1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020511 Bin Laden Porträt

Esther Saoub/Elert Ajazaj2 Maj 2011

Shefi i terrorit Osama Bin Laden ka vdekur; këtë e bëri të ditur sot presidenti amerikan Barack Obama. Ndërkohë kjo u konfirmua edhe prej shërbimit të fshehtë pakistanez ISI.

https://p.dw.com/p/117XT

Kushdo e njihte atë, por gati askush nuk e ka takuar ndonjëherë: "Terroristi më i rrezikshëm në botë", siç e quanin amerikanët, lë pas një pamje stereotipe: çallma, fytyra e hollë e errët dhe sytë e butë, mjekra e rrallë. I njohur ishte edhe zëri i tij (prej mesazhesh të panumërta pamore dhe zanore, në të cilat i paraqiste politikanët perëndimorë si hipokritë:

Osama Bin Laden kishte një përfytyrim të ngurtë dhe ishte kokëshkretë në lidhje me të mirën dhe të gabuarën, të drejtën dhe të padrejtën, përfytyrim që nuk mund të tronditej prej asgjëje. Ai kishte paratë dhe fuqinë bindëse për të bërë për vete dhe për të fituar për këtë përfytyrim mijëra vetë.

Djali i një prej sipërmarrësve më të pasur të ndërtimit në Arabinë Saudite u bë që 15 vjeç njëri nga drejtuesit e perandorisë familjare të biznesit. Paralelisht ai studioi inxhinieri ndërtimi. Në vitin 1982 Bin Laden shkoi me porosi të shërbimit të fshehtë saudit në Afganistanin e pushtuar prej sovjetikëve, për të ndërtuar rrugë furnizimi, sisteme tunelesh dhe fortifikime për lëvizjen e rezistencës së muxhahedinëve. Ai financoi ndërtimin e disa kampeve stërvitore për luftëtarë vullnetarë nga bota myslimane. Kur u kthye në Arabinë Saudite në fillim të viteve nëntëdhjetë dënoi publikisht praninë e trupave amerikane në vendin e tij, i quajti ato "dhunim për vendet e shenjta" dhe kërkoi ngritjen e një teokracie. Në fund ai u përzu nga vendi dhe humbi shtetësinë, megjithatë pjesën në sipërmarrjen e ndërtimit të të atit e mori me vete. Fillimisht u vendos në Sudan, por kur SHBA-ja arriti dëbimin e tij, u kthye në Afganistan. Atje themeloi bashkë me mjekun egjiptian Aiman al-Zawahiri rrjetin "Al Kaida" - shqip: "baza". Al Kaida planifikoi sulme në Jemen, Somali dhe në Arabinë Saudite; dhe në fund në SHBA.

Në një video të publikuar më vonë Bin Laden kërkonte mbështetje për një prej sulmeve terroriste më të rënda në histori: shkatërrimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju-Jork dhe sulmin ndaj Pantagonit më 11 shtator 2001. Sipas të dhënave zyrtare në të vdiqën rreth 3.000 vetë.

Ky sulm terrorist ishte në të njëjtën kohë sinjali për start i luftës ndërkombëtare kundër terrorizmit: tre muaj më vonë aleanca ushtarake nën drejtimin e SHBA-së dhe me mandat të OKB-së rrëzoi regjimin e talibanëve në Afganistan. Osama Bin Laden u ndoq, por nuk u kap. Herë pas here shefi i terrorit paraqitej me anë të videos ose audiove, lexonte mesazhet e tij gjithnjë të njëjta për të ashtuquajturën "luftë të shenjtë kundër të pafeve ose lavdëronte atentatorët islamistë, të cilët kryenin në emër të tij sulme në Londër, Madrid apo Irak.

Rob i bindjes së tij fetare fanatike Osama Bin Laden nuk zgjodhi luksin në Arabinë Saudite, u përpoq të jetonte në shkretërirën e Afganistanit aq me besnikëri sipas kuranit sa ç'e kuptonte ai dhe iu përkushtua luftës kundër të gjithë atyre, që nuk kishin këto pikëpamje.