1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtarët e NATO-s heqin barrikadat në veri të Kosovës

20 Tetor 2011

Së paku tetë ushtarë të KFOR-it dhe më shumë se 20 demonstrues serbë janë plagosur.

https://p.dw.com/p/12w4D
Fotografi: dapd

Zyrtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë e cilësojnë të sukseshëm operacionin për heqjen e barrikadave të vëna nga serbët në rrugët në veri të Kosovës. Një zëdhënës i KFOR-it, Uve Novicki, i tha DW-së se situata e sigurisë tash paraqitet e qetë, megjithë tensionet e paradites dhe përpjekjet e serbëve lokalë për të penguar heqjen e barrikadave. Ai tha se KFOR-i ka kontroll të plotë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë në Jarinje dhe Bërnjak: “Fatkeqësisht kemi tetë ushtarë të lënduar lehtë dhe gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Rezultati i operacionit të sotëm është i kënaqshëm dhe mund të them se operacioni për largimin e të gjitha barrikadave do të vazhdojë. Nuk dua të flas për detaje të operacionit, por mund të them se KFOR-i mbetet i përkushtuar që të sigurojë liri të lëvizjes në veri të Kosovës, jo vetëm për mekanizmat ndërkombëtarë, por për të gjithë qytetarët”, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Dhjetëra të plagosur në protestat e vazhdueshme të serbëve

KFOR heq barrikadat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës
KFOR-i heq barrikadat ndërmjet Serbisë dhe KosovësFotografi: dapd

Mediat lokale serbe njoftojnë se të paktën 25 qytetarë serb nga komuna e Zubin Potkut, kanë marrë lëndime të lehta, shumica e tyre nga gasi lotesjellës gjatë intervenimit të KFOR-it, për heqjen e barrikadave. Zyrtarët e KFOR-it nuk janë në gjendje të konfirmojnë këtë informacion.

Ndërkohë, misioni EULEX në një njoftim për media thotë se aksioni i së enjtes për heqjen e barrikadave nga rrugët në veri të Kosovës ishte një aksion i përbashkët i KFOR-it dhe misionit EULEX, që për qëllim ka rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. EULEX, arrestoi disa serbë, që kundërshtuan aksionin afër pikalimit 31, mirëpo më pas i liroi ata: “Barrikadat në afërsi të pikalimit 31 u larguan dhe u vendosën postblloqe dhe pika të kontrollit për automjete. Këto veprime janë ndërmarrë afër pikëkalimit 31, si dhe në zonën e Zubin Potokut. Qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. EULEX-i kërkon nga qytetarët ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit. Këtë e presin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e misionit EULEX.

Situata në Mitrovicë mbetet e qetë

Mitrovica e Veriut
Mitrovica e VeriutFotografi: DW

Ndërkohë zëdhënësi i policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha DW-së se situata e sigurisë në veri të qytetit të Mitrovicës mbetet e qetë, ndërsa nuk ka ndonjë lëvizje për heqjen e barrikadës mbi urën kryesore, që ndan qytetin në dy pjesë.

Mediet serbe njoftojnë se presidenti serb, Boris Tadic, u kërkoi serbëve në veri të Kosovës të mbesin të qetë, ndërsa NATO-s i kërkoi t'i shmanget përdorimit të dhunës.

“Liderët e serbëve lokalë në veri do të duhej të punonin vetëm në interesin e njerëzve dhe jo nën ndikimin e disa partive politike serbe”, citohet të ketë thënë presidenti, Boris Tadiq.

Thaçi: Eskalimi i dhunës nuk është në interes të askujt

Kryeministri i Kosovës dënoi dhunën kundër KFOR-it Hashim Thaci
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, dënoi dhunën kundër KFOR-itFotografi: dpa

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi, siç thotë, dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqeruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave kriminale në veri dhe shtoi se eskalimi i dhunës nuk është në interes të askujt: “Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lart përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre, po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit”, shprehet kryeministri Hashim Thaçi. Ai fton qytetarët serbë të pjesës veriore për bashkëpunim të plotë, sepse këto angazhime sipas tij janë në interes të vetë qytetarëve të asaj pjese të territorit të Kosovës.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një konference shkencore “Siguria në Kosovë dhe refleksionet rajonale”, tha se ndaj gjendjes në veri duhet përgjigjur me sundim të ligjit: “Sa i përket veriut, unë do të përsëris atë, që e kam thënë edhe në të kaluarën, se përgjigjja ndaj tërë kësaj është sundimi i mirëfilltë i ligjit në tërë territorin e Kosovës, veprimet nga institucionet e Kosovës dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë të pranishëm në Kosovë si EULEX-i dhe KFOR-i, që institucionet dhe qytetarët e Kosovës i kanë ftuar të ndihmojnë", tha presidentja Atifete Jahjaga.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Cristopher Dell, e mbështeti aksionin e KFOR-it dhe EULEX-it, për heqjen e barrikadave në veri, duke thënë se KFOR-i, si pjesë e sigurisë së NATO-s, është i mandatuar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta ruajtur sigurinë në Kosovë: ”Më vjen keq që grupet ekstremiste serbe kanë zgjedhur mënyrën e konfronitimit për të zgjidhur situatën në atë pjesë të vendit”, tha ambasadori Dell, gjatë një vizite në komunën e Junikut.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica