1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria dhe Assad-i

13 Shkurt 2012

Situata në Siri po keqësohet në mënyrë dramatike. Trupat qeveritare veprojnë me brutalitet dhe vetëm ditët e fundit janë njoftuar qindra viktima.

https://p.dw.com/p/142i7
Shkatërrime në Siri
Shkatërrime në SiriFotografi: Reuters

Ushtria është shtylla kurrizore e regjimit të Assad-it. Makineria e saj vdekjeprurëse i siguron atij mbijetesën. Një rrjet i udhëheqjes autokratike, shërbimeve të kudogjindshme sekrete, njësive të vendosura speciale dhe e një burokracie të vendosur shtetërore e mbajnë Sirinë fort nën kontroll.

Vëllai i Assadit Maher mbahet si sadist. Ka video, në të cilat opozitarët shohin se si ai me dorën e vet qëllon mbi demonstruesit. Maher është ai, që udhëheq në të vërtetë. Ai drejton njësitë e e pazëvendësueshme për mbajtjen e pushtetit. Gardën republikane dhe presidenciale, si dhe divizionin e katërt të tankeve, të gjitha me shërbimet sekrete të tyre. Ata janë të betuar për regjimin, të përgatitur në mënyrë të shkëlqyer dhe të armatosur shumë më mirë, se sa 300.000 ushtarët e rregullt.

Shpërthime të ditëve të fundit në Alepo
Shpërthime të ditëve të fundit në AlepoFotografi: picture-alliance/dpa

I turpshmi dhe i vrazhdëti

Maher al-Assad i ka krijuar njësitë speciale. Ai konsiderohet shumë inteligjent, i organizuar mirë dhe mizor. Babai Hafez e kishte rregulluar të ardhmen e dinastisë Assad që në vitin 1970. Bashari, udhëheqësi politik, disi i turpshëm, por orator dhe Maher zbatuesi, për punët e vrazhdëta. Desertorët e së ashtuqujturës ushtria e lirë siriane janë thuajse të gjithë ushtarë të thjeshtë dhe nënoficerë. Sipas të dhënave të veta, të pasigurta, kjo ushtri përbëhet nga rreth 20.000 vetë, as dhjetë përqind të trupave të rregullta. Armatimi dhe organizimi janë më të këqia se tek njësitë besnike të Assad-it, të cilat kanë në dispozicion armë dhe municion pa fund, falë ndihmës miliardëshe ruse.

Aksionet kundër kryengritjes janë në duart e vëllait të Assadit, Maherit, apo të kunatit Assef Shawkat, zëvendësshef i ushtrisë. Ai ka kontrolluar për dekada me rradhë pushtimin e Libanit nga trupat siriane dhe për të dyshohet se ka të bëjë me vrasjen e kryeministrit libian Hariri. Asad ka marrë masa që shërbimi sekret të mos i dalë nga duart, thotë Hilal Khashan i universitetit amerikan në Beir. "70 përqind e oficerëve janë alavitë, pakica sundimtare e Asadit. Ajo ka pozicionet kyçe në ushtri. Për këtë regjimi punon prej dekadash."

Homs
HomsFotografi: Reuters

Ndërhyrje ushtarake?

Alavitët, një degëzim i islamizmit shiit, përbëjnë dhjetë përqind të sirianëve. Ata sundojnë vendin, në krye të tyre është familja e Assadit dhe rrethi i saj. Ata sundojnë në politikë, në shërbimet sekrete dhe në partinë sunduese Baath. Pakica sundimtare e di, se çfarë e kërcënon, në qoftë se pushtetin e merr në dorë opozita. Brutaliteti dhe frikësimi kanë qenë gjithmonë karakteristika të regjimit. I biri Bashar ndjek traditën e paskrupullt të babait të tij Hafez. Ai mposhti para 30 vjetësh kryengritjen e vëllezërve myslimanë në Hama, bombardoi dhe vrau deri në 30.000 njerëz. I biri nuk bën sot ndryshe në Homs.

Për të nuhatur që heret revoltat, babai dhe djali e kanë mbuluar vendin me një rrjet shërbimesh sekrete, për 150 sirianë ka një spiun të shtetit. Të mbrohet pushteti me çdo kusht: kjo është kredoja e regjimit. Biznesmeni Rami Maklouf, nipi i Assadit, e thotë fare qartë: Në qoftë se udhëheqja duhet të vuajë, atëherë jo vetëm ajo. Bota e ka të qartë, se çfarë do të thotë, që të përplasesh ushtarakisht me aparatin e pushtetit të Assadit. "Kostot dhe pasojat e një intervenimi do të ishin të paparashikueshme. Ushtria siriane është shumë e fortë se ajo e Gaddafit. Një ndërhyrje ushtarake do të ishte aksion vetëvrasës."

Autor: Ulrich Leidholdt/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi