kombëtare në një manifestim racist dhe ksenofob. Nga një video amatoreske e ngjitur në website të gazetës "Elefterotipia" dhe një shkrim të saj në faqen e parë me titullin "paradë me flamuj racistë" opinioni grek mësoi i shokuar se më 25 mars, ditën e festës kombëtare të Greqisë, formacioni i forcave amfibe të ushtrisë greke bëri një demonstrim të tipit racist të forcave ultraekstreme dhe fashiste. Me parulla fyese dhe rrënqethëse kundër shqiptarëve, por edhe turqve dhe maqedonasve, që i hidhnin civilë në dy anët e bulevardit Panepistimiu dhe i përsërisnin komandot, bënin thirrje për urrejtje ndaj fqinjve dhe shfarosje të tyre dhe disaprovonin politikën qeveritare të dhënies së nënshtetësisë emigrantëve. Kjo në një kohë kur një pjesë e madhe e spaktatorëve të paradës ishin emigrantë me fëmijët e tyre.

Qeveria greke shqetësohet

Ministri i Rendit Hrisohoidhis me një komunikatë të tij kërkoi hetim dhe ndëshkim të autorëve, si "njerëz pa mend që nxinë festën kombëtare me parulla raciste dhe ksenofobe", kurse e majta kërkoi diskutim në parlament. Vetëm partia nacionaliste i mori në mbrojtje ushtarakët e urrejtjes.

Tirana zyrtare e ka vlerësuar gatishmërinë e autoriteteve greke "për t`u distancuar nga kjo ngjarje skandaloze dhe mirëpret angazhimin e menjëhershëm dhe konkret nga ana e tyre për t`u dhënë autorëve ndëshkimin e merituar, jo thjesht dhe vetëm për të dënuar autorët e ngjarjes së rëndë, por që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen".

Tirana kërkon ndëshkim të ushtarëve

Mbrëmjen e së premtes Ministria e Jashtme në Tiranë reagoi me një deklaratë zyrtare ku i përshkruante fyerjet e ushtarakëve grekë "një akt skandaloz dhe të dënueshëm". Duke e konsideruar si një ngjarje "në kundërshti të plotë që nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s".

Nëpërmjet deklaratës citohej ministri i jashtëm Ilir Meta, të ketë insistuar në "domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata".

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ngjarja e rëndë "vjen në kundërshtim të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s".

Autor: Arben Muka / Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama