1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Rede Türkei

7 Prill 2009

Linja e Obama-s për respektin reciprok në marrëdhëniet me botën islamike karakterizoi edhe vizitën e tij në Turqi. Falë demokracisë së saj laike Turqia është e ankoruar në perëndim.

https://p.dw.com/p/HRnr
Presidenti amerikan Barack Obama para parlamentit në AnkaraFotografi: AP

Në fjalimin e tij gati gjysmë orësh drejtuar deputetëve të Asamblesë së Përgjithshme në Ankara, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ashtu siç pritej, theksoi rolin global të Turqisë si partnere e Perëndimit në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare si dhe rëndësinë e saj gjeostrategjike. Himnet e lëvdatave për mikëpritësit e tij fituan kredibilitet, sepse Obama kërkoi prej tyre edhe që të pranojnë kapitujt e errët të historisë. Gjithashtu ai kërkoi rihapjen e seminarit të priftërinjve të kishës greko-ortodokse në Stamboll, si dhe ndërmarrjen e hapave të guximshöm për zgjidhjen e çështjes armene. Megjithatë duke folur për përndjekjen dhe vrasjen e qindra mijëra armenëve gjatë deportimeve në Luftën e Parë Botërore Obama, ndryshe nga deklarimet e tij në fushatën elektorale, iu shmang akuzës për "genocid", gjë që është hedhur poshtë kategorikisht prej Turqisë. Ai siguroi mbështetjen e plotë të SHBA-së në përpjekjet e fundit, që po bëhen për afrimin mes Ankarasë dhe Erivanit.

Obama jo pa qëllim përcaktoi Turqinë si destinacion të vizitës së tij të parë shtetërore përtej oqeanit Atlantik. Mesazhi i tij më i rëndësishëm ndaj Turqisë ishte që ajo ka zënë vendin e saj në botën perëndimore me demokracinë e saj laike si amaneti i themeluesit të republikës Mustafa Kemal Atatjurk. Lidhjet mes Turqisë dhe Evropës konsistojnë jo thjeshtë tek dy urat mbi Bosfor. Obama theksoi në këtë kontekst edhe larminë kulturore dhe etnike të Evropës si "një burim force", që lidhet me pranimin e rëndësisë në rritje të fesë islame në politikën botërore. Kësisoj SHBA "nuk janë në luftë me islamizmin". Përkundrazi partneriteti me islamizmin i bazuar në respektin reciprok ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ai dërgoi mesazhin e tij edhe në adresë të fqinjëve të drejtpërdrejtë të Turqisë: Irani duhet të zgjedhë mes mirëqenies për popullsinë iraniane dhe armëve.

Duke iu referuar çështjes së organizatës militante separatiste kurde, PKK, Obama ka një tjetër këndvështrim nga evropianët, sepse ai e konsideron atë të krahasueshme me rrjetin terrorist të El Kaidës. Të dyja këto organiaza sipas Obama-s kanë për qëllim që të përçajnë Irakun me aksionet terroriste. Ndaj SHBA-ja do të mbështesë luftën kundër terrorizmit të PKK-së. Por kjo nuk do të thotë që deklarata duhet të nënkuptohet prej Turqisë si një karta biankë (carta bianca) për konfrontimet me kurdët, tërhoqi vëmendjen Obama, duke shtuar se dhuna nuk mund të jetë mjeti i vetëm kundër ekstremizmit, shumë më i rëndësishëm është në këtë kontekst edhe përmirësimi i gjendjes materiale të njerëzve.

Me prezantimin e tij në Turqi indirekt Obama i demonstroi edhe Evropës, se si duhet të sillesh me këtë vend islamik, i cili në shumë fusha qëndron në anën e Perëndimit. Pikërisht për shkak të interesave të përbashkëta vendet e BE-së do të bënin mirë, që të mos shfrytëzonin çdo rast për të vënë në pikëpyetje përkatësinë e Turqisë në familjen evropiane. Sado realist apo jorealist qoftë anötarësimi i Turqisë në BE i preferuar prej SHBA-së, Obama dha një shembull të mirë se komunikimi me Turqinë duhet të jetë si midis të barabartëve.

Autor: Baha Güngör/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica