1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria siriane hap zjarr kundër dezertorëve

2 Tetor 2011

Ushtria siriane ka vrarë në sulmin kundër lokalitetit Rastan, sipas të dhënave të medieve shtetërore një numër të madh kundërshtarësh të armatosur të regjimit. Mbështetës të opozitës flasin për një masakër.

https://p.dw.com/p/12kbw
Protesta në Homs, 30 shtator 2011
Protesta në Homs, 30 shtator 2011 (ap)Fotografi: dapd

Lokaliteti Rastan në provincën Homs është kthyer sërish nën kontrollin e forcave të sigurisë, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Sana të dielën (02.10.). Kundërshtarë të regjimit të presidentit Bashar al Assad folën të shtunën për një "masakër" në Rastan. Në këtë vend qe mbledhur një pjesë e madhe dezertorësh të ushtrisë. Në video, të cilat i publikuan në internet, dezertorët thonë se kishin kundërshtuar urdhërat për të hapur zjarr kundër civilëve.

Me rreth 250 tanke dhe automjete të blinduara si dhe me mbështetjen e helikopterëve ushtarakë, trupat siriane e sulmuan të shtunën Rastanin, sipas opozitarëve. Ky qytet konsiderohej si kështjellë e rezistencës kundër regjimit të Assad-it. "Qyteti u shkatërrua thuajse tërësisht nga zjarri i armëve", bënë të ditur kundërshtarë të presidentit që prej Libanit fqinj.


Regjimi kërkon dezertorët

Televizioni shtetëror sirian bëri të ditur të shtunën se "ushtarët po kërkojnë tani në qytet banda të armatosura dhe terroristë, për t'i arrestuar". Sipas paraqitjes së opozitës, në Rastan qenë fshehur rreth 2000 dezertorë. Se sa prej tyre i vranë, kjo të dielën (02.10.2011) nuk ishte e qartë. Që prej shpërthimit të protestave kundër regjimit sirian në mars, sipas Kombeve të Bashkuara janë vrarë 2700 vetë.

Lëvizja siriane e protestës po mbështetet aktualisht gjithnjë e më shumë tek ushtarët e pabindur. Këta duhet t'i forcojnë operacionet e tyre për të pakësuar presionin e forcave të sigurisë ndaj demonstruesve, thuhet në një deklaratë të opozitarëve. Një përfaqësues i opozitës siriane në Stamboll i tha agjencisë së lajmeve dpa se numri i dezertorëve ndërkohë është rritur në disa mijëra. Të premten, sipas të dhënave të aktivistëve në Homs u vra një toger dezertor, sepse nuk kishte pranuar të vriste demonstruesit.

Demonstrues kurdë në Siri
Demonstrues kurdë kundër regjimit në SiriFotografi: dapd

Opozita zhvillon negociata në Stamboll

Gjakderdhja në vend po i bashkon ndërkohë gjithnjë e më shumë grupet e ndryshme opozitare në vend. Të shtunën, përfaqësues të më shumë se 70 grupimeve u takuan për të diskutuar për krijimin e një Këshilli Tranzitor. I ashtuquajturi Këshill Nacional Tranzitor sirian, sipas të dhënave të një anëtari do ta bëjë të ditur në fillim të javës "përbërjen e tij përfundimtare". Pritet që në të të përfaqësohen tri rryma: nacionalistët, liberalët dhe islamistët.

Autor: Martin Schrader/ Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora