1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuçiqi pretendon postin e kryeministrit, Tadiq kthehet në politikë?

Ivica Petrovic / Bahri Cani30 Janar 2014

Zgjedhjet e parakohshme në Serbi do të mbahen me 16 mars të këtij viti, por pyetja kryesore është nëse SNS e Vuçiqit do të ketë nevojë për partner në koalicion? Riaktivizohet edhe Tadiqi...

https://p.dw.com/p/1AzaL
Tomislav NikoliqFotografi: Reuters

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq shpreson se Partia Përparimtare Serbe (SNS) do t'i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi dhe se Aleksandar Vuçiq do të bëhet kryeministri i ri i Serbisë. Në të gjitha sondazhet thuhet se pyetja e vetme që shtrohet në këto zgjedhje është nëse Vuçiqi dhe partia e tij SNS do të kenë nevojë për partner në koalicion, apo do të fitojnë më shumë se 50% të votave.

Shkaku i zgjedhjeve të parakohshme është që prej formimit të qeverisë në qershor të vitit 2012 nuk kanë ndalur konfliktet dhe mosmarrëveshjet në kabinetin qeveritar. Zgjedhjet u shpallën pas fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (me 21 janar) dhe vazhdimit të dialogut me Prishtinën (me 27 janar). Disa analistë thonë se momenti është i pavolitshëm, sepse është dashur të vazhdohet me dialog dhe me reforma. Por Vuçiqi e ndjen veten kaq të fortë sa që mendon se ai duhet të qeverisë me kabinetin qeveritar. Kryeministri i tanishëm Ivica Daçiq, sipas mediave serbe, i ka ofruar Vuçiqit postin e tij por ai nuk ka dashur ta marrë këtë post pa votime. Qëllimi i tij është forcimi i mëtejmë i pozicionit, për të vazhduar luftën e nisur kundër korrupsionit dhe për reforma, thotë analisti Gjorgje Vukadinoviq.

Daçiq dhe Vuçiq kanë arritur një lloj marrëveshje që pas zgjedhjeve të vazhdojnë koalicionin qeveritar, por kjo varet nga rezultati i zgjedhjeve. Një është e qartë: socialistët do të kenë një influencë shumë më të vogël në politikën e Serbisë, nëse edhe më tej do të mbeten në kabinet.

Serbien Tomislav Nikolic Archiv 2012
Aleksandar Vuçiq dhe Tomislav NikoliqFotografi: picture-alliance/dpa

Shpenzimi i kotë i kohës

Profesori i sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd Zoran Stojiljkoviq, pohon se Serbia e ka humbur kot një vit, sepse tërë kohën qeveria është përballut me ndryshime të brendshme. Synimi kryesor i partive në pushtet gjatë kësaj fushate do të jetë të dëshmojnë se ato ende nuk i kanë kryer reformat e nisura, për shkak të gabimeve të qeverisë së mëparshme të presidentit Boris Tadiq.

Opozita në Serbi është aktualisht shumë e përçarë, por ekziston mundësia e formimit të një blloku të ri me në krye ish presidentin Boris Tadiq. Tadiqi si kryetar nderi në Partinë Demokratike, e ka humbur luftën për pushtet në këtë parti, kundër kryetarit të tanishëm Dragan Gjillas. Tadiqi tani pretendon t'i bashkojë partitë me orientim demokratik: Ligën e Socialdemokratëve të Vojvodinës, Partinë së Bashku për Serbinë, liberalët e Çedomir Jovanoviqit, eventualisht partinë e Mllagjan Dinkiqit dhe disa parti më të vogla. Natyrisht ai pret edhe mbështetjen e simpatizantëve të tij brenda PD. Tadiq tha se "krijimi i bllokut demokratik varet prej nevojës për ndryshime në skenën politike dhe prej qëndrimeve të liderëve të këtyre partive". Ai u shpreh i gatshëm të vendoset në krye të një blloku demokratik, por mundësia e bashkimit të këtyre partive duket për momentin shumë e vogël. Shumë prej këtyre subjekteve do të pranonin të futeshin në koalicion me Vuçiqin, ndaj nuk duan të futen në fushatë kundër tij, thotë Vukadinoviq.