1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle dhe Hague bëjnë thirrje për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit

28 Korrik 2011

Ministri gjerman i punëve të jashtme Guido Westerwelle dhe homologu i tij britanik William Hague mbështesin dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

https://p.dw.com/p/125mq
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle dhe homologu britanik William HagueFotografi: AP

Në një deklaratë të përbashkët të nxjerrë të enjten, më 28 korrik 2011, dy ministrat e jashtëm ai gjerman Westerwelle dhe homologu britani Hague duke reaguar ndaj ngjarjeve të ditëve të fundit në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak shprehin shqetësimin e tyre për shpërthimin e dhunës dhe kërkojnë zgjidhjen e problemeve me dialog. "Nënvizojmë se është e nevojshme të respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe të hiqet dorë nga aktet e mëtejshme të dhunës si dhe të hapave, që mund të kenë një ndikim negativ mbi stabilitetin dhe sigurinë" thuhet më tej në deklaratë.

Dy kryediplomatët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe nënvizojnë mbështetjen e tyre për procesin e dialogut që zhvillohet aktualisht në emër të Bashkimit Evropian, nën ombrellën e zonjës Ashton. "Procesi i dialogut ofron një shan tejet të rëndësishëm për të arritur zgjidhjen paqësore të çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për ta çuar si Serbinë ashtu edhe Kosovën në rrugën drejt së ardhmes së sigurt në BE".

Dy ministrat më tej theksojnë se "mënyra se si zgjidhen problemet ndërmjet fqinjëve është një kriter i rëndësishëm për perspektivën e anëtarësimit në BE." Prandaj është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të punojnë së bashku për të zgjidhur gjashtë pikat e dialogut si dhe për të arritur përparime në veriun e Kosovës, thuhet më tej në deklaratë. "Në diskutimin që pritet të zhvillojë BE-ja në vjeshtë do të luajnë rol përparimet e ndjeshme në këto fusha". Gjashtë temat e diskutuara në procesin e dialogut janë: Liria e lëvizjes, elektriciteti, telekomunikacioni, regjistri i gjendjes civile, njohja e vulës doganore, si dhe e diplomave shkollore e universitare. Për dy syresh, lëvizjen e lirë të personave dhe regjistrin e gjendjes civile ishte më 2 korrik ishte arritur një kompromis.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora