1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon kritika ndaj ish kancelarit Schröder

exh (dpa, rtr, spiegel)30 Prill 2014

A mund të bëhet kjo? Ish kancelari gjerman Schröder, festoi ditëlindjen e tij me Presidentin e Rusisë Putin. Pikërisht në mes të konfliktit të Ukrainës, dhe kur nga separatistët proruse mbahen peng ushtarakë gjermanë.

https://p.dw.com/p/1BrJX
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ish kancelari gjerman Gerhard Schröder (SPD) vazhdon të jetë në qendër të kritikave për shkak të festës me rastin e ditëlindjes së tij, organizuar në Shën Petërburg nga kompania Nord Stream dhe për shkak të përqafimit të përzemërt me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në foto: Christian Lindner
Në foto: Christian LindnerFotografi: picture-alliance/dpa

Kryetari i liberalëve gjermanë Christian Lindner (FDP) u shpreh se "ai nuk ka asnjë lloj mirëkuptimi" për këtë qendrim të ish kancelarit. "Si kancelar, edhe pas largimit nga posti vazhdon të kesh detyrime politike dhe morale, për të mbështetur politikën e jashtme të Gjermanisë dhe jo ta pengosh nga jashtë", tha Lindner për kanalin n-tv.

Takim i përzemërt me Putin në mes të krizës

Në mes të konfliktit të Ukrainës Schröder festoi së bashku me kreun e Kremlinit të hënën në mbrëmje në ish kryeqytetin e carëve, 70 vjetorin e tij. Banketi shtruar për nder të ish kancelarit nga kompania Nord Stream, ku Schröder ka kryesinë e këshillit mbikqyrës, nuk i pëlqeu aspak partisë konservatore gjermane CDU dhe zyrës së kancelares, të cilët u distancuan qartë nga ky qëndrim. Megjithatë në banket mori pjesë edhe zëdhënësi për politikë të jashtme i grupit parlamentar të konservatorëve (CDU/CSU) Philipp Mißfleder (CDU). Edhe ai u kritikua për pjesëmarrjen.

Në foto: Philipp Mißfelder
Në foto: Philipp MißfelderFotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri kristiandemokrat i Hessenit Volker Bouffier e akuzoi Schröderin se përqafimi i tij me Putinin ishte "mungesë takti". Putini ndjek një "politikë agresioni", tha politikani i CDU-së për gazetën "Frankfurter Neue Presse". "Unë pres që një ish kancelar të jetë i vetëdijshëm për përshtypjet që krijon diçka e tillë tek njerëzit. Në Ukrainë por edhe në Poloni dhe shtetet baltike, njerëzit jetojnë në frikë", u shpreh politikani kristiandemokrat.

Zëra në mbrojtje të ish kancelarit

Politikani socialdemokrat Ralf Stegner, tha për kanalin n-tv: "Shpresoj që Schröder ta ketë shfrytëzuar takimit për t'i thënë Putinit: kujdesu pak më shumë për lirimin e vëzhguesve të OSBE, të marrë peng".

Në foto: Ralf Stegner
Në foto: Ralf StegnerFotografi: AP

Ndërsa politikani tjetër socialdemokrat Erwin Sellering, kryeministër i landit Mecklenburg-Vorpommern, e mori në mbrojtje Schröderin: "Gerhard Schröder si kancelar ka dhënë një kontribut vendimtar për raportin e partneritetit mes Gjermanisë dhe Rusisë. Edhe aktivitete si banketi i fundit kontribuojnë që linja e bashkëbisedimit mes dy vendeve të ruhet edhe më tej."

Ndërkohë sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve ekziston një shpresë e re për lirimin e shpejtë të vëzhguesve të OSBE-së. Presidenti rus Putin tha të martën në mbrëmje për agjencinë Interfax se pret që të huajt të mund të largohen pa pengesë nga rajoni. Ndërkohë Moska ka theksuar në mënyrë të përsëritur se nuk ka asnjë ndikim ndaj separatistëve prorusë. Shefi i Kremlinit kritikoi qeverinë ukrainase që ka sjellë në vend ushtarakë perëndimorë. Për këtë Putin tha se ka biseduar edhe në takimin me ish kancelarin Gerhard Schröder të hënën në Shën Petërburg.