1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e ministrit të jashtëm Meta në Preshevë

12 Mars 2010

Meta: Jam absolutisht i bindur që Lugina e Preshevës do të jetë një burim stabiliteti.

https://p.dw.com/p/MRfO
Fotografi: DW

I shoqëruar nga duartrokitjet dhe ovacionet e qytetarëve të shumtë, zëvendëskryeministri shqiptar dhe ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, ka arritur sot pasdite në Bujanoc. Diplomati shqiptar me të zbritur nga automobili i tij, nuk ka fshehur emocionet për vizitën e parë në zonat e banuara me shqiptarë në këtë pjesë të Serbisë. "Jam shumë i lumtur që jam në Bujanovc, që isha në Preshevë dhe jam absolutisht i bindur që Lugina e Preshevës do të jetë një burim stabiliteti," tha ai.

Zv/kryeministri Meta ka shafqur bindjen në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si rrjedhojë e përmirësimit të marëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë, me orientim të përbashkët hyrjen në BE. "Koha e konflikteve dhe e diskriminimeve mbi baza etnike besoj se është lënë pas njëherë e përgjithmonë dhe të gjithë do të punojmë të angazhohemi në mënyrë që të gjithë qytetarët e Bujanocit, të Preshevës, të Medvegjës dhe kudo tjetër të jenë qytetarë të lirë. Jo vetëm kaq, por edhe të jenë qytetarë që të gëzojnë një jetë të standardeve evropiane edhe nga aspekti ekonomik dhe social dhe njëkohësisht të ruajnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor," u shpreh Meta.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, vizitën e Ilir Metës e ka quajtur si historike, duke e cilësuar si një mbështetje për bashkëkombasit nga shteti amë. "Është pra kënaqësi e veçantë që për herë të parë në komunën e Bujanocit, në përgjithësi në Luginën e Preshevës sot kemi vizitën e zëvendëskryeministrit shqiptar që shënon një frymë të re së pari në marrëdhëniet midis dy shteteve, por natyrisht që do të ketë refleksione pozitive edhe në pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne besojmë se kjo nuk do të jetë vizita e parë dhe e fundit dhe se këto marrëdhënie do të intensifikohen në drejtim të një bashkëpunimi më të mirëfilltë me shtetin amë, si në sferën e kulturës por edhe në sfera të tjera, jo vetëm politike por natyrisht edhe të zhvillimit ekonomik," tha Kamberi.

Ministri serb i pushtetit lokal, njëkohësisht dhe kryetar i Trupit Koordinues të qeverisë serbe, Milan Markoviq, ka shfaqur optimizmin se klima e re e marrëdhënieve midis dy shteteve do të reflektohet pozitivisht në Luginën e Preshevës.“Bashkëpunimi midis dy vendeve tona në shumë sfera do të ndihet edhe për popullatën e jugut të Serbisë,“ është shprehur Markoviq.

Gjatë qëndrimit dy ditor në Serbi, përveç takimeve në Luginën e Preshevës, zv.kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte qëndruar edhe në Beograd, ku kishte takuar krerët më të lartë të shtetit serb, me ç'rast ishin nënshkruar edhe disa marrëveshje bilaterale.

Autor: Jeton Ismaili

Redaktoi: Elert Ajazaj