1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet numri dy i Al Kaidës

28 Gusht 2011

Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se kanë vrarë në Pakistan numrin dy të rrjetit terrorist Al Kaida, libianin Atijah Abd al-Rahman. Vrasja e tij është quajtur një grusht i rëndë për rrjetin Al Kaida.

https://p.dw.com/p/12P3B
Al Rahmani raportohet i vrarë nga SHBA
Al Rahmani raportohet i vrarë nga SHBAFotografi: AP

Atijah Al - Rahmani konsiderohej pas vrasjes së shefit të Al Kaidës, Osama bin Laden, si numri dy i këtij rrjeti terrorist, njoftojnë mediat amerikane. Ai është vrarë ditën e hënë, gjatë sulmeve të avionëve amerikanë pa pilot në Vaziristan të Pakistanit, në pjesën kufitare me Afganistanin. Autoritetet amerikane kanë deklaruar për televizionin FoxNews dhe gazetën «New York Times» se vrasja e numrit dy të Al Kaidës paraqet një goditje të rëndë për këtë rrjet terrorist, sepse Al - Rahmani konsiderohej si një prej organizatorëve kryesorë të sulmeve terroriste.

I vështirë për zëvendësim

Al - Rahmani ka pasur kontate shumë të afërta edhe me Osama bin Ladenin, merret vesh nga qarqet e shërbimeve sekrete amerikane. Nga dokumentet e kapura pas vrasjes së bin Ladenit bëhet e ditur se Al Rahmani ishte një bashkëpuntor i sigurt i ish- shefit të Al Kaidës.

"Kombinimi i aftësive dhe përvoja e Al Rahmanit ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për Al Kaidën. Zëvendësimi i tij nuk do të jetë fare i lehtë", deklaroi një nëpunës amerikan.

Sipas burimeve amerikane, Al - Rahmani i është bashkangjitur rrjetit terrorist dhe  është afruar me Bin Ladenin që i ri. Vlerësohet se ai ishte rreth 30 vjeç dhe llogaritej si ekspert për mjete shpërthyese. Ai ishte i deleguari i Bin Ladenit për raporte me Iranin dhe ka pasur për detyrë të rekrutojë terroristë të rinj. Gjithashtu ka qenë i ngarkuar edhe me transferimin e mesazheve të Bin Ladenit për udhëheqësit e degëve të rrjetit terrorist në vendet tjera.

Detajet e vrasjes nuk publikohen

Autoritetet e Pakistanit lëshuan në tetor të vitit të kaluar një kumtesë ku njoftohej për vrasjen e Al - Rahmanit. Por këto të dhëna nuk janë konfirmuar kurrë.

As kësaj radhe nuk janë bërë publike detajet e vrasjes ditën e hënë të Al-Rahmanit. Mediat amerikane bëjnë të ditur se muajt e fundit ka pasur sulme të pandërprera me avionë pa pilot ndaj vendstrehimeve të terroristëve në pjesën kufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit, e cila konsiderohet si një prej bastioneve të kryengritësve. Pas vrasjes së Bin Ladenit, Al - Rahmani ishte ngjitur në pozitën dy të Al Kaidës. Udhëheqës i këtij rrjeti është kirurgu nga Egjipti, Aiman al-Sawahiri.

Autor: Bahri Cani (dpa/bdt)

Redaktoi: Auron Dodi