1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuçiq në Zagreb: "Nuk jam çetnik"

13 Shkurt 2018

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po zhvillon një vizitë dy ditore në Kroaci. Ai dërgoi mesazhe paqe, por rezervat janë tepër të mëdha.

https://p.dw.com/p/2sa6i
Der serbische Präsident Aleksandar Vucic, links, und seine kroatische Kollegin Kolinda Grabar Kitarovic in Zagreb, Kroatien
Fotografi: picture-alliance/D.Bandic

Në prag të vizitës së Vuçiqit në Zagreb ka pasur mosmarrëveshje shumë të mëdha mes Serbisë dhe Kroacisë. Është folur për snajperistë dhe forca të mëdha sigurie gjatë kësaj vizite, mundësinë e protestave të mëdha dhe incidenteve apo ofendimeve. Shumë media komentonin këtë atmosferë të nxehtë, sikur lufta të kishte përfunduar dje. Raportet mes Kroacisë dhe Serbisë janë ftohur dukshëm pas largimit nga pushteti të ish-presidentëve Ivo Josipoviq dhe Boris Tadiq.

Para gazetarëve presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq tha se Vuçiqin e ka ftuar në Kroaci për të ndërprerë shkallëzimin e konfliktit retorik mes dy shteteve, që ka shkallëzuar kohët e fundit për shkak të një ekspozite për llogorin e ushtashëve në Jasenovac, të cilën e ka organizuar misioni i Serbisë në OKB.

„Për shumë çështje nuk jemi dakord, por në disa vende kemi afruar mendimet, e në disa të tjera do të vazhdojmë bisedimet. Kemi rënë dakord se do të vazhdojmë bisedimet. Kemi rënë dakord që sa më parë të zgjidhin çështjen e të zhdukurve. Zoti Vuçiq dhe unë do të bisedojmë me shoqatat e të pagjeturve“, tha Grabar-Kitaroviq, e cila e quajti si temë me prioritet fatin e gati 2000 serbëve dhe kroatëve, të cilët ende llogariten si të zhdukur.

Serbischer Präsident Aleksandar Vucic in Kroatien Proteste in Zagreb
Fotografi: picture alliance/AA/Stringer

Problemi me kufirin

„Qëndrime të ndryshme kemi edhe sa i përket kufirit. Kroacia mendon se problemi duhet të zgjidhet mbi bazën e librave kadastrale, ndërsa Serbia mendon se çështjet kontestuese duhet të zgjidhen mbi bazën e ligjeve. Do të përpiqemi që këtë problem ta zgjidhim me bisedime bilaterale. Nëse nuk është e mundur, do të shkojmë në arbitrazh", theksoi Aleksandar Vuçiq. Palët presin që ky problem të zgjidhet në kuadër të negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse Brukseli nuk dëshiron që sërish të ketë probleme të ngjashme, si ato mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

Vizita e Vuçiqit në Zagreb dhe takimet me Grabar-Kitaroviq si dhe kryeministrin Andrej Plenkoviq kanë treguar se Kroacia dhe Serbia kanë dallime të mëdha në politikën e jashtme. Plenkoviq ka paralajmëruar se pala kroate duhet të hapë edhe çështjen e dëmshpërblimit për dëmet e bëra gjatë luftës. Vuçiq në prag të takimit ka deklaruar se do të ishte më mirë sikur pala kroate të mos hapte këtë temë. Takimi Vuçiq-Plenkoviq është majtur pas dyerve të mbyllura, ndaj nuk dihet se çfarë është biseduar. Vuçiq tha se në takim është përmendur edhe kjo temë, por nuk dha detaje.

Demonstruesit kërkojnë që Vuçiq të kërkojë falje

Mbetet të shihet nëse procesi i filluar i bisedimeve do të vazhdojë me tone pozitive, sepse shumë demonstrues në Zagreb kanë kërkuar që Vuçiqi të kërkojë falje për krimet e bërë serbe në Kroaci si dhe për deklaratat e tij gjatë viteve 90-të. Në vitin 1995 ai u kishte premtuar serbëve në Glinë se ata kurrë nuk do të jenë pjesë e Kroacisë. Të gjithë mendojnë se Vuçiq duhet të kërkojë falje, por këtë nuk e pret gati askush. Megjithatë në Zagreb nuk ka pasur ndonjë protestë tepër të madhe gjatë kësaj vizite.

„Nuk jam çetnik"

„Të gjtihëve në Kroaci dua t'u them se unë nuk jam çetnik dhe askush nga familja ime nuk ka qenë. Protestat janë normale në shtetet demokratike, por kjo nuk më ka shqetësuar shumë", theksoi Vuçiq. Presidenti i Serbisë ka sjellë me vete në Zagreb dokumentacionin për zhvillimet në vendin Dvor na Uni, të cilat gjatë luftës ishin transportuar në Serbi. Ai thotë se ka sjellë të dhënat edhe për tre persona të zhdukur gjatë luftës, ndërkohë që nuk dihet fati i 1.945 personave.

Analistët në reagimet e para thonë se vizita nuk ka shënuar asnjë befasi dhe nuk i ka plotësuar pritjet, ndonëse askush nuk ka pritur ndonjë rezultat epokal.