1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuҁiq në Kosovë - në Zubin Potok bombë dhe shkrepje armësh

Bekim Shehu3 Prill 2016

Kryeministri i Serbisë Aleksander Vuciq, qëndroi të dielën në Kosovë në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që zhvillohen më 24 prill.

https://p.dw.com/p/1IOpO
Serbischer Premierminister Aleksandar Vucic
Fotografi: DW/S. Bogdanic

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëndroi të dielën me (03.04) në Kosovë, ku vizitoi disa vendbanime me shumicë serbe në pjesën veriore. Vizita u lejua nga autoritet e Prishtinës dhe Vuçiq qëndroi në Kosovë në kuadër të fushatës paraelektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen me 24 prill në Serbi. Në orët e para të mëngjesit të ditës se dielë, në një palestër sportive në Zubin Potok, ku pritej të mbante fjalim kryeministri i Serbisë, persona të panjohur hodhën një bombë dore dhe u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.

Pos dëmeve materiale, lëndime në njerëz nuk pati, njoftoi policia e Kosovës, e cila tha se këtë akt e cilëson si "kërcënim i përgjithshëm, ndërsa, zyrtarët serbë e cilësuan 'sulm terrorist'. Vet kryeministri i Serbisë, tha se bombën për ta frikësuar atë e kanë hedhur serbët. "Përgjigjja ime këtyre serbëve tanë, të cilët në këtë mënyrë dëshirojmë të më presin, është: le t'ua falë Zoti, do të luftoj edhe për ju dhe familjet tuaja, që të jetoni në tokat tuaja dhe të jeni të lumtur dhe më të kënaqur se sot", tha Aleksandër Vuçiq, gjatë një fjalimi në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresiste Serbe në Zubin Potok.

Kryeministri i Serbisë, gjatë qëndrimit në pjesën veriore të Kosovës, vizitoi edhe kombinatin metalurgjik Trepça, ku serbëve të tubuar aty i tha, se "vetëm Serbia e fortë mund t'i mbrojë interesat e Serbisë dhe popullin e vet në Kosovë".

"Ai që nuk është i fuqishëm në botë, ai që nuk ka miq të mjaftueshëm në botë, në asnjë mënyrë nuk mund të mbrojë popullin serb në Kosovë. Prandaj na duhet një Serbi e fortë dhe e bashkuar e jo e ndarë e në grindje. Prandaj është me rëndësi të kemi ndikim në Bruksel, në Berlin, në Moskë dhe në çdo vend tjetër", tha kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Autoritet e Serbisë vazhdmisht kanë thënë, se në pjesën veriore të Kosovës është liqeni i Ujmanit dhe kombinati metalurgjik Trepça, prej të cilave Serbia nuk do të heqë dorë. Këtë e rikonfirmoi edhe të dilën kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

"Kemi arritur ta ruajmë liqenin e Ujmanit, dhe për këtë jam i lumtur. Njerëzve në Kosovën qendrore u kemi thënë se nga 1999-a nuk kemi mundësi si qeveri e shtet të reagojmë, por që do t'ju ndihmojmë në të gjitha mënyrat për të ruajtur Serbinë në Kosovë", tha Vuçiq.

Ndërsa, për kombinatin metalurgjik Trepça, ai tha se Serbia nuk do të heqë dorë sikundër nuk do ta pranojë që për të të bisedohet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Autoritet e Prishtinës synojnë që kombinatin metalurgjik Trepça ta shndërrojnë në ndërmarrje shtetërore me një ligj të veçantë.

"Natyrisht që ne i frikësohemi ligjit për ndërmarrjet publike dhe shndërrimit të Trepçës në pronë të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Kjo është arsyeja e ardhjes sime këtu, që problemin e Trepçës ta diskutojmë këtu, pa tensione e fjalë të mëdha, dhe ta bëjmë të qartë se Serbia nuk do të jetë pjesë e bisedimeve për Trepçën në Bruksel. Madje, as që do të lejojë të diskutohet për pronat e veta", tha Aleksandar Vuçiq.

Autoritet e Prishtinës akoma nuk i kanë komentuar këto deklarata të kryeministrit të Serbisë.

Kryeministri i Serbisë Aleksander Vuçiq, qëndroi të dielën në veriun e Kosovës, në kuadër të fushatës së tij për zgjedhjet parlamentare serbe që mbahen më 24 prill. Këto zgjedhje do të zhvillohen edhe në Kosovë në vendbanimet me shumicë serbe. Serbët e Kosovës marrin pjesë në këto votime, sepse kjo u garantohet me Kushtetutën e Kosovës, pika mbi parimin e dyshtetësisë. Për votimet në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë me gjasë do të kujdeset misioni i OSBE-së që do të drejtojë operacionin e quajtur "grumbullimi i votave". Gjatë zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, të vitit 2014, misioni i OSBE-së në Kosovë, për nevojat e operacionit të mbledhjes së votave pati hapur 10 qendra votimi në vendbanimet me shumicë serbe.