1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cyber Russland

28 Tetor 2010

Ky krim, ndodh pa zhurmë, pa u dukur. Ai është aq i padukshëm sa janë edhe bits dhe bytes në internet. Kriminaliteti në hapësirën virtuale është në rritje, dhe duket se në Rusi është zgjeruar në mënyrë të veçantë.

https://p.dw.com/p/PqwP
„Group-IB Cyber Crimes Investigations“
„Group-IB Cyber Crimes Investigations“Fotografi: Peter Sobolev

Kriminelët e internetit, futen në sistemet e të tjerëve, manipulojnë kompjutera privatë, vjedhin sekretet e firmave, numrat e llogarive, fjalët- kyçe, informacionet e kartave të kredive.

Ata shihen si mercenarë të botës moderne të kompjuterit. Ata sulmojnë më synim të qartë përdoruesit privatë të internetit, bankat dhe firmat e çdo lloji dhe të çdo madhësie. Qëllimi është vjedhja e sekreteve të firmave, manipulimi i kontove ose paralizimi i faqeve të internetit. Të gjitha këto bëhen me porosi të klientëve që paguajnë mirë.

San Petërsburgu është kryeqyteti i freaks-ave rus të internetit. Çdo vit ata takohen këtu në konkursin më të madh të hacker-ave që zhvillohet në vend, atë që quhet „Chaos Constructions“.

Konkursi më i madh i hacker-ave që zhvillohet në Rusi- „Chaos Constructions"
Konkursi më i madh i hacker-ave që zhvillohet në Rusi- „Chaos Constructions"Fotografi: Peter Sobolev

Një sallë e madhe e errët. Dhjetra të rinj janë ngulur mbi laptop-et e tyre. Ajri është i rëndë. Pjesëmarrësit duhet të futen në sisteme që janë realizuar ekstra për këtë aktivitet. Profesionistët e teknologjisë së informacionit, kërkojnë gabimet në sistemin e sigurisë. Dy ditë resht, pa gjumë. Ata vetë nuk flasin me dëshirë për punën e tyre. Informacionet i jep organizatori Anton. "Nëse flisni me një nga këta djem në rrugë, me siguri nuk do të dini për çfarë të flisni. Këta janë njerëz shumë të mbyllur, që interesohen vetëm për botën e kompjuterave."

Një prej këtyre djemve të këqinj e takojmë në Moskë. Ai quhet Alex, është në mes të njëzetave, me mantel të ti dhe syze dielli. Ai më merr me vete në një nga sulmet që bën si hacker.

Kjo ndodh në makinë. Alex-i dhe miqtë e tij hacker-a gjejnë dhe futen në rrjete interneti pa kabëll që ndodhen në rrethinat e qytetit, dhe prej atje përpiqen të vjedhin kontot -online të një banke ruse. Aksioni zgjat gati një orë dhe përfundon pa sukses. Sepse banka lëshon alarmin dhe bllokon disa transfera të manipuluara parash. Hacker-i Alex nuk e prish gjakun: "Rreziku që të kapesh është aktualisht shumë i vogël. Ne kërkojmë nëpërmjet një rrjeti të huaj pa kabëll. Do kohë deri sa policët të vijnë deri këtu. Prej këtu ne mund të largohemi shpejt. Janë të tjerë ata që i sjellin paratë tek ne në dorë."

Numri i kriminelëve në interneti si Alex-i ka arritur në Rusi rreth 20 mijë. Puna është e vështirë, thotë Alex-i, të rrish dhjetë orë në rrjet, të provosh prodhime të reja elektronike dhe programe kundër viruseve, të ndjekësh lajmet e fundit në sektorin e teknologjisë së informacionit. Herë pas here të bësh sulme pa përfitime, por për sport, për të mbetur në formë.

Konkursi më i madh i hacker-ave që zhvillohet në Rusi- „Chaos Constructions"
Konkursi më i madh i hacker-ave që zhvillohet në Rusi- „Chaos Constructions"Fotografi: Peter Sobolev

Alex-i nuk punon i vetëm. Ai është pjesë e një bote të organizuar ilegale. Takimi bëhet në forume interneti. Atje kriminelët ofrojnë shërbimet, atje marrin dhe porositë. Gjysma e sulmeve drejtohen ndaj objektivave që ndodhen në BE, Kanada dhe SHBA. Vrasje ndërgjegjeje nuk kanë, thotë Nikita Kislizin. Ai është kryeredaktor i revistës ruse „Hacker“

"Ata mendojnë: Unë nuk kërcënoj kërkënd me thikë. Unë vetëm tërheq para në monëdhë të huaj, nga kontot e njërëzve të panjohur. Për raste të tilla paguajnë sigurimet."

Zilja e alarmit në një firmë sigurie në internet, e grupit IB në Moskë. Një klient është duke u sulmuar. Firmat në Rusi nuk i besojnë policisë, thotë 24 vjeçari Ilja Sachkov, shef i firmës. "Menjëherë me thirrjen e klientit ne nisemi. Policia nuk i merr seriozisht gjëra të tilla dhe vjen pas 30 ditësh."

Ekipi ruan klientët nga sulmet dhe kërkon dorasit me ndihmën e teknikave speciale. Të gjitha informacionet i jepen klientit. Pastaj ai njofton policinë. Ose nuk e bën as këtë.

Për shkak të mangësive të teknikës dhe të personelit, policia ruse e internetit mund të ndjekë vetëm një pjesë të vogël të krimeve në internet. Edhe kur hacker-at kapen, dënimi është i ulët. Korrupsioni në gjykata dhe në polici janë një nga arsyet pse krimi në i internet lulëzon në Rusi.

Autor: Roman Schell/ Aida Cama

Redaktoi: Dr. Pandeli Pani