1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050509 USA Südasien

Kristina Bergmann/Auron Dodi6 Maj 2009

Duke shfrytëzuan gabimet e SHBA-së dhe luftën në Irak talibanët u riorganizuan në Afganistan dhe në Pakistan.

https://p.dw.com/p/Hknf
Bisedime tripalëshe në Uashington mes presidentit Obama dhe homologëve te tij nga Pakistani dhe Afganistani
Në bisedimet tripalëshe në Uashington presidenti Obama i siguroi homologët e tij nga Pakistani dhe Afganistani se SHBA kanë dëshirë t'u qendrojnë në krah këtyre vendeve si ushtarakisht, edhe nga pikëpamja diplomatike dhe ekonomike.Fotografi: AP Graphics/DW

Që kur ishte senator i SHBA dhe kandidat për president të SHBA Barak Obama e kritikonte strategjinë e atëhershme të SHBA për Azinë Jugore. Lufta në Irak do të përqendronte shumë burime dhe do ta zhvendoste vëmendjen nga problemi i mirëfilltë: nga forcimi i organizatës terroriste El Kaida. Edhe talibanët, të cilët u shpallën të mundur nga SHBA, i shfrytëzuan gabimet e SHBA, për t'u riorganizuar në Afganistan dhe në Pakistan. Prandaj në muajt e parë të presidencës së tij Obama urdhëroi tërheqjen e trupave nga Iraku, dërgoi më shumë ushtarë në Afganistan dhe e drejtoi vështrimin para së gjithash drejt Pakistanit.

Kryengritësit në Afganistan kontribuojnë në destabilizimin e Pakistanit

Që nga Pakistani, ekstremistët infiltruan në Afganistan, ndërsa kryengritësit në Afganistan kontribuojnë në destabilizimin e Pakistanit. Strategjia e re e SHBA për rajonin synon ta marrë parasysh këtë rrethanë - dhe ka një synim të qartë, siç deklaroi ministrja e jashtme Hillari Klinton (Clinton) para Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve: "Që të përçajë organizatën terroriste El Kaida, ta shpërbëjë dhe mundë atë dhe të pengojë që anëtarët e kësaj organizate të tërhiqen pa u dëmtuar në pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit."


Në këtë kuadër, vështrimi i ekspertëve është drejtuar para së gjithash nga Pakistani. Xhon Nagel (John Nagel), president i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane deklaroi në një aktivitet të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë: "Afganistani është i vështirë, po ne e dimë se çfarë duhet bërë atje dhe kemi hapësirë të mjaftueshme manovrimi. Pakistani është shumë më i vështirë. Na duhet të operojmë në një vend, i cili është krenar dhe sovran. Pakistani ka struktura të konsoliduara, por të cilat nuk janë të përshtatshme për t'u ndeshur me kërcënimet, përballë të cilave ndodhet tani Pakistani."

Pakistani ka struktura të konsoliduara por të përshtatshme për t'u ndeshur me sfidat përballë të cilave ndodhet tani vendi

Ushtria pakistaneze, thotë Nageli, vërtet që është për shembull në gjendje ta dëbojë një kundërshtar nga një rajon, por ushtarët nuk janë në gjendje ta mbajnë nën kontroll territorin e marrë dhe të ndërtojnë një infrastrukturë të sigurtë. Ndërsa në luftë kundër kryengritësve nevojiten që të tria aftësitë.

"Ne duhet ta përgatisim ushtrinë pakistaneze për t'i luftuar me sukses kryengritësit. Ky është një proces mësimi, të cilin, ushtrisë së SHBA iu desh ta kalonte vitet e fundit dhe përballë të cilit ndodhet tani ushtria pakistaneze."

Në këmbim të paqes qeveria pakistaneze u lejoi talebanëve të fusin në përdorim Sharian

Kjo dobësi në aftësitë zbatuese është edhe shkaku, që qeveria pakistaneze shfaqet me një pozicion të kujdesshëm përballë talibanëve, thotë Liza Kurtis (Lisa Curtis) nga Heritage Foundation. Kështu lindin pakte, si ai në Swat Valley, ku në këmbim të paqes talebanëve iu lejua të futin Sharian. Një problem tjetër, thotë Kurtis, është pikëpamja e qeverisë pakistaneze, se kërcënimi më i madh vjen nga India: "Unë do ta konsideroja këtë mentalitet bunkeri. Qeveria pakistaneze është e rrethuar nga shumë probleme: atentatet e shumta vetëvrasëse vitet e fundit e konfirmojnë këtë. Por ekziston tendenca, që faji të kërkohet te të tjerët jashtë, në Indi ose në SHBA, në vend që vështrimi të drejtohet brenda duke vrarë mendjen se çfarë mund të bëhet në vend. Këtë unë e shoh si pengesë të madhe, e cila duhet eliminuar."

Obama shumë i shqetësuar për situatën në Pakistan

Presidenti i SHBA, Barak Obama, deklaroi në një konferencë shtypi javën e kaluar se është shumë i shqetësuar për situatën në Pakistan dhe për qeverinë e atjeshme: "Jo sepse kam frikë se ata do të mposhten menjëherë dhe talibanët do të vijnë në pushtet në Pakistan, por sepse qeveria civile atje është shumë e brishtë dhe nuk duket të jetë në gjendje të ofrojë shërbime bazë: shkolla, sigurimin shëndetësor, shtetin juridik dhe një sistem juridik, i cili të funksionojë për shumicën e njerëzve."

Gjendja në Pakistan vështirësohet edhe nga arsenali i armëve bërthamore

Edhe pse qeveria e SHBA e minimizon zyrtarisht, një faktor prej të cilit vështirësohet gjendja në Pakistan është edhe arsenali i armëve bërthamore. Edhe njëherë presidenti Obama: "Jam optimist se arsenali bërthamor i Pakistanit nuk do të bierë në duart e kryengritësve."

Ronald E. Nojman (Neumann), president i Akademisë Amerikane të Diplomacisë, e konsideron dialogun me qeverinë pakistaneze dhe popullin e Pakistanit si një element me rëndësi vendimtare: "Pakistanezët janë të bindur se ne do të mbajmë anën e tyre. Njësoj si afganasit ata kanë frikë, se mund të lihen në baltë."

Kështu që bisedimet e presidentit Obama me homologët e tij pakistanezë dhe afganë këtë javë në Uashington u shërbyen dy synimeve: dhënies së sigurisë Asif Ali Zardarit dhe Hamid Karzait se SHBA kanë dëshirë t'u qendrojnë në krah vendeve të tyre si ushtarakisht, edhe nga pikëpamja diplomatike dhe ekonomike. Nga ana tjetër synimi ishte edhe kërkimi i llogarisë për ndihmën e dhënë.