1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weckerling: Ombudsmani në Shqipëri do të ketë shumë punë

6 Shkurt 2009

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë vizitoi Gjykatën Kushtetuese Gjermane në Karlsruhe. Fabian Schmidt bisedoi pas takimeve me Mathias Weckerling, drejtor Fondacioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik.

https://p.dw.com/p/GomY
Mathias Weckerling, drejtor i Fondacionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik
Mathias Weckerling, drejtor i Fondacionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar JuridikFotografi: IRZ-Stiftung

I pyetur për rezultatet e kësaj vizite, Weckerling-u shpjegon:

"Delegacioni i Gykatës Kushtetuese të Shqipërisë nuk ka biseduar vetëm me homologët në Karlsruhe, që ishte takimi më i rëndësishëm, por ka qenë edhe në Gjykatën Administrative në Manheim dhe në Institutitutin Max Planck, në Heidelberg. Delegacioni është njoftuar me shumë lëmi të drejtësisë në Gjermani dhe mendoj se në përgjithësi ishte i impresionuar. Në delegacion ishin gjashtë gjykatës kushtetues, të udhëhequr nga presidenti, zoti Kristo dhe disa bashkëpuntorë shkencorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Kemi arritur marrëveshje për një bashkëpunim më të ngushtë, në radhë të parë përsa i përket gjërave organizative, por edhe për një dialog mes dy Gjykatave Kushtetuese."

OSBE-ja ka kritikuar disa ligje të miratuara në dhjetor në Parlamentin e Shqipërisë. Çfarë roli mund të ketë në këtë kuptim Gjykata Kushtetuese, sepse pikërisht ajo është institucioni më i lartë juridik, i cili duhet të kujdeset për eliminimin e mangësive në procesin juridik?

"Mendoj se Gjykata Kushtetuese edhe në të kaluarën e ka pasur të qartë rolin dhe përgjegjësitë e saj. Ankesa para Gjykatës Kushtetuese mund të paraqitet për shkeljen e procedurës apo shkeljen e të drejtave elementare, gjë që nuk mundëson shqyrtimin e përgjithshëm të të gjitha elementeve. Mendoj se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do t'i përgjigjet edhe kësaj sfide, në qoftë se kërkohen verifikimi i ligjeve. Mirëpo, është e vetkuptueshme që gjykatësit gjatë vizitës në Gjermani, nuk u deklaruan për këtë çështje."

Çfarë projektesh ka planifikuar pala gjermane për të ndihmuar atë shqiptare?

"Eshtë planifikuar një vizitë kthyese e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të realizohet mundësisht gjatë këtij viti, e më së largu vitin tjetër. Në Shqipëri këtë vit duhet të organizohen seminare, me pjesëmarrjen e gjykatësve kushtetues dhe ekspertëve tjerë juridik. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, në bashkëpunim intensiv të Fondacionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Ministrinë kosovare të Drejtësisë, do të ndihmojmë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Një projekt tjetër është ngritja në Shqipëri e Gjykatës Administrative. Ne kemi këshilluar rreth hartimit të projektligjit, por për një kohë të gjatë nuk është punuar asgjë në këtë drejtim. Ka ardhur koha që gjëra të shkojnë përpara. Ne do të ofrojmë këshillat dhe përvojat tona, ndërsa Gjykata Kushtetuese me siguri që është e interesuar, që të lirohet prej shumë procedurave në këtë drejtim."

Prej përfundimit të kohës së komunizimit, një institucion shumë i rëndësishëm në Shqipëri ishte ai i ombudspersonit. Cila do të jetë ardhmëria e këtij institucioni pas ngritjes së Gjykatës Adminsitrative?

"Besoj se ombudspersoni do të ketë mjaft punë, edhe pas ngritjes së Gjykatës Administrative, sepse në fillim duhet definuar fushëveprimi i tij. Edhe tek ne në Gjermani kemi shumë ankesa që presin të përpunohen. Ne nuk kemi avokat të popullit, si në Shqipëri, por kemi Komisionin e peticioneve, të ngarkuarin për ushtrinë, të ngarkuarit për të huajt dhe shumë vende të tjera, ku qytetarët mund të ankohen për gjërat që nuk kanë të bëjnë vetëm me shkeljet juridike. Prandaj mendoj se në Shqipëri edhe në të ardhmen do të ketë mjat punë për ombudspersonin."