1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuçiqi para fitores në Serbi

Namanja Rujeviq / Bahri Cani14 Mars 2014

Më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të fitojë Aleksandar Vuçiq dhe SNS. Gati ëshë e sigurt se ai do të jetë edhe kryeministri i ri i Serbisë, por me cilën parti do të bëjë koalicion?

https://p.dw.com/p/1BPiT
Fotografi: youtube/RTS

Jashtë bënte acar i madh, ndërsa ai nuk kishte as kapelë dhe marshonte mëtutje në borën e thellë. Aleksandar Vuçiq, kryetar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) nxori nga vetura e bllokuar në borë një fëmijë dhe e shpëtoi nga të ftohtit. E gjitha kjo zhvillohej në shkurt në Vojvodinë, para kamerave televizive, ku 44 vjeçari prezantohej si shpëtimtar i njerëzve në situata emergjente. I gjithë ky aksion si në filmat amerikan shkaktoi edhe komente cinike si ato "mbinjeriu", "supermeni Vuçiq", etj. Por politika dhe sjelljet e tij populiste duket se nuk do ta pengojnë suksesin e tij në zgjedhjet e 16 marsit. Përkundrazi.

Transformimi nga një nacionalist në reformator

Vuçiqi ishte ai i cili edhe vendosi që në Serbi të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Radikali i dikurshëm nacionalist nuk flet më për Serbinë e madhe por për reforma dhe temën e tij të dashur: luftën kundër korrupsionit. Me iniciativën e tij në fund të vitit 2012 është arrestuar edhe Mirosllav Mishkoviq, njëri prej njerëzve më të pasur në Serbi, i cili dyshohet për korrupsion. Në disa sondazhe thuhet se Vuçiqi dhe SNS do të fitojnë madje deri në 45 % të votave.

Në foto: Ivica Daçiq dhe Aleksander Vuçiq
Në foto: Ivica Daçiq dhe Aleksander VuçiqFotografi: picture-alliance/dpa

SNS aktualisht është në pushtet me socialistët e Ivica Daçiqit, i cili ende është në postin e kryeministrit. Por pas 16 marsit Vuçiq do ta marrë këtë post. Vuçiq dëshiron të qeverisë vetë ose gati vetë. Ndaj ka kërkuar zgjedhje të reja, shpjegon profesori i sociologjisë Zoran Stojilkoviq. Sipas tij, SNS gjendet para një shansi të jashtëzakonshëm që të marr pushtetin, para se të thellohen problemet me recesionin, para se të fillojnë shkurtimet e vendeve të punës dhe protestat e sindikatave.

Premtimet e mëdha

Papunësia në Serbi është rreth 27 %. Në sektorin publik ka tepër të punësuar, sepse nga 7,1 milionë banorë të Serbisë, 800.000 janë nëpunës të shtetit. Shumë prej tyre janë punësuar mbi baza partiake. "Partitë e mëdha kanë paralajmëruar kohë pas kohe se reformat mund të jenë shumë të dhembshme, por njëkohësisht premtojnë vende të reja pune, investime dhe një jetë më të mirë", shpjegon Gjorgje Vllajiq, redaktor në Radio Belgrad.

SNS ka premtuar investime në "Beogradi mbi ujë", në vlerë prej më shumë se tre miliardë euro. Ky projekt duhet të financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bëhet fjalë për 200.000 vende të reja pune. Ky projekt konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha të Aleksandar Vuçiq, në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Beograd.

Kosova nuk ishte tema kryesore

Ka dhe premtime të tjera të mëdha, por emri "Kosovë" është dëgjuar shumë rrallë në këtë fushatë. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe ndërkohë njihet si shtet i pavarur nga 106 vende. Edhe pse Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës, Beogradi dhe Prishtina kanë nënshkruar në prill të vitit 2013 një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që ishte edhe parakushti kryesor për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, në janar të këtij viti.

Dominique Strauss-Kahn gjatë një vizite në Serbi (17.09.2013)
Dominique Strauss-Kahn gjatë një vizite në Serbi (17.09.2013)Fotografi: Reuters

Tani nuk mund të paramendohet ndryshimi i kursit evropian në Serbi, mendon gazetari Vllajiq. "Vetëm partitë me orientim tepër të fuqishëm patriotik janë kundër anëtarësimit në BE. Të tjerat i përmbahen fuqishëm kursit evropian". Por nacionalistët do të fitojnë vetëm rreth 10 - 15 % të votave dhe nuk do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni në pushtet.

Opozita e përçarë

Ish presidenti i Serbisë Boris Tadiq, i cili i ka humbur zgjedhjet e fundit në vitin 2012, është ndarë ndërkohë nga Partia Demokratike dhe ka themeluar një parti të re me emrin Partia e Re Demokratike. Për dallim prej partisë së mëparshme, Tadiq dhe partia e tij e re nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Vuçiqin. Ndërkohë që kjo parti me siguri që do të futet në parlament, sepse do të fitojë më shumë se 5 % sa janë të domosdoshme për të kaluar pragun zgjedhor. Në disa kombinime Tadiqi përmendet madje edhe si kandidat për postin e ministrit të Jashtëm të Serbisë.

Në foto: Boris Tadiq
Në foto: Boris TadiqFotografi: AP

"Opozita demokratike është e papërgatitur dhe e përçarë", thotë politologu Branko Radun. Sipas tij, opozita nuk ka gati kurfarë shansash për të fituar mjaft vota për të marrë pushtetin. Kjo i shkon në favor Vuçiqit, i cili ka një influencë të madhe edhe tek mediat. Mediat bulevardeske kanë nisur kaherë një lloj gjahu kundër politikanëve opozitarë, të cilët i sulmojnë çdo ditë për afera të ndryshme. Ndërsa për Vuçiqin flasin me fjalë të përzgjedhura.

Përderisa në rrjetet sociale dërgoheshin barcoleta për Vuçiqin si "supermen", një gazetë në Beograd shkruante: "Vuçiqi po shpëton fëmijë nga dëbora, e opozitarët po pinë kafe para televizorëve." Dhe kjo propagandë ka dhënë rezultate.