1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon kërkimi i të mbijetuarve

8 Prill 2009

Dy ditë pas tërmetit të rëndë në Abruco të Italisë numri i viktimave shtohet. Deri tani sipas autoriteteve janë regjistruar rreth 280 lëkundje pasuese të forcës deri në 4,8 ballë.

https://p.dw.com/p/HShU
Fotografi: AP

Dy ditë pas tërmetit të rëndë në Abruco të Italisë numri i viktimave, sipas të dhënave të Kryeministrit italian Silvio Berluskoni, ka arritur në mbi 260. Qyteti i prekur më shumë është L´Akuila, ku ekipet e ndihmës po vazhdojnë punën për gjetjen e të mbijetuarve, ose të trupave të viktimave nëpër rrënoja. Tërmeti në L´Akuila ka shkatëruar shumë shtëpi banimi, por edhe mjaft ndërtime të trashëgimisë kulturore.

Abruco, rajoni i goditur nga tërmeti i shkallës 6.3 në orët e para të mëngjesit të së henës (06.04) ndodhet në pjesën qendrore të Italisë. Territori i tij karakterizohet për praninë e vargmaleve të Apenineve si dhe për hapësirën e zonave fushore buzë detit. Kështu që rajoni ofron mundësi të ndryshme si për turizmin dimöror, ashtu edhe për atë veror.

L'Akuila, kryeqyteti i rajonit, i takon pjesës së brendshme malore, ndërsa qytete të tjera, si Teramo, Peskara dhe Kieti zhvillohen buzë detit Adriatik, pak kilometra larg nga brigjet ballkanike. Kështu që në rajonin Abruco ka një numër të konsiderueshëm imigrantësh, sidomos nga Gadishulli Ballkanik. Numri i tyre është afro 40 mijë, ndër ta rreth 6 mijë janë të mitur, shumë prej të cilëve shkojnë në shkollë.

Ekonomia e rajonit lidhet veçanerisht me sektorin e shërbimeve ndërkohë që sektori, ku imigrantët punësohen më shumë, është sektori i ndërtimit, i industrisë dhe i bujqësisë.

Basilica di Collemaggio in L'Aquila in Italien
Një nga ndërtimet mesjetare, kisha e shën Mërisë së CollemaggiosFotografi: by Andrea Marutti / nc / share alike cc 2.0

Qytetet njihen për qendrat e tyre historike dhe kulturore, me kisha, pallate të vjetra, muze, vende arkeologjike, kështjella. Me rëndesi janë gjithashtu parqet natyrore, ku ruhen lloje të rralla faune dhe flore. Ndër to, parku kombëtar i Gran Sasso-s dhe e Maielës

Rajoni është historikisht nën kërcenimin e tërmeteve, për shkak se vetë territori është formuar nga lëvizjet e pllakave tektonike të tokës. Dhe sipas bilancit të Mbrojtjes Civile (Protezione Civile) ky i fundit mund të vlerësohet si njëri prej tërmeteve më të fuqishëm të historisë. Epiqendra ndodhet në kryeqytetin L'Akuila, por dëme të rënda pësuan edhe qytezat e afërta. Fshatra të tëra janë shkatërruar.

Karte Erdbeben in L Aquila Italien 06.04.2009 für Englisch
Harta e zonës së tërmetit


Vazhdojnë me këmbëngulje kërkimet nën gërmadha

Sekretari i shtetit përgjegjës për Mbrojtjen nga Katastrofat, Guido Bertolaso, vlerëson punën e ekipeve të shpëtimit. "Ne kemi aktualisht mbi 1000 ndihmës të angazhuar, që bëjnë punë të ndryshme në qendrën historike të L´Akuilës dhe në fshatrat përreth. Urdhëri është që asnjë nga të mbeturit nën rrënoja të mos lihet vetëm edhe nëqoftëse nuk mund të jepet ndihmë e menjëhershme nga vënia në përdorim automjeteve te rënda për heqjen e rrënojave."

Përveç viktimave ka edhe shumë dëme në infrastrukturë, në rrjetin e qarkullimit rrugor, por edhe në trashëgiminë kulturore të rajonit. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, deklaroi ndër të tjera se do të bëhet një inventar i dëmeve në monumentet kulturore.

Ata që i mbijetuan tërmetit tani jo vetëm po vuajnë dhimbjen për humbjen e të afërmve dhe po vazhdojnë të kërkojnë me dëshpërim trupat e tyre nën gërmadha, por kanë mbetur edhe të pashpresë. Gjithkush e ka të qartë sa e vështirë do të jetë të kenë përsëri një shtëpi. Njihet situata e atyre, që kanë qenë të evakuar pas termeteve të tjera në rajone të ndryshme të Italisë. Pasi kanë kaluar vite ata ende presin që të realizohen premtimet nga ana shtetit për sa i përket financimit për ndërtimin e shtëpive të reja dhe ndërkohë banojnë në kushte të rënda në godina parafabrikate.

Silvio Berlusconi im Notcamp in L´Aquila
Kryeministri Berlusconi, në një kamp të improvizuar në LAkuilaFotografi: AP

Në Itali në rastet e tërmeteve të mëparshme janë konstatuar abuzime me fondet e ndihmave për rindërtimin. Politikanë përgjegjës ndihmat për rindërtimin ua kanë kaluar firmave të ndërtimit, që kanë pasur lidhje me kriminalitetin e organizuar. Ky është një shembull tipik tërheq vëmendjen historiania Emanuela Giudoboni: "Rindërtimi në zonat e prekura nga tërmetet ka qenë gjithmonë problematik në Itali. Zvarritja pafund e kohës së ndërtimit tregon, se në këto raste nuk veprohet sipas rregullave. Janë të paktë ata, që e dinë, se i vetmi rajon, ku konsiderohet tashmë e përfunduar puna e rindërtimit është Friuli në Veri i prekur nga tërmeti në vitin 1976."

Ndërkaq për të evakuaurit e Abrucos tani janë venë në disposicion më shumë se 800 hotele dhe vullnetarët e inkuadruar në organizata të ndryshme humanitare, si Kryqi i Kuq, Karitasi, etj, po mberrijnë në rajon dhe po japin kontributin e tyre duke bashkëpunuar me ekspertöt e Mbrojtjes Civile.
Shteti italian ka caktuar financime të posaçme për përballimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Rajonet e tjera janë aktivizuar me forma të ndryshme solidariteti. Po thirrja nga përgjëgjësit për ndihmën është që të dërgohen sa më shumë kontribute financiare. Kështu që po krijohet një rrjet me banka dhe firma të ndryshme për mbledhjen e donacioneve të qytetarëve.

Autor: Giovanna Nanci

Redaktoi: Angjelina Verbica