1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Votë e urtësisë për të ardhmen e vështirë, por të sigurtë evropiane

Niko Anagnosti18 Qershor 2012

Demokracia e re mund të formojë qeverinë me socialistët. Radikalët e majtë të SYRIZA dalin të dytët dhe kalojnë në opozitë.

https://p.dw.com/p/15Gwh
Fotografi: AP

Çështje orësh dhe jo ditësh është formimi i qeverisë së re në Athinë pas zgjedhjeve të djeshme të dyta parlamentare, që nxorën fitimtarë konservatorët e Demokracisë së Re të Andonis Samaras me 29.66 % dhe 129 vende, të cilët mund të krijojnë qeveri dhe vetëm me socialistët e gatshëm me 12.28% dhe 33 vende. Radikalët e majtë të partisë SYRIZA të Aleksis Cipras, që paten për flamur shfuqizimin e memorandumit, shtuan gjithashtu me rreth 10% forcat e tyre, por erdhën të dytët me 26.89 % dhe 71 vende dhe vihen në rolin e partisë së parë opozitare. Partia neonaziste dhe raciste Hrisi Avgji me 6.89 % dhe 18 vende ruajti forcat e saj dhe hedh rrënjë në skenën politike greke.

Antonis Samaras i gëzohet fitores
Antonis Samaras i gëzohet fitoresFotografi: Reuters

Perëndinë e urtësisë Athinanë duket se dëgjuan në zgjedhjet e djeshme të 17 qershorit grekët modernë, duke votuar për rrugën e vështirë, por të sigurtë të qëndrimit në euro. Dhe jo atë të ndëshkimit, Apollonin, siç bënë një muaj më parë, ndaj socialistëve, por edhe konservatorëve të Samarasë, që tani mund të shkaktonte falimentimin dhe daljen nga eurozona. “Populli grek votoi për rrugëtimin evropian të Greqisë dhe mbetjen tonë në euro”, deklaroi kreu i Demokracisë së Re, Andonis Samaras, i cili u premtoi bashkëqytetarëve të tij “politika zhvillimi për dalje nga kriza me drejtësi sociale dhe siguri ”, por edhe partnerëve evropianë “respektim të firmave” për detyrimet, që rrjedhin nga memorandumi dhe marrëveshja e kreditimit. Samaras tha, se nuk duhet humbur kohë dhe ftoi të gjitha forcat politike për krijimin e një “qeverie të shpëtimit kombëtar”.

E majta Demokratike: “Verdikt popullor kundër veprimeve të njëanshme të shfuqizimit të memorandumi"

Fjalët e matura të kreut Samaras, që foli për “integrimin e politikave shtesë të zhvillimit” dhe jo për rishikim të memorandumit, siç deklaronte në fillim të fushatës elektorale, por edhe mungesa e entuziazmit për fitoren e qartë, megjithëse njëkohësisht “premtoi dalje nga kriza”, flasin qartë për momentin kritik, në të cilin ndodhet vendi dhe nevojën e menaxhimit të tij vetëm me përgjegjësi dhe realizëm politik. “Do të punojmë, që vendi të përftojë qeveri të qëndrueshme dhe efikase, me program progresiv dhe figura kredible”, deklaroi kreu i partisë së majtë E majta Demokratike, Fotis Kuvelis, që me 6.25% dhe 17 deputetë, në qoftë se hyn në qeveri bëhet një aleat i çmuar i saj. Zgjeron bazën e saj sociale dhe i jep dhe penelatën e majtë, që do ta bëjë sigurisht më të qëndrueshme. Kuvelis nuk humbi rastin t'i kujtojë së majtës radikale, partisë simotër SYRIZA, se verdikti i popullit ishte i qartë kundër “veprimeve të njëanshme, që do të vinin në rrezik qëndrimin e vendit në Eurozonë dhe në Bashkimin Evropian”, pra kundër angazhimit programatik për shfuqizimin e njëanshëm të memorandumit me troikën.

E majta ngjall reagimet e para për “qëndrim jo konstruktiv”

Symbol Euro oder Drachme Parlamentswahl Krise Griechenland
Fotografi: AP

Por e majta radikale (SYRIZA) duke ardhur e dyta me 26.90% dhe 71 vende, pas Demokracisë së Re me 29.66 % dhe 129 vende, siç theksoi kreu i saj Aleksis Cipras shumëfishoi forcat brenda një muaji, duke shënuar “një arritje unikale politike në historinë më të re të Evropës”. Ajo përbën “trungun e shumicës anti-memorandum të popullit grek” dhe nga kjo pozitë paralajmëroi për opozitë “të përgjegjshme dhe luftarake” dhe se masat e “kursimeve dhe të tjetërsimit të pasurisë kombëtare nuk do të avancojnë se u mungon legjitimiteti popullor”. “Propozimi ynë për përmbysjen e memorandumeve të kursimeve në Evropë përbën zgjidhjen e vetme të qendrueshme jo vetëm për grekët, por edhe për popujt e tjerë të Evropës”, deklaroi Cipras duke ngjallur dhe reagimet e para për qëndrim jo konstruktiv dhe injorim të verdiktit të popullit. “Nuk është e mundur që kreu i opozitës të vejë në dyshim menjëherë rezultatin e zgjedhjeve indirekt, të thotë praktikisht se 27 përqindëshi nuk do të lejojë 50 përqindëshin e mundshëm të dy partive të koalicionit qeveritar për të marrë masat e tyre programatike”, thotë Kostis Haxhidhaqis, nga kuadrot më të spikatura të konservatorëve.

Analisti grek Cakirogllou: “I pritshëm” rezultati dhe “rrjedhojë i presionit të madh të brendshëm dhe të jashtëm”

Qeverisë së re i duhet të ndërmarrë sa më parë një erashkë reformash strukturore dhe kursimesh shtesë, të mbushë arkat bosh të shtetit jo vetëm me këstet e ndihmave të kushtëzuara, por kryesisht nga të ardhurat fiskale, që nuk mund të frenojnë recesionin aktual -6-7 % dhe papunësinë galopante pa politika zhvillimi. Këto gjëra nuk mund të bëhen, sigurisht pa tensione politike dhe sociale, ose siç thuhet ndryshe “pa thyer vezë nuk mund të bëhet omëletë”, ku për opozitën ofrohet një fushë veprimi e favorshme. “Do të luajë në një mënyrë mjaft dinamike dhe do të përpiqet të frenojë pasojat e politikës së memorandumit dhe nga ana taktike do të përpiqet të kompromentojë forcat kundërshtare për ndryshimin e memorandumit se kjo gjë nuk mund të bëhet”, i thotë DW analisti grek Tasos Cakirogllu, i cili rezultatin e zgjedhjeve e vlerëson ndërkohë si të “pritshëm” dhe “rrjedhojë i presionit të madh të brendshëm dhe të jashtëm mbi elektoratin se çdo zgjidhje tjetër do të ishte katastrofë”.

“Rezultati është një frymëmarrje dhe për Evropën, që do të lehtësojë veprën e qeverisë së re”

Kryetari i SYRIZA-s Alexis Tsipras duke votuar
Kryetari i SYRIZA-s Alexis Tsipras duke votuarFotografi: AP

Formimi i qeverisë, që ishte edhe nga premtimet elektorale të konservatorëve të Samarasë, ka të gjarë që të arrihet qe sot dhe vetëm me bashkëpunimin e socialistëve të Venizellos, që së bashku sigurojnë 152 vende dhe, siç tha kreu socialist, “nuk do të lemë vendin pa qeverisur”. Venizellos, partia e të cilit u ristriktua dhe më tepër në krahasim me zgjedhjet e para një muaji, mori pas kushtin e pjesëmarrjes edhe të së majtës radikale në skemën qeveritare. Qendrueshmeria e një skeme të tillë do të jetë një pikëpyetje e vazhdueshme, sipas analistit grek, për shkak të thellësisë së krizës dhe ashpërsisë së masave të parashpallura të memorandumit të dytë. Por këto zgjedhje, sipas tij, janë “një frymëmarrje për elitën politike evropiane dhe bankat”. “Evropa do të japë disa alibi ndaj cilësdo qeveri greke, që do të formohet, në kuptimin se do të marrë një shtyrje për një ose një vit e gjysëm, përsa u përket obligimeve dhe të mos kompromentohen kështu forcat politike, që e kishin bërë këtë pjesë të programeve të tyre politike”, thekson analisti grek për të shtuar se përjashtohet një pjesëmarrje e së majtës, që do të kapitalizojë fitoren e saj, duke u organizuar si “i vetmi pol radikal i majtë me sens anti-memorandum”.

Partia neonaziste dhe raciste Hrisi Avgji rrënjoset në skenën politike greke

Fitorja e forcave proevropiane nuk duhet të sfumojë dhe dy zhvillime negative: Mospjesëmarrjen në zgjedhje, që arriti në gati 40% nga 34.9% të 6 majit, por edhe rrënjosjen në skenën politike të partisë neonaziste dhe raciste Hrisi Avgji (Agimi i Artë), që ruajti forcat me 6.92% dhe 18 vende. “Forca si Hrisi Avgji janë instaluar edhe në sistemin politik evropian këtu e shumë vjet dhe pikëpamjet e tyre neonaziste dhe raciste, që ushqehen nga kuadri i pasigurisë dhe frikës, gjejnë terren dhe në shoqërinë greke. Këtë fenomen duhet ta shohim me sinqeritet, me rrënjë e taban dhe ta përballojmë si një tjetër sfidë”, përfundoi analisti grek.