1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weiler: "kolona njerëzish para lokaleve të zgjedhjeve"

Markus Lütticke25 Maj 2014

Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë synohet ta stabilizojnë vendin. Barbara Weiler është në Ukrainë vëzhguese për Parlamentin Evropian. Në intervistë me DW ajo paraqet përshtypjet e saj të para për ecurinë e votimit

https://p.dw.com/p/1C6Vi
Barbara Weiler, vezhguese ne zgjedhjet ne Ukraine
Fotografi: European Union PE-EP

Deutsche Welle: Zonja Weiler, si janë përshtypjet tuaja të para nga dita e zgjedhjeve? A po ecën gjithçka në rregull?

Barbara Weiler: Po, në lokalet e zgjedhjeve që kam parë, gjithçka ecën me rregull. Kur u hapën kutitë e votimit unë isha shumë pranë Kievit dhe pastaj ne vazhduam rrugën për në Bila Zerkva, rreth 80 kilometra në jug. Këtu ne vizituam disa lokale zgjedhjesh dhe gjithçka ishte absolutisht e qetë. Bila Zerkva është qytet i madh dhe pjesëmarrja në zgjedhje - ende unë nuk di shifra me përqindje - ishte kaq e lartë, sa njerëzit rrinin në kolona të gjata në pritje të votimit. Në të gjitha lokalet zgjedhore njerëzit kishin krijuar kolona në pritje të hedhjes së votës.

DW: Me ftesën e kujt keni shkuar në Ukrainë ?

Parlamenti Evropian ka dërguar një delegacion të vetin të vogël, të përbërë nga shtatë anëtarë. Në zgjedhjet e fundit ne kemi qenë dyfishi i këtij numri. Ne punojmë këtu në bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në, e cila ka angazhuar mbi 1000 vëzhgues. Përveç kësaj, këtu ka vëzhgues të Këshillit të Evropës dhe të NATO-s.

DW: A ka vëzhgues edhe në Lindje të Ukrainës, në Donetsk dhe Lugansk?

Po, por ata janë vetëm vëzhguesit afatgjatë të OSBE-së që ndodhen që prej dy muajsh këtu dhe ka disa që ndodhen edhe në Donbas. Ne, politikanët ose ish-politikanët - këtu janë edhe shumë përfaqësues të parlamenteve nacionale: Bundestagu Gjerman ka një numër të madh përfaqësuesish këtu, Lituania gjithashtu, Kanadaja ka një delegacion të vetin - neve na rekomanduan që të mos udhëtojmë në asnjë mënyrë drejt Lindjes. Edhe Odessa, ku do të kisha shkuar me shumë dëshirë, u hoq nga lista për shkak të shkëmbimeve të zjarrit atje.

DW: A përfaqësohet edhe pala ruse me vëzhgues të saj?

Para disa ditësh dëgjuam në radio që Rusia do të dërgojë vëzhgues në zgjedhje. Por akreditimi zyrtar kryhet përmes OSBE-së. Me këtë janë shpallur të gjithë dakord dhe ata atje nuk kanë akredituar rusë.

DW: A besoni që këto zgjedhje do të kontribuojnë për ta parandaluar ndarjen e Ukrainës, e cila kërcënon të ndodhë?

Kjo këtu shpresohet. Shpresohet që të kemi një fillim të ri. Në këtë fillim të ri që prej javës së ardhshme shpresojmë që të mos bëhen të njëjtat gabime, të cilat janë bërë edhe nga ana jonë, kur ne ngulëm këmbë për vendosjen e disa kufijve. Me sa duket nuk do të bëjmë dot ndryshe, të gjithë duhet të përfaqësohen në tryezën e negociatave dhe do të vrasin mendjen si do të vazhdohet në të ardhmen.

Barbara Weiler është që prej vitit 1994 eurodeputete për Partinë Socialdemokrate Gjermane (SPD). Ajo ka qenë disa herë vëzhguese zgjedhjesh, e ngarkuar nga BE.

Intervistën e zhvilloi Marcus Lütticke.