1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veshka me çmim të lirë - Biznesi me organet

Peter Hummel / Eliana Xhani1 Gusht 2012

Tregtia mbarëbotërore me organet lulëzon dhe sistemi është vështirë të kontrollohet. E sigurt është se të pasurit përfitojnë nga rrezikimi i jetës së të varfërve.

https://p.dw.com/p/15hXt
Tregtia e organeve në Pakistan - të varfërit shesin veshkat e tyre
Fotografi: picture-alliance/dpa

Viru është 12 vjeç dhe jeton në një fshat të vogël në Indi. Atje, tri orë në jug të Delhit, gjasat që një fëmijë të shitet janë të mëdha. 2500 rupie ka kushtuar Viru, rreth 38 euro. Qysh prej shitjes ai punon në një fabrikë ku qep çanta fallco Gucci. 200 të tilla në ditë duhet të qepë Viru, ndryshe ka probleme me pronarin e tij. "Kur të rritem do të bëhem i pasur", thotë Viru, "atëherë do të shes një nga veshkat e mia dhe nuk do të kem më nevojë të punoj këtu". Kështu ka vepruar edhe babai i tij, të cilin nuk e sheh prej tre vjetësh.

Në të vërtetë në lagjet e varfëra të qyteteve të mëdha të Indisë është përhapur fjala se ka një mundësi për të shpëtuar nga kthetrat e varfërisë. Rreth 55.000 rupie, ose 800 euro, vlen një veshkë në tregun e zi, për shumë indianë një pasuri e vërtetë. Vendi vërtet e ka ndaluar tregtinë me organe njerëzore dhe para disa vitesh dënimi u rrit nga dy në pesë vjet burg, por ai nuk ka efekt të fortë frikësues. Biznesi është shumë fitimprurës dhe rreziku për t'u kapur jo shumë i madh. Për më tepër që dhuruesi paraqitet si shok i përfituesit të organit dhe paratë e dhëna si dhuratë. Për këtë arsye një anketim i kryer nga një komision zyrtar qeveritar për motivet e dhurimit të organeve është më shumë një farsë.

Veshkat në Indi shiten me çmime të ulëta

Një veshtë indiane apo afrikane kushton rreth 1.000 dollarë, një veshkë nga Rumania apo Moldavia rreth 2.700 dollarë, një veshkë turke deri në 10.000 dollarë, në SHBA tregtarët e veshkave mund të fitojnë deri në 30.000 dollarë në një transaksion e nganjëherë madje dhjetëfishin.

Pamje nga salla e operacioni gjatë një transplanti
Mbjellja e organeve bëhet shpesh në rrugë të paligjshme - shumë kirurgë kërkohen me urdhër arresti ndëkombëtarFotografi: picture-alliance/dpa

Ekspertë të OBSH-së në vitin 2007 arritën në përfundimin se në të gjithë globin 5 për qind e të gjitha transplanteve bëhet me organe nga tregu i zi dhe në disa vende madje kjo praktikë predominon. Kjo do të thotë deri në 20.000 veshka çdo vit në të gjithë botën, pasi popullsia është në plakje. Aktualisht në Gjermani rreth 8.000 të sëmurë rëndë janë në pritje të një veshke të re, në të gjithë Evropën ky numër është 40.000. Në vitin 2011 në Republikën Federale janë kryer 2.850 transplante veshkash në rrugë të ligjshme.

Mafia e tregtisë së organeve

Në numrin e fundit të revistës "Der Spiegel" dokumentohet një rast, në të cilin një fabrikant gjerman ka marrë veshkën e një emigranteje ruse. Thënë ndryshe: historia se si të pasurit e sëmurë mund të zgjasin jetën e tyre në kurriz të të varfërve. "Këto janë struktura mafioze", thotë redaktori i Spiegel-it Steffen Winter. "Mjeku, i cili ka kryer operacionin në rastin e dokumentuar prej nesh, është aktiv në shumë vende, ka kryer tashmë 4.000 transplante veshkash dhe kërkohet me urdhër arresti ndërkombëtar.“

Tregtia me organet, shfrytëzimi i paskrupullt i shpresës nga njëra anë dhe e mungesës së perspektivës nga ana tjetër, është një biznes miliardësh. Organizata "Organs Watch" e përshkruan marrësin tipik për shembull në SHBA, Izrael, Arabinë Saudite apo Australi si 48,1 vjeçar, mashkull, me të ardhura vjetore 53.000 dollarë. Dhuruesi tipik vjen nga India, Kina, Moldavia ose Brazili, është 28,9 vjeçar, mashkull dhe me të ardhura vjetore 480 dollarë.

Mjekët fluturojnë në të gjithë globin dhe mbjellin organe të dhuruara kudo ku është e mundur pa kontrolle të mëdha. Kur dikur një spital në Afrikën e Jugut apo Brazil zbulohet, kirurgët shkojnë në vendin tjetër, tregojnë rezultatet e hulumtimeve të Spiegel-it. Aktualisht janë veçanërisht të preferuara klinikat në Qipro dhe Kazakistan.

Të dënuara në të gjithë botën

Rezoluta SHA63.22 e OBSH, e vitit 2010, përmban 11 parime themelore për dhurimet e organeve mbi baza vullnetare dhe pa pagesë. Tre vjet më parë 150 ekspertë dhe përfaqësues qeverish nga e gjithë bota patën miratuar Deklaratën e Stambollit kundër tregtisë së organeve dhe turizmit me qëllim transplanti. Edhe Këshilli i Evropës dhe Shoqata Ndërkombëtare e Mjekëve e dënojnë tregtinë me organe.

Në Gjermani ajo dënohet sipas ligjit për transplanin me deri 5 vite burg, edhe për marrësin e organit. Kjo vlen edhe kur mbjellja e organit bëhet jashtë Gjermanisë. Organet e dhuruara nga persona të gjallë janë të lëjuara vetëm nëse bëhen mbi baza vullnetare dhe kur personat e prekur kanë lidhje familjare apo emocionale të ngushta me njëri-tjetrin, thuhet në Fondacionin Gjerman për Transplantin e Organeve.

Günter Kirste nga bordi i Fondacionit Gjerman për Transplantin e Organeve
Günter Kirste nga bordi i Fondacionit Gjerman për Transplantin e OrganeveFotografi: picture-alliance/dpa

Günter Kirste, nga bordi i Fondacionit Gjerman për Transplantin e Organeve, flet për një formë të poshtër shfrytëzimi : "(...) Janë mijëra njerëz në Pakistan apo Filipine që kanë dhuruar veshkat e tyre kundrejt pagesës dhe që janë në gjendje të mjerë shëndetësore."

Për Virun, djaloshin nga India që qep çanta fallco, kjo nuk ka rëndësi. Ai thotë: "Me paratë që do marr do të ndërtoj një shtëpi dhe nuk do më duhet të punoj më." Ai ende nuk e di se kjo ëndërr është joreale dhe ndoshta edhe e rrezikshme për jetën.