1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170309 Terrordrohung Pakistan Afghanistan

18 Mars 2009

Kohët e fundit po shpeshtohen kërcënimet terroriste të El Kaidës në gjuhen gjermane. Hetuesit e zyrës federale të kriminalistikës janë të alarmuar.

https://p.dw.com/p/HEbu
Tre burra të mbuluar që lëshojnë mesazhe ekstremiste islamike.
Mesazh ekstremist islamik i lëshuar me video më 28 janar 2009. Video 26 minutëshe i kërkon myslimanëve të mbështesin palestinezët në Gaza.Fotografi: AP

Edhe shtatë vjet pas marrshimit të SHBA-së në Afganistan grupi terrorist i El Kaidës nuk ka heshtur. Përkundrazi, udhëheqësi i tij Osama bin Laden, jep akoma mesazhe në video. Ai, jo vetëm që kërcënon me sulme në të gjithë botën, por kërcënon edhe njerëzit e tij, që kanë gjetur strehë në rajonin kufitar me Pakistanin. Hetuesit gjermanë janë të alarmuar, sepse gjithnjë e më shpesh mesazhet kërcënuese formulohen në gjuhën gjermane. Javën e fundit u shfaq sërish një videofilm.

Tre luftëtarë talibanë në një kodër në Xhalalabad.
Luftëtarë talibanë në një kodër në Xhalalabad, 2001Fotografi: picture-alliance/ dpa

Gjithnjë atëherë, kur shfaqet një video e re terroriste në gjuhën gjermane, ekspertët e zyrës federale të kriminalistikës bëhen posaçërisht të vëmendshëm. Kështu edhe para dy javësh, kur dëgjuan për kërcënimin e lëshuar në internet. „Vendosni më në fund për jetën pas vdekjes, largohuni prej gjërave të ulta“,

Kështu fillon videoja e fundit në gjuhën gjermane, në të cilën dy burra bëjnë thirrje për sulme terroriste. Siç i konfirmoi Zyra Federale e Kriminalistikës studios radiofonike të ARD-së në Azinë Jugore, videoja që ekziston që prej fundit të shkurtit, është analizuar. Burrat duhet të jenë vëllezër gjermano-marokenë nga Boni. Nuk është e para video në gjuhën gjermane për këtë vit. Që në janar është shfaqur ky mesazh: „Që të hidhem në erë për Allahun, është dëshira ime që prej vitit 1993.“

Osama bin Laden dhe Aiman el Zawahiri
Televizioni arab Al-Xhazira transmetoi më 5.10.2001 një video ku shfaqet Osama bin Laden dhe Aiman el Zawahiri në një kamp të El Kaidës.Fotografi: picture-alliance / dpa

Ky burrë është i njohur nga autoritetet - Abu Talha - i quajtur „gjermani“. Ka gjasë që ai të jetë një anëtar drejtues i grupit terrorist El Kaida. Ty dy videofilmat, thotë Zyra Federale e Kriminalistikës, janë përgatitur në zonën kufitare në mes Pakistanit dhe Afganistanit, atje ku talibanët dhe terroristët e El Kaidës tërhiqen pas sulmeve të tyre dhe kanë kampet e trajnimit.

Qindra burra me fytyra të mbuluara rrinë ulur në tokë, të gatshëm për të vdekur, thotë mesazhi, në luftë kundër, siç shprehen ata, të pafeve nga perëndimi. Edhe kjo video vjen nga zona kufitare Afganistan-Pakistan. Kjo nuk është rastësi, thotë eksperti për talibanët, Ahmed Rashid. "Të gjitha sulmet e mëdha terroriste në të gjithë botën vijnë nga zona kufitare ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit, të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë në një moment të caktuar në Pakistan."

A janë këto video kërcënuese në rradhë të parë propagandë dhe zhurmë, apo rrezik, që duhet marrë seriozisht? Siç i konfirmoi Zyra Federale e Kriminalistikës studios radiofonike të ARD-së në Azinë Jugore, Gjermania ndodhet në listën e terroristëve islamistë, por aktualisht nuk ka shenja konkrete për sulme. Shpesh terroristët gjermanfolës përpiqen ta vënë nën presion qeverinë gjermane në vitin e zgjedhjeve parlamentare. Ashtu si edhe në videon e janarit.

„Nëqoftëse gjermanet janë naivë, gjë që nuk ma merr mendja, dhe mendojnë se si vendi i tretë për nga prezenca e trupave do të dalin pa u dëmtuar, atëherë politikanët gjermanë janë gabimisht në parlament.“ Në praktikë është ndryshe. Tani qeveria gjermane sapo ka vendosur të dërgojë edhe 660 ushtarë të tjerë në Hindukush.

Autor: Carsten Vick / New Delhi (NDR) / Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama