1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vite të shpërblyera mundimi - Largimi nga vendlindja i kthyer në shans dhe jo në brengë

18 Shtator 2011

"Nuk ishte e lehtë të futeshe në rrjedhën gjermane!" - Mjekja Arta Tahiri ka mbërritur aty ku donte në jetë

https://p.dw.com/p/12U0H
Arta TahiriFotografi: DW

Është ora të e mëngjesit të së dielës, 3. Korrik. Pas shërbimit të natës në klinikën e gjinekologjisë të spitalit Felbert të Vupertalit, mjekja Arta Tahiri kthehet në shtëpi. Edoni dhe Beni, dy djemtë tetë dhe pesë vjeç, sapo dëgjojnë zilen, si gjithmonë vrapojnë me padurim drejt derës. Për Arta Tahirin fillon një turn tjetër, ai familjar.

Nata që sapo kaloi ka qenë e qetë, thotë ajo, vetëm një lindje. Por Arta Tahiri ka përjetuar edhe netë të tjera: "Ka netë të tmerrshme, kur vetëm apo me kolegen dhe nuk ia dalim dot, punojmë gjithë naten, dhe të nesërmen në mëngjes jemi të rraskapitura, mezi pret të shohësh shtratin."

"Nuk ishte e lehtë të futeshe në rrjedhën gjermane!"

Arta Tahiri, ka lindur në Strugë dhe ka ardhur para dhjetë vitesh në Gjermani. Asokohe nuk dinte as gjuhën gjermane, dhe nuk e njihte aspak Gjermaninë. Me vete kishte vetëm diplomën e mjekësisë së Universitetit të Tiranës. Arta kujton: "Në Gjermani më solli dashuria, miku im jetonte këtu, nuk e kisha paramenduar të mësoja gjermanishten nga e para, kam qenë në Angli dhe Amerikë. Nuk ishte e lehtë, duhej të mësoja gjuhën, të ballafaqohesha me vështirësitë, do të më pranojnë të punoj në spital apo jo, duhej të njihja rregullat e shtetit gjerman. Para dhjetë vitesh kur kam ardhur unë në Gjermani, nuk ishte e lehtë të futeshe në rrjedhën gjermane."

Arta Tahiri
Fotografi: DW

E megjithatë, Arta guxon të nisë kalvarin e gjatë të futjes në sistemin gjerman të mjekësisë. Arrin të japë provimin shtetëror, madje për të mbledhur përvojë pune, punon një vit pa rrogë në një spital gjerman, ndjek rregullisht seminare në universitet, kurse specializimi, mbledh dëshmi pune nga profesorë mjekësie që vërtetojnë aftësimin e saj për të punuar në mjekësi.

Vite të shpërblyera mundimi

Udha e specializimit shkon paralel me një udhë tjetër, atë familjare. Arta në këto vite lind të dy djemtë, dhe shpeshherë i duhet të mësojë në kohën kur më i vogli, Beni fle. Në ditë të veçanta edhe në bibliotekë. "Kam dhënë maksimumin tim", kujton ajo.

Pas vitesh pune të vazhdueshme rruga hapet. Në vitin 2008 Arta nis punën në klinikën universitare të Vupertalit, dhe punon aty deri para një viti. Në vitin 2010 ajo shkon në një klinikë tjetër, në Felbert për të përfunduar specializimin si gjinekologe.

Arta Tahiri
Fotografi: DW

Kemi mentalitet ndryshe nga gjermanët

Në një ambient pune me mjekë gjermanë Arta ndjehet e barabartë. Sigurisht që ka dallime, thotë ajo, por nuk ndjej të më trajtojnë si të huaj. "Botëkuptimet janë të ndryshme, duhet ta njohësh taktin dhe sjelljen e gjermanëve, të dish të tregosh atë që di, ne shqiptarët jemi më direktë dhe më gjaknxehtë, edhe tonin normal të diskutimit e kemi pak si më të lartë, ashtu i presim edhe pacientët. Gjermanët kanë një ton ndryshe nga ne. Për të mbërritur tek mirëkuptimi fillimisht duhet të mënjanohen keqkuptimet, e mira është që kam gëzuar gjithmonë simpati nga ana e mjekëve. Imtësirat e vogla i kam diskutuar gjithmonë veçmas për t'i sqaruar."

Mjeke, bashkëshorte, nënë. Për Arta Tahirin të gjitha këto role janë të mundura të jenë pranë njëra-tjetrës në harmoni vetëm me ndihmën e bashkëshortit të saj.

"Çdoherë them që kam fat që kam një bashkëshort punëtor që më ndihmon, se nuk do ishte e mundur, fëmijët unë as nuk mundem t'i dërgoj, as nuk mundem t'i marr nga shkolla e çerdhja. Kur mbaroj unë punën, shkolla është mbyllur. Edhe kujdestaritë e natës nuk do mund t'i bëja dot. Mundohem në ditë të rri disa orë me fëmijët, por vetëm nuk do ishte e përballueshme."

Arta Tahiri
Fotografi: DW

Mbërritja në stacionin e dëshiruar

Arta Tahiri ka mbërritur aty ku donte në jetë. Largimin nga vendlindja ajo e ka kthyer në shans dhe jo në brengë. Vendimin e marrë para dhjetë vitesh për të ardhur në Gjermani nuk e vë në pikëpyetje. "Jo, nuk do të korrigjoja asgjë, unë kam marrë përvojën time, ne shqiptarët kemi qenë gjithmonë të ethshëm të përfitojmë nga vendet e tjera që kanë përparuar. Unë vetëm kam marrë njohuri dhe dituri të reja. E shoh shumë pozitive këtë që kam bërë deri më tani."

Për Artën, Gjermania nuk është Struga me kulisën piktoreske të liqenit dhe diellin e jugut. Por rrënjët e reja në këtë vend ajo i ka hedhur. Ende nuk e thotë dot fjalën e fundit, nëse Gjermaninë do ta quante një atdhe të dytë, por: "Po bëhet megjithëse s'jemi të vetëdijshëm, për fëmijët e mi Gjermania është atdhe. Këta rriten këtu, ndjehen si në vendin e vet. Sigurisht që familja na mungon jemi vetëm, por mbi 50% do të thosha është bërë atdheu i dytë, ndjehem pa komplekse, me njerëz e miq. Ky është ai dallimi, në fillim ndjehesha e huaj, ndërsa tani ka vite që ndjehem e integruar."

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora