1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm emri ka ndryshuar

Bernd Riegert13 Dhjetor 2007

Krerët e shteteve dhe të qeverive të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të nënshkruajnë sot në Lisbonë traktatin për reformën në Bashkimin Evropian, e cila do të përbëjë bazën e punës në këtë bashkim

https://p.dw.com/p/CbCY
Lizbonë
LizbonëFotografi: AP

Traktati i zë vendin kushtetutës së synuar, e cila u refuzua në referendumet në Francë dhe Holandë në vitin 2005. Kryesia portugeze e radhës në BE negocioi në tetor një kompromis për traktatin dhe këmbëngul tani që marrëveshja të nënshkruhet solemnisht në Lisbonë. Por ç'përmban ajo dhe ku qëndrojnë dallimet kundrejt projektkushtetutës fillestare?

'Kemi vendosur binarët për një bazë të re të përbashkët të Bashkimit Evropian. E kemi tejkaluar ngecjen në vend. Në fund nuk ua zhgënjyem besimin njerëzve. E shmangëm ndarjen.'

Kështu u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel si kryetrare e atëhershme e radhës në Bashkimin Evropian pas samitit vendimtar, dramatik në qershor. 27 krerët e shteteve dhe të qeverive arritën vetëm me shumë vështirësi të hartonin dhe të merreshin vesh për dy marrëveshje për Bashkimin Evropian. Njëra do të përcaktojë parimet. Tjetra sanksionon mënyrën e punës në bashkim. Marrëveshje ka rëndësi para së gjithash për ato shtete, të cilat nuk janë ende anëtarë të këtij klubi. Sepse pa traktat të ri as shtetet e Ballkanit e as Turqia nuk kanë shance për anëtarësim, siç shpjegoi që në vitin 2006 Jo Leinen, kryetari i komisionit për kushtetutën:

'Parlamenti Evropian nuk do të pranojë zgjerim të ri në rast se nuk bëhemi me traktat kushtetute. Anëtarësimi i Rumanisë dhe i Bullgarisë është vendosur, por këto do të jenë vendet e fundit që hyjnë me anë të traktatit të Nicës. Në rastin e Kroacisë, të Maqedonisë dhe të të tjerëve do të jetë shumë, shumë e vështirë. Besoj se kjo është leva për të arritur megjithatë sukses në lidhje me kushtetutën.'

Dallimet në përmbajtje midis traktatin dhe projektkushtetutës së varrosur nuk janë shumë të mëdha, vetëm emri ka ndryshuar.