1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendet e BE-së vendosin vetë për kontrollet në kufij

Christoph Hasselbach / Eliana Xhani8 Qershor 2012
https://p.dw.com/p/15AJd
Një makinë ukrainase hyn në BE-së në kufirin polako-ukrainas, Korczowa.
Fotografi: AP

Që prej 17 vjetësh në Evropë thuajse nuk ka fare kontrolle kufitare, falë marrëveshjes së Shengenit. Tani ajo do të reformohet: në rast nevoje vendet anëtare mund të rivendosin kontrollet në kufij.

Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një version të ri të marrëveshjes së Shengenit. Sipas tij shtetet mund të rivendosin kontrollet kufitare nëse shohin të kërcënuar funksionimin e hapësirës Shengen. Për këtë ranë dakord në një takim në Luksemburg ministrat e brendshëm të BE-së.

Rregulli i ri parashikon një "mekanizëm emergjence", sipas të cilit vende të veçanta anëtare mund të mbyllin kufijtë e tyre "si rruga e fundit", në rast se një tjetër shtet i BE-së nuk kontrollon si duhet kufijtë e tij të jashtëm dhe në rast se "kërcënohet në mënyrë të rëndë" siguria e brendshme e shteteve të tjera, që do të thotë: në rast se si pasojë hyjnë në BE një numër i madh migrantësh të paligjshëm. Koha maksimale për këtë masë do të jetë jo më shumë se dy vjet.

Friedrich: mekanizmi i emergjencës si "Ultima Ratio"

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich
Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter FriedrichFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU), deklaroi: "Të drejtën për të thënë fjalën e fundit e kanë natyrisht shtetet anëtare pasi ne jemi përgjegjës për sigurinë e qytetarëve tanë". Përdorimi i mekanizmit të emergjencës vihet në diskutim vetëm si mundësi e fundit, kur të gjitha të tjerat nuk funksionojnë, tha Friedrich. Ministri i Brendshëm gjerman e di se ka mbështetjen e homologëve të tij evropianë. "Ne nuk mund të pranojmë që dikush tjetër të vendosë për kontrollet në kufijtë tanë" tha ministrja e Brendshme e Zvicrës Simonetta Sommaruga, vendi i së cilës është në Shengen edhe pse nuk bën pjesë në BE.

Flukset e refugjatëve afrikanë shkak për ndryshimet në Shengen

Për reformën e Shengenit debatohet prej muajsh. Shkak për të u bë pranvera arabe një vit më parë, si pasojë e së cilës mijëra refugjatë nga Afrika veriore vërshuan në ishullin mesdhetar të Lampeduzës. Nërkohë që shumë prej tyre iu drejtuan Perëndimit nga Lampeduza, imigrantë të tjerë të paligjshëm dëprtuan përmes kufirit plot vrima mes Turqisë dhe Greqisë. Sipas të dhënave të qeverisë greke çdo vit në Greqi mbërrijnë 150.000 imigrantë të paligjshëm. "Situata në kufirin greko-turk tregon se kemi nevojë për një mekanizëm të qartë veprimi", u shpreh ministrja e Brendshme austriake Johanna Mikl-Leitner në Luksemburg.

Komisioni humbet betejën

Komisionerja e BE-së për sigurinë, Cecilia Malmström
Komisionerja e BE-së për sigurinë, Cecilia MalmströmFotografi: dapd

Me këtë projekt, i cili duhet të marrë edhe miratimin e Parlamentit të BE-së, ministrat e brendshëm i dhanë goditjen vdekjeprurëse kërkesës së Komisionit të BE-së për të pasur fjalën e fundit në vendimet për kontrollet kufitare. Komisionerja e BE-së për sigurinë Cecilia Malmström u ankua për dobësim të hapësirës Shengen: "Nëse na duhet të rivendosim kontrollet kufitare për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, atëherë ky duhet të jetë një vendim i përbashkët i BE-së dhe jo një vendim që mund ta marrë secili vend anëtar".

Malmström luftoi më kot që Komisioni të mbetej instanca e fundit vendimtare. Komisionerja ka përsëritur vazhdimisht se flukset e deritanishme të refugjatëve nuk mund të shihen në asnjë mënyrë si kërcënim i rendit publik. Malmström sheh të kërcënuar diçka tjetër, pikërisht lirinë e lëvizjes së personave në Evropë për shkak të abuzimit me mekanizmin e emergjencës. Shengeni është "një arritje evropiane" që duhet të mbrohet, deklaroi Malmström.

Komisioni i BE-së merr megjithatë një rol të fuqishëm përmes një procedure të re kontrolli, me të cilën me vizita me dhe pa paralajmërim kontrollohet në vendet anëtare zbatimi i rregullave të Shengenit.

Parlamenti Evropian kërcënon me padi

Shtetet anëtare dolën fitimtare në matjen e parë të forcave me Komisionin e BE-së. Por puna nuk mbaron me kaq. Shtetet ndoshta i kanë bërë llogarinë pa hanxhinë, Parlamentin Evropian. Ai ndihet shumë pak i përfshirë në procesin vendimmarrës dhe kërcënon me padi. "Ne propozojmë që Gjykata Evropiane të shqyrtojë përputhjen me ligjet përkatëse", deklaroi Mafred Weber nga grupi parlamentar kristiandemokrat.