1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon dilema për eutanazinë në Itali edhe pas vdekjes së pacientes në koma

VFB11 Shkurt 2009

Fati i pacientes italiane, Eluana Englaro që ndodhej prej 17 vjetësh në gjendje kome në Itali gjen jehonë në shtypin gjerman të së mërkurës.

https://p.dw.com/p/GrMt
Demonstrues pro dhe kundër eutanazisë protestojnë përpara klinikës në Udine, ku ndodhej në koma Eluana Englaro, 09.02.2008Fotografi: AP

Pacientja 38 vjeçare ndërroi jetë të hënën pasi iu ndërpre ushqimi artificial. Fati i saj e ka përçarë thellë shoqërinë italiane. Deri në minutën e fundit qeveria donte ta ndalonte procedurën e eutanazisë përmes një ligji të shpejtë.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan: "Kjo dilemë nuk është fare e re. Edhe përpara pesëdhjetë apo njëqind vjetësh mjekët e kanë pasur të qartë, që dhënia e morfinës mund ta shkurtojë jetën e një të sëmuri për vdekje, e ndoshta edhe mund t´i japë fund asaj. Por mjekësia moderne, e në radhë të parë mjekësia e reanimacionit, e ka ashpërsuar ndjeshëm këtë problem. Kjo ka bërë që të shtyhen kufijtë e vuajtjes dhe ka mundësuar që pacientët në koma të flenë për vite me radhë. Ndërkohë që "përparimi" mund të konsiderohet edhe si "zgjidhje e problemit" - dhe në shumicën e rasteve si "përshpejtimi i zgjidhjes së problemit" - mjekësia e reanimacionit në rastet si ai i Eluana Englaro-s ka efektin në kah të kundërt. Kësisoj ajo e strapacon durimin tonë."


"Neue Osnabrücker Zeitung" komenton: "Ndërsa pacientja në koma Eulana Englaro ndërroi jetë, pacientja më e njohur në Itali prej kohësh trajtohej vetëm si një objekt. Fati i saj e ka përçarë vendin. Ata që janë kundër eutanazisë dhe ata që janë pro e kanë instrumentalizuar rastin e 38 vjeçares. Me zjarr në mbarë vendin u ndez debati për ndërprerjen e masave në ruajtjen e jetës. Debati juridik dhe politik, i lidhur edhe me grindjen për çështjet kushtetuese, mori përmasa jo dinjitoze. Tani duhet të shpresojmë, që politikanët e Italisë pas vdekjes së Eluana Englaro-s ta zhvillojnë më me profesionalitet diskutimin mbi mbrojtjen dhe dinjitetin e jetës së njerëzve me aftësi të kufizuara."