1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veçoritë e raporteve gjermano - franceze

Sabine Hartert-Mojdehi / Bahri Cani27 Prill 2012

Përpikmëria gjermane dhe mënyra franceze moskokçarëse - vlera të cilat gërshetohen mirë në raportet mes Parisit dhe Berlinit. Po a janë Franca dhe Gjermania një dyshe ideale në Evropë?

https://p.dw.com/p/14llw
Pamje simbolike: Das Brandenburger Tor dhe Harku i Triumfit në Champs-Elysees
Fotografi: picture-alliance/dpa/dapd/DW

Kur Pascal Thibaut përmallet për vendlindjen e vet shkon në një dyqan francez në Berlin dhe blen gjëra ushqimore. Vetëm atje mund të gjejë ëmbëlsirat nga fëmijëria e tij, thotë gazetari i cili prej 20 vjetësh jeton në Berlin. Ndërsa për drekë gjen atje ushqime tradicionale franceze. Thibaut konfirmon kështu një prej klisheve tradicionale gjermane për francezët dhe Francën: ushqimi i mirë, djathi dhe vera kanë një vlerë shumë të lartë për të jetuar si Zot në Francë. Këtë mendon edhe Céline Caro: Franca ka namin në Gjermani - si vendi i gastronomisë së mirë!

Ajo jeton në Gjermani prej 10 vjetësh dhe punon në një fondacion politik. Ndërkohë edhe familja dhe miqët e saj kanë mirëkuptim për të kur ajo flet me shumë dashuri për këto gjëra. Asaj i kujtohet mirë reagimi jo tepër i mirë e francezëve kur kishte vendosur të shkonte në Gjermani për studime. Tani që jam në Berlin francezët janë shumë të entuziazmuar. Berlini është momentalisht kryeqyteti më i bukur në Evropë, pohon ajo.

Dallimet "emocionale"

Gjermanët në anën tjetër janë të mendimit se Parisi është një vend përrallor, sepse këtu mund të gjesh "mendjelehtësinë e të qenurit". Thomas Bork, i cili për tetë vjet jeton me familje në Paris dhe punon në një sipërmarrje ndërkombëtare, thotë se imazhi pozitiv ka bazën tek botëkuptimet gjermane. Por pas fazës fillestare si turist edhe këtu duhet t'i kthehesh përditshmërisë.

"Gjermanët planifikojnë më shumë", thotë ai duke shtuar se sipërmarrjet franceze kanë ndoshta probleme me implementimin, por në anën tjetër kanë një fuqi të jashtëzakonshme në kreativitet dhe inovacione. Caro vlerëson shumë transparencën, komunikimin e strukturuar dhe atmosferën e punës në Gjermani. Por ajo edhe më tej mendon më shumë si franceze - spontanisht.

Christiane Deussen, drejtore në "Maison Heinrich Heine" në Paris thotë se nuk janë krejt të vërteta pohimet se francezët dhe gjermanët dallojnë shumë edhe nga ana emocionale. Në botën e saj të punës gjermanët janë ndonjë herë më pedantë dhe më të besueshëm ndërsa francezët më spontanë. Por ajo është kundër pohimeve se gjermanët në parim janë më eficientë. Christiane Deussen thotë se gjermanët dhe francezët plotësojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Kështu ka qenë gjithmonë.

Institucionalizimi i pajtimit gjermano-francez - Marrëveshja e Elysée-s në vitin 1963
Institucionalizimi i pajtimit gjermano-francez - Marrëveshja e Elysée-s në vitin 1963Fotografi: AP

Armiqët e dikurshëm - motor i Evropës

Raportet gjermano - franceze janë të shumëllojshme dhe me turbulenca historike. Kur kujton Luftën e viteve 1870/1871, Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë botërore, atëherë e sheh edhe tërë domethënien e pajtimit mes këtyre dy vendeve. "Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle kanë dhënë një kontribut të madh në komunikimin e sotëm dhe thellimin e raporteve mes këtyre dy vendeve", pohon Céline Caro.

Të dy vendet kanë kuptuar se "së bashku i kanë punët më mirë se sa të ndarë". Marrëveshja e Elysée-s nga vitit 1963 ka institucionalizuar pajtimin mes këtyre dy vendeve. "Me këtë pajtim janë bërë mrekulli", pohon Deussen. Ndërsa Petra Sigmund, zëdhënëse në ambasadën gjermane në Paris, është e mrekulluar me zhvillimin e raporteve mes Parisit dhe Berlinit.

"Vlera e marrëdhënieve gjermano-franceze është bashkëpunimi rreth shumë çështjeve për të cilat mendohet ndryshe", thotë ajo. Kërkimi i kompromiseve është një punë shumë intensive, por në fund gjithmonë gjendet një zgjidhje gjermano-franceze. Raportet mes Francës dhe Gjermanisë janë një model se si duhet të sillen edhe vendet tjera të Evropës, mendon Sigmund. "Çdo vend ka kulturën e vet politike dhe historinë. Ndaj secili vend duhet të ketë kujdes që këto të respektohen edhe në raportet me vendet tjera", pohon ai. Dhe sikur flet nga zemra e francezëve - sepse shumë prej tyre janë të pakënaqur me identifikimin e tepërt të presidentit Nicolas Sarkozy me sukseset gjermane.

Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer në Bonn, shtator 1962
Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer në Bonn, shtator 1962Fotografi: picture-alliance/ dpa

Respekt jo dashuri…

Raportet gjermano-franceze janë stabile por secili vend ka dhe interesat e veta. Ambasada gjermane në Paris ka bërë një anketë me pyetjen se si e shohin francezët Gjermaninë. Mbi 80 % prej tyre kanë mendim pozitiv për Gjermaninë. Por Thibaut thotë se "në Francë ka nga njëra anë një admirim për sukeset ekonomike të Gjermanisë, por në anën tjetër ekziston edhe një lloj xhelozie". Ngjashëm mendon edhe Bork i cili beson se francezët dhe gjermanët respektojnë njëri - tjetrin, por nuk e duan. Drejtorja e Heinrich Heine-s mendon se respekti është me rëndësi - përkundër konkurrencës dhe ndjenjave të inferioritetit. Por këto gjëra nuk duhet dramatizuar, pohon ajo.

… dhe interesat e mëdha

Dyshe e fortë në luftimin e krizës së euros - Merkel dhe Sarkozy
Dyshe e fortë në luftimin e krizës së euros - Merkel dhe SarkozyFotografi: dapd

Shumë francezë kanë të bëjnë me vendin fqinj - në politikë, ekonomi apo kulturë. Ata duan të dinë se se "funksionon Gjermania". Por edhe nga ana tjetër ekziston interesi për të kuptuar se si funksionon Franca. Baza e këtyre raporteve janë shkëmbimet dhe njohja mes vete në të gjitha shtresat e shoqërisë. Partneritet e panumërta mes qyteteve gjermane dhe franceze si dhe aktivitetet e të rinjve japin një shembull të mirë. Miqësitë e krijuara në këtë mënyrë mundësojnë edhe tejkalimet e dallimeve sa i përket përfytyrimeve për autoveturat, karnevalet apo botëkuptimet ndaj femrave.

Pascal Thibaut ka kryer pazaret në dyqanin francez në Berlin dhe ka ngrënë drekë në një restorant. "Do të paguani së bashku apo ndamas?", pyet kamarieri kur sjell llogarinë. Kamarieri në Francë nuk do të bënte kurrë një pyetje të këtillë.