1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria në Shqipëri në gatishmëri për zjarret

Arben Muka / Tiranë30 Gusht 2012

Shqipëria nuk i ka shpëtuar zjarreve që kanë përfshirë zona të tëra të Evropës Juglindore. Ushtria vihet në gjendje gatishmërie për përballimin e situatës në disa rajone të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/160A0
Fotografi: Samir Huseinovic

Në kushtet e temperaturave ekstreme dhe thatësirës mjaft rajone në Evropën Juglindore janë përfshirë nga zjarret. As Shqipëria nuk i ka shpëtuar temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret. Si rrjedhojë autoritetet janë detyruar të mobilizojnë ushtrinë në mbështetje të ekipeve të zjarrfiksave dhe të banorëve në zonat e prekura.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë shpalli të mërkurën në mbrëmje (29.08.2012) gadishmëri për të gjitha strukturat në mënyrë që t'i bëhet ballë situatës së rënduar krijuar nga vatrat e zjarrit aktive në disa rajone të Shqipërisë. Shefi i Shtabit, gjeneral major, Xhemal Gjunkshi duke komunikuar vendimin tha se një ekip task forcë nën drejtimin e zëvendësit të tij është krijuar për të ndjekur hap pas hapi situatën e emergjencës dhe planifikimin e ndërhyrjes së forcave ushtarake në ndihmë të operacioneve të ndihmë shpëtimit, për të shuar dhe izoluar zjarret.

Zona problematike në afërsi të kryeqytetit

Angazhimi i ushtrisë filloi në dy nga rajonet më problematike me vatra zjarri aktive, rreth 25 km larg Tiranës, në Malin e Dajtit dhe në Qafë Priskë, ku janë mobilzuar në terren rreth 160 forca ushtarake. Në dispozicion të tyre ka mjete transporti, si dhe një autoambulancë. Burime nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë se gjatë gjithë ditës së enjte në terren do të jenë dhe 600 trupa të ushtrisë, që do të kenë në gadishmëri dhe një helikopter për ndërhyrjet nga ajri. Prej disa ditëve në operacionet e shuarjes së zjarreve është përfshirë dhe një helikopter i ushtrisë turke.

Masat shtesë të ndërhyrjes së ushtrisë vijnë pas rreth një jave situate të vështirë në rajone të ndryshme të vendit ku janë aktive vatra zjarri që kanë sjelle dëmtime të konsiderueshme në pyje, kullota, drurë frutorë, ullinj etj. Sipas autoriteteve policore shkak për rënien e zjarreve nuk janë vetëm temperaturat e larta dhe erërat që fryjnë me intensitet, por janë evidentuar dhe raste të zjarrëvënieve të qëllimshme nga banorët lokalë. Të paktën 10 persona janë ndaluar nga policia ditët e fundit me akuzën e zjarrëvënies së qëllimshme dhe dëmtim të pronës publike e private.