1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuçiq: Serbia duhet të përballet me fakte të tmerrshme

Bahri Cani30 Dhjetor 2013

Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq paraqiti në Beograd fakte shokuese: ai foli për Kosovën, vrasjen e gazetarit Sllavko Çuruvija dhe disa ngjarje të tjera.

https://p.dw.com/p/1AiV1
Fotografi: picture alliance / dpa

"Ne duhet të përballemi me fakte tronditëse, sepse shteti i Serbisë i ka vrarë kundërshtarët politik dhe qytetarët e vet", deklaroi zëvendëskryeministri dhe personi aktualisht më i fuqishëm në Serbi, Aleksandar Vuçiq. Në një intervistë për televizionin serb Pink, numri dy i qeverisë së Serbisë, Aleksander Vuçiq bëri të ditur se "Shteti ynë ka kryer krime monstruoze". Sipas tij, shteti i Serbisë e ka vrarë edhe gazetarin e njohur serb Sllavko Çurivija, ndërkohë që "autorizuesi i vrasjes dhe ata që e kanë kryer atë ende shëtisin të lirë në Serbi. "Kjo është e tmerrshme", theksoi Vuçiq.

Për vrasjen e Çuruvisë në prill të vitit 1999, në kohën e luftës së Kosovës, është folur shpesh në Beograd, por deri tani nuk janë zbuluar aktorët e vrasjes. Ajo që e befasoi edhe më shumë opionionin serb ishte deklarata e Vuçiqit për vrasjen e pesëfishtë në një kafene në Pejë në vitin 1998, për të cilën opinioni dhe shteti serb deri tani gjithmonë i kanë akuzuar shqiptarët.

Në pyetjen e gazetarëve a ka të dhëna konkrete për vrasjen e pesë nxënësve serbë - Ivan Obadoviq (14), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetislav Ristiq (17), Zoran Stanojeviq (17), Dragan Trifoviq (17) dhe studentit Ivan Radeviq (25) - zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq u përgjigj: "Nuk ka fakte që krimin e kanë kryer shqiptarët, siç është besuar deri tani".
Vuçiq foli edhe për shanset që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se qëllimi i Serbisë që të anëtarësohet në BE deri në vitin 2020 ndonëse i vështirë të arrihet, është i mundshëm. Vuçiq tha se ai “pret probleme të tjera në rrugën e Serbisë drejt BE-së, por anëtarësimi mbetet synim shumë i qartë.”