1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle i jep shpresë Turqisë për anëtarësim në BE

8 Janar 2010

Ministri i Jashtëm gjerman gjatë vizitës së tij në Ankara të enjten (7.1.), kërkoi edhe që Ankaraja të zbatojë të tjera reforma në rrugën drejt BE-së.

https://p.dw.com/p/LOYi
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle.
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle.Fotografi: picture-alliance/dpa

Vizita në mauzoleun e themeluesit të shtetit turk, Mustafa Kemal Ataturk, është standard për çdo vizitor zyrtar shteti në Ankara. Kështu edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle vuri një kurorë mbi varrin e Ataturkut, përpara se të fillonte bisedimet politike me homologun e tij turk, Ahmet Davutoglu. Qysh në darkën e një nate më parë u bë e qartë se të dy mund të komunikonin mirë me njëri-tjetrin. Kjo u pa edhe në konferencën e përbashkët për shtyp. Davutoglu buzëqeshte i kënaqur, dhe kishte çdo arsye për këtë. Westerwelle, në një konferencë të ambasadorëve turq, kishte bërë të qartë pa ekuivoke, se negociatat me Turqinë për anëtarësim në BE, vërtet po zhvillohen pa rezultat të paracaktuar dhe pa automatizëm, por me objektivin bazë të një anëtarësie të plotë.

Westerwelle: Gjermania i respekton marrëveshjet e lidhura

Për këtë është rënë dakord mes BE-së dhe Turqisë, kështu është përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë arsye kjo duhet respektuar. Duke iu përgjigjur pyetjes se si e sheh këtë çështje Kancelarja Angela Merkel, e cila është shprehur gjithnjë kundër një anëtarësimi të plotë dhe pro një partneriteti të privilegjuar, ministri i Jashtëm u shpreh edhe më qartë: „Unë nuk jam këtu si turist me pantallona të shkurtra por si ministër i jashtëm. Dhe ajo që unë them këtu ka rëndësi. Kjo është ajo për të cilën kemi rënë dakord në qeveri."

Komunikim në harmoni: ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle dhe homologu i tij turk, Ahmet Davutoglu.
Komunikim në harmoni: ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle dhe homologu i tij turk, Ahmet Davutoglu.Fotografi: AP

Gjermania e sheh anëtarësimin në aspektin strategjik

U duk qartë se kjo e gëzoi ministrin e Jashtëm turk, i cili flet edhe vetë gjermanisht. Ai i shprehu Westerwelle-s falenderimin për mbështetjen gjermane ndaj anëtarësisë së plotë të Turqisë në BE, dhe për respektimin e marrëveshjeve të lidhura. Gjermania është një lokomotivë, u shpreh Davutoglu, dhe një nga shtetet më të rëndësishme të BE-së dhe për këtë arsye e sheh një anëtarësim nga pikëpamja strategjike.

Që kjo është e vërtetë u bë e qartë edhe nga ministri i Jashtëm gjerman. Turqia është vërtet një treg tërheqës nga këndvështrimi gjerman, por jo vetëm kaq: "Afganistani, Jemeni, Lindja e Afërt, Irani - të gjitha këto çështje të rëndësishme, sfida, konflikte mund t'i zgjidhim vetëm bashkarisht dhe në këtë kontekst Turqia ka një rol qendror. Është edhe në interes të sigurisë dhe paqes dhe jo vetëm të ekonomisë sonë që me Turqinë të bashkëpunojmë sa më mirë dhe sa më ngushtë të jetë e mundur."

Turqia ka ende detyra shtëpie për të bërë

Westerwelle kërkoi nga Ankaraja që të verë në jetë edhe hapa të tjerë reformues, Turqia ende ka detyra shtëpie për të bërë. Liria e mendimit, shtypit dhe besimit janë shtyllat mbajtëse të bashkësisë evropiane të vlerave.

"Ne nuk mund të sillemi sikur për këtë çështje duhet marrë vendim sot. Ky vendim nuk do të merret në janar të 2010. Të gjithë kemi ende shumë punë për të bërë" - deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Westerwelle gjithashtu i bëri thirrje Davutoglu-së, të përpiqet për lëvizje në çështjen e Qipros. Ky është çelësi për përparime në negociatat për anëtarësim, të cilat deri tani kanë ecur shumë ngadalë. Turqia duhet të zbatojë edhe për Qipron të ashtuquajturin protokoll të Ankarasë. Deri tani Turqia refuzon të hapë portet dhe aeroportet e veta edhe për anijet dhe avionët nga Qipro. Davutoglu premtoi lëvizje në këtë çështje por kërkoi që përgjegjësia të shihet jo gjithnjë vetëm tek Turqia por edhe tek palët e tjera në konflikt.

Autor: Christoph Grabenheinrich / Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi