1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendet e zonës së euros vendosin të shpëtojnë Greqinë nga falimentimi

22 Korrik 2011

17 vendet e euro-zonës ranë dakord për një strategji të përbashkët për shpëtimin e Greqisë dhe për stabilizimin e zonës së përbashkët. Për herë të parë në këtë çështje do të marrë pjesë edhe sektori privat.

https://p.dw.com/p/121VI
Kryeministri grek Giorgos Papandreou.
Giorgos Papandreou: Greqia mund të jetë e kënaqurFotografi: dapd

Të pakëtn 109 miliardë euro do t'i jepen Greqisë që të ketë mundësi ngadalë të shlyejë borxhin e madh prej rreth 340 miliardë euro. Bankat do të jenë të pranishme me një shumë prej 37 miliardë euro. Fondi europian i shpëtimit EFSF dhe FMN do t'i vënë në dispozion këto para Greqisë, por me një kamatë të ulët prej 3,5 për qind në vend të asaj që ishte deri tani 4,5 për qind dhe afati i shlyerjes së kredisë do të jetë deri në 30 vjet. Kryeministri grek Giorgios Papandreou vuri në pah dimensionin europian të programit të shpëtimit, por edhe rëndësinë për Greqinë.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.
...edhe Barroso i kënaqurFotografi: dapd

"Grekët janë një popull krenar"

"Ne jemi një popull krenar, ne jemi një popull kreativ dhe i zellshëm. Dhe kjo çfarë ne kërkojmë është e drejta e madhe për të kryer ndryshime të qëndrueshme në vendin tonë. Dhe ne do të zbatojmë programin tonë për këto ndryshime në mënyrë që vendi ynë të bëhet një vend i aftë për të jetuar, një vend i drejtë që të ketë zhvilim ekonomik dhe vende pune", theksoi kryeministri grek.

Edhe vende të tjera si Portugalia dhe Irlanda do të përfitojnë nga kushtet e reja të favorshme të kreditit. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso foli për zgjerimin e kompetencave të fondit të shpëtimit, EFSF: "Ne kemi rënë dakord për një reformë shumë ambicioze të fondit EFSF, e cila do ta bëjë atë më fleksibël dhe të efektshëm"

Kancelarja Angela Merkel.
Merkel: Gjermania luan një rol të rëndësishëm në ndihmaFotografi: dapd

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka lëvduar paketën e re të ndihmës për Greqinë si një vendim i rëndësishëm për të ardhmen e gjithë Europës. Vendimi do të thotë për njerëzit në Gjermani një siguri më e madhe për monedhën e përbashkët dhe për mirëqënien në përgjithësi, tha Merkel pas samitit. Euro është më shumë se vetëm një monedhë, ajo është një "shprehje e solidaritetit të madh europian". Në mes të kësaj "kohe të vështirë" vendet e euro - zonës kanë treguar se janë në gjendje për të vepruar.

Autor: Mimoza Cika - Kelmendi

Redaktoi: Bahri Cani