1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Valë të reja refugjatësh? Libia nuk do marrëveshje me BE-në

la/(dpa, Welt am Sonntag)6 Qershor 2016

Libia e kundërshton një marrëveshje me BE-në për refugjatët, ndërsa Austria planifikon të mbyllë rrugët e hyrjes në Europë përmes Mesdheut. Debati për refugjatët rindizet.

https://p.dw.com/p/1J0rI
Fajis al-Sarradsch Libyen
Fajis al-SarradshFotografi: Imago

Kryeministri i ri i Libisë, Fajis al-Sarradsh e ka refuzuar një ripranim të refugjatëve nga Europa, sipas modelit që BE-ja arriti me marrëveshjen BE-Turqi. „Ne nuk do të pranojmë që BE t'i kthejë emigrantët tek ne“, tha Seradsh për gazetën gjermane „Welt am Sonntag.“ (05.06) Europa duhet të gjejë rrugë për t'i kthyer refugjatët në vendlindjen e tyre. „Ata nuk mund të jetojnë tek ne“, thotë ai.

Për shkak të rritjes së mundshme të valës së refugjatëve nga Libia, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere kishte përmendur në prill mundësinë e zgjidhjes me një marrëveshje me Libinë, sipas modelit me Turqinë. „Mund të mendohet për qendra pranimi në Afrikën e Veriut“, ka thënë ministri i Brendshëm gjerman. Prandaj për të pasur një partner në bisedime, Perëndimi e mbështeti krijimin e një qeverie koalicioni në Libi, të dalë pas luftimeve të grupimeve të armatosura.

Drama e refugjatëve vazhdon. Vetëm të dielën (05.06) Gjysmëhëna e Kuqe ka informuar për gjetjen e 133 kufomave në qytetin Suvara, në brigjet libiane, shumica femra, të paktën 5 fëmijë. Sipas drejtorit, Al-Chamis al Bousafi personat nuk kanë pasur dokumente, por shumica mund të jenë persona që vijnë nga rajonet e Saharasë jugore. Aktualisht itinerari nga Afrika Veriore përmes Detit Mesdhe është më i përdoruri nga refugjatët që duan të hyjnë në Europë. Vetëm në 5 muajt e këtij viti kanë arritur në Itali , 366 anije të vogla e gomone me 47.940 vetë, njoftojnë mediat. Vetëm në javën e fundit në maj, erdhën 13.704 vetë. Ndërkohë numri i emigrantëve përmes Egjeut, nga Turqia na Greqi, ka rënë në 46 vetë në ditë. Kjo për shkak të mbylljes së itinerarit të Ballkanit.

Sebastian Kurz Österreich PK
Sebastian KurzFotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

Sebastian Kurz: Gomonet të kthehen në vendin e origjinis

Austria ishte vendi që këmbënguli për mbylljen e itinerarit në bashkëpunim me vendet e Ballkanit. Tani ky vend kërkon të bllokojë edhe rrugët detare. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz ka kërkuar që BE-ja të marrë masa frikësuese për njerëzit që duan të vijnë përmes Mesdheut në Europë. Gomonet kur kapen ose të kthehen mbrapsht në vendin origjinë, ose refugjatët të mbahen të izoluar në ishuj, si në Lesbos, kërkon ai. Qindra mijëra emigrantë që presin në Afrikën veriore duhet ta kuptojnë “shpëtimi nga rreziku në det të hapur, nuk do të thotë patjetër biletë për Europën Qendrore”, thotë Kurz për gazetën austriake, “Die Presse”. BE-ja duhet të bëjë të qartë se “kush tenton të hyjë ilegalisht në Europë, e ka humbur të drejtën për azil aty”.

Ministri i Jashtëm i Austrisë kërkon ngritjen e qendrave të OKB-së në vendet origjinë, dhe aty të shtrohen kërkesat për azil. Kurz kërkon që BE të marrë pjesërisht modelin e Australisë, vend ku nuk po shkojnë më emigrantë. “Pse? Marina australiane filloi një operacion të mbrojtjes së kufijve duke i kthyer njerëzit në vendin e tyre, ose në qendra në Nauru ose Papua-Guinean e re”, thekson ministri i Jashtëm austriak.