1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet një polic, dy të tjerë plagosen rëndë

Fatos Musliu / Shkup26 Nëntor 2008

Një polic është vrarë, ndërsa dy të tjerë janë plagosur, njëri shumë rëndë gjatë sulmit të armatosur mbi një patrullë policore në orët e pasditës në oborrin e fakultetit matematikoro-natyror në Shkup.

https://p.dw.com/p/G2fA
Shkup
ShkupFotografi: Macedonian Information Agency
Ndaj patrullës së njësitit policor Alfa është gjuajtur nga një automobil në lëvizje në të cilin kanë qenë katër persona të maskuar, bëjnë të ditur burime nga policia. Incidenti i armatosur ka ndodhur para fakultetit të matematikës ku ka patur një grup të madh studentësh. Disa prej tyre kanë qenë dëshmitarë okularë të rastit tragjik. "Disa persona të maskuar gjuajtën me armë automatike. Të shtënat zgjatën rreth 30 sekonda. Më pas automobili me shpejtësi të madhe u largua nga vendi i ngjarjes," thotë një studente.

Polici i vrarë është Afrim Arifi 39 vjeç, anëtar i njësitit special policor ALFA. Dy policët tjerë, identitetet e të cilëve për momentin nuk dihen janë plagosur rëndë dhe gjenden në spitalin kirigjik në Shkup.

" Pacientët janë pranuar në spital me plagë të rënda dhe në gjendje shoku, ku u konstatuan plagë me armë zjarri në pjesën e qafës, barkut dhe ekstremiteteve, e më pas janë transferuar në qendrën intensive, " ka deklaruar zëdhënësja e spitalit të Shkupit, Sonja Stoshiq. Gjithnjë sipas saj gjendja shëndetësore e policëve të lënduar është në rrezik të lartë.

Do t`i godasim kriminelët, thotë Jankullovska

Ministrja e punëve të brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulovska ka thënë se janë marrë të gjitha masat për tu kapur ata që kanë kryer këtë akt makabër. "Ne nuk do të lëshojmë pe ndaj presioneve dhe kërcënimeve të grupeve kriminele. Ne do të vazhdojmë me aksionet tona për t`i goditur bandat e kriminelëve që veprojnë në Maqedoni," ka deklaruar ministrja Jankullovska.

Të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Shkupit janë bllokuar nga patrullat policore, të cilat janë në kërkim të personave që kryen këtë akt të shumtuar.