Vazhdojnë tensionet në kufirin gjeorgjian
5 Dhjetor 2008Nuk ka asnjë rrugë, që t´i çojë vëzhguesit e BE-së në Osetinë Jugore dhe në Abkazi. Për ta janë të mbyllur kufinjtë me këto dy provinca, të cilat janë shpallur të pavarura megjithë bëjnë pjesë në Gjeorgji. „Jo ne nuk mund të kalojmë në anën tjetër, sepse pengohemi nga osetët apo nga rusët", thotë diplomati gjerman Hansjürgen Haber, që drejton misionin nga Tbilisi. Në fakt zona e misionit e 200 vëzhguesve të paarmatosur përfshin të gjithë Gjeorgjinë, por trupat ruse i mbajnë të mbyllur kufinjtë me dy provincat, të cilat i kontrollojnë vetë.
„Ne jemi pranë dhe ne shkojmë shpesh në postblloqet e kontrollit dhe u themi: "Ne kemi të drejtë’ - dhe na refuzojnë. Ne këtë e quajmë ‚Politika e të trokiturit në derë‘. Kështu ne e bëjmë të qartë se mandati ynë vlen për të gjithë Gjeorgjinë edhe pse ne në moment nuk mund ta zbatojmë."
Tensionet me të mëdha janë në afërsi të kufinjve
„Sidomos njëqind metrat e fundit janë problematikë. Aty ka natën të shtëna, nga të clat askush nuk vritet apo plagoset, por që e trembin popullsinë civile. Vijnë njerëz që kalojnë kufirin dhe ulërasin apo qajnë."
Pamjet e luftës me shtëpi të shkatërruara i pa e gjithë bota. Në fakt shumica e refugjatëve janë kthyer, por rindërtimi në afërsi të kufirit vlerëson Haber nuk ecën edhe aq mirë, mungojnë ndihmat nga shteti. "Gjeorgjianët përqëndrohen momentalisht më shumë te refugjatët nga Osetia dhe Abkazia, të cilët nuk mund të kthehen më dhe më pak te popullsia, që kthehet në këto njëqind metrat e fundit. Dhe përveç kësaj ata i trembin me këto të shtëna, dhe ka raste, që kthehen përsëri në qytet në Tbilis apo në Gori."
Mosbesimi ndërmjet palëve është i thellë
Me 20 patrullime në ditë vëzhguesit e BE-së krijojnë një vizion të tyrin dhe konstatojnë gjithnjë se mosbesimi ndërmjet palëve është i thellë. "Nqs ndodh ndonjë incident në njërën nga anët e kufirit, atëherë vijnë me njëherë fajësimet nga ana tjetër, si të thuash si refleks. Ne duam, që të gjitha palët të ulen në një tryezë dhe të detyrohen të parashtrojnë fakte objektive, që edhe ne të na duken të bindëse."
Eshtë e vështirë por shumë e nevojshme, që policitë në të dyja anët të bashkëpunojnë, thotë drejtuesi i misionit.
Dhe si reagon popullsia civile ndaj vëzhguesve?
„Në pritje e përzemert. Popullsia civile për vite me rradhë ka parë vetëm luftëtarë të armatosur Besoj se është një kënaqësi që të shohin vëzhgues civilë të paarmatosur. Por natyrisht popullsia civile do të shohë rezultate dhe rezultati në rradhë të parë është gjendja e konsoliduar e sigurisë në ato rajone, që kufizohen direkt me kufinjtë administrativë."
Deri në shtatorin tjetër, kur përfundon mandati i vëzhguesve të BE-së, kështu shpreson Hansjërg Haber, gjendja mund të ishte stabilizuar në atë mënyrë, saqë zgjatja e misionit të mos jetë e nevojshme.