1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Votimi me postë në Gjermani

Anna Peters / Angjelina Verbica4 Shtator 2013

Në zgjedhjet parlamentare secili ka mundësinë të dërgojë fletëvotimin e plotösuar me postë. Një shërbim për votuesit, që megjithatë ngre rrezikun për manipulime.

https://p.dw.com/p/19br9
Fotografi: Fotolia/VRD

"Në qytete e Gjermanisë 30 për qind e elektoratit përdorin ndërkohë votimin me postë, në qytetet e mëdha ndonjëherë edhe më shumë", thotë politologu Norbert Kersting i Universitetit të Marburgut. "Kjo ka të bëjë edhe me faktin se ne jemi bërë më individualistë dhe duam që t'ia lehtësojmë vetes pjesëmarrjën në politikë", shpjegon Kersting popullaritetin e votimit me postë në një intervistë me Deutsche Welle. "Në Zvicër për shembull votimi me postë u fut për herë të parë në vitin 1990. Sot në disa qytete gati 90 për qind votojnë përmes postës."

Një shërbim i kontestuar

Votimi me postë në Gjermani është praktikuar që në vitin 1957. Zgjedhësve, të cilët në datën e zgjedhjeve ndodhen jashtë shteti, apo që për arsye shëndetësore nuk mund të shkojnë në lokalin zgjedhor, u mundësohet në këtë mënyrë votimi. Deri në vitin 2008 aplikimi i votimit përmes postës duhej të argumentohej me shpjegime si sëmundje, apo mungesë. Që atëherë secili vendos vetë për mënyrën se si do të votojë.

Një ofertë, që e shfrytëzon shumëkush. Por ka edhe zëra kritikë. Rolf Grëschner jep filozofi ligjore dhe të Drejtë Publike në Universitetin e Jenës. Ai është shumë skeptik në lidhje me rritjen e popullaritetit të votimeve postare: "Atë që ka të bëjë me ne të gjithë, duhet të jetë publike." Me fjalë të tjera, zgjedhjet duhet të zhvillohen në në një lokal zgjedhor publik dhe jo në shtëpi. Aty mund të ndodhin lehtë manipulime, nga bashkëshorti, apo miqtë, të cilët mund të preferojnë një parti krejt tjetër.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Një studim në Britaninë e Madhe në vitin 2000 vërtetoi, se në votimin postar ndodhin më shpesh manipulime. Kështu ka pasur një numër të tërë rastesh, kur fshehtësia e votimit nuk është ruajtur, duke u votuar për shembull bashkarisht në klube, thotë Kersting. Në një situatë të tillë mund të krijohet trysnia e grupit, që pengon vendimin individual dhe të lirë në zgjedhje. Por është dëshmuar edhe një efekt pozitiv. "Pjesëmarrja më e lartë ishte në të rrethe, që ishin zona të pastra zgjedhore me votim postar", thotë politologu Kersting.

Pavarësisht nga skepticizmi dhe rreziku i manipulimit Rolf Grëschner nga Universiteti i Jenës e konsideron të nevojshëm votimin në mungesë. "Ne duhet të sigurohemi për shkak të gjeneralitetit të zgjedhjes se çdokush, që dëshiron të votojë, të mund të votojë."

Përfundon afati i fundit për gjermanët jashtë vendi

Votuesit jashtë shteti duhet të regjistrohen deri me datën 1 shtator 2013 në regjistrin e votuesve në qendrën e tyre të banimit, për të patur mundësinë që të votojnë në Gjermani. Formulari i nevojshëm për këtë mund të merret në ambasadat dhe konsullatat gjermane, si edhe në faqen e internetit të drejtuesit federal të zgjedhjeve Website des Bundeswahlleiters. Gjermanët jashtë vendit përveç votimit postar, kanë mundësinë të shkojnë direkt në ambasadë për të votuar.