1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Viktimat pa kurrfarë zhdëmtimi

17 Prill 2012

Shoqata e të burgosurve dhe të persekutuarve politik shqiptar në Maqedoni për shkak të mos zgjidhjes së statusit të tyre, kanë vendosur ta padisin shtetin. Ata përmes padive individuale do të kërkojnë kompensim material

https://p.dw.com/p/14f9I
Fotografi: Makfax

Shoqata e të burgosurve dhe të persekutuarve politik shqiptar në Maqedoni (SHBPPSH) ka ngritur iniciativë për të paditur shtetin për shkak të statusit të tyre të pa zgjidhur edhe pas dy dekadave të pluralizmit politik. Iniciativa bazohet në dy rezolutat e Këshillit të Evropës për kërkim falje për viktimat e komunizmit. Kryetari i shoqatës së të burgosurve dhe të persekutuarve politik shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani thotë se deri më tani parlamenti i Maqedonisë ka miratuar vetëm një rezolutë në vitin 2006 me të cilën u kërkohet falje viktimave të sistemit monist por jo edhe zhdëmtimi i tyre. “Që atëherë asgjë nuk ka lëvizur sa i takon këtij propozim ligji, për fat të keq propozim ligji nuk u fut as në komisionin për sistem politik e lëre më të përgatitet tereni për një debat në parlament. Ne kemi të drejtë morale që ta padisim shtetin”, shprehet Shpëtim Pollozhani.

Profesori i të drejtës kushtetuese Osman Kadriu vlerëson se të burgosurve dhe të persekutuarve politikë u është cënuar e drejta njerëzore për zhdëmtim. Sipas tij, ka disa forma juridike përmes të cilave ata do të mund të realizojnë të drejtë për zhdëmtim. “Kërkesa e shoqatës është një kërkesë shumë aktuale, shumë me vend, e qëndrueshme dhe vlerësoj kërkesë juridikisht e qëndrueshme”, thotë Osman Kadriu.

Të dëmtuarit kërkojnë kompensim edhe për pasojat psiko-fizike

Në qoftë se dikujt i kërkohet falje për padrejtësi dhe për krimin që i është bërë atëherë i dëmtuari logjikisht duhet të zhdëmtohet, vlerëson Halide Palloshi arsimtare e dënuar politikisht si nacionaliste dhe separatiste në vitet e 80-ta. Pas shumë përpjekjeve për ta definuar statusin e të burgosurit politik, një qëllim i tillë nuk u arrit , andaj zonja Palloshi përkrah dhe individualisht do ta padis shtetin. Më këtë padi kërkohet kompensim material si dhe: “pranimi i përvojës së punës gjatë kohës së qëndrimit pa punë, kompensim për pasojat psiko-fizike, për dëmtime dhe persekutime të ndryshme”.

Në mesin e anëtarëve të shoqatës ka persona që kanë humbur edhe shpresën e fundit se një ditë ata do të justifikohen juridikisht nga padrejtësia që u është bërë.“ E njëjta do të mbes, nuk dua lëmoshë prej askujt, më fshini emrin. Mëshira ka vdekur për ne”, me plot emocion shprehet Zejnepe Ibrahimi ish e persekutuar.

Nuk përjashtohet mundësia që të drejtën e zhdëmtimit Shoqata e të burgosurve dhe e të persekutuarve ta kërkojë edhe në Gjykatën ndërkombetare të Strasburgut. “Këto padi do të shkojnë mirë të paketuara edhe në Strasburg që ta detyrojnë edhe faktorin ndërkombëtar që t'ia imponojë Maqedonisë këtë problem si zgjidhje”.

Sipas kryetari të shoqatës Shpëtim Pollozhani, padia e parë ndaj shtetit pritet të formalizohet në fillim të shtatorit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti