1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja Kosovë-Serbi mund të quhet historike kur të zbatohet

Bekim Shehu20 Maj 2013

Shefi i diplomacisë gjermane, tha në Prishtinë se ai pret që nesër në Bruksel Kosova dhe Serbia do të dakordohen për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

https://p.dw.com/p/18b4j
Fotografi: DW

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle, i cili një ditë më parë qëndroi në Beograd, tha pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin kosovar, Hashim Thaci, se marrëveshja e 19 prillit që për synim ka normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund të quhet marrëveshje historike kur të fillojë zbatimi i saj.

Marrëveshja Kosovë-Serbi pikë kthese në historinë e rajonit

Westerwelle tha se "kjo është një pikë kthese e të gjithë historisë së rajonit dhe Evropës Juglindore." Ai e përgëzoi Beogradin dhe Prishtinën për "largpamësinë dhe kurajon e treguar", ndërsa porositi palët që edhe në takimin e nesërm të tregojnë "fleksibilitet, durim dhe mençuri".

Guido Westerwelle-visiting Kosovo Author, Bekim Shehu, DW correspondent from Kosova DW have all right to use those photo for website Date: 20.05.2013
Guido Westerwelle në PristinëFotografi: DW

"Pas marrëveshjes së arritur, tani duhet të kalohet në hapat e zbatimit të saj në mënyrë që të tregohet pikërisht përpara mbledhjeve të rëndësishme të BE se si janë arritur hapa konkret në zbatimin e marrëveshjes e cila duhet të jetë e dukshme për të gjithë pjesëmarrësit." - tha Guido Westerwelle.

Shefi i diplomacisë gjermane specifikoi qartë se pika thelbësore e zbatimit të marrëveshjes është largimi nga Kosova i strukturave paralele serbe. "Strukturat paralele serbe në veri të Kosovës duhet të largohen. Ky është një kriter kyç i marrëveshjes së 19 prillit, por në anën tjetër kjo do të thotë se Kosova duhet të ofrojë lehtësira për qytetarët e veriut në mënyrë që ta lehtësojë integrimin e tyre." - tha Westerwelle.

Prishtina e bindur se pala serbe do të pranoja të zbatojë marrëveshjen

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, duke e cilësuar marrëveshjen e 19 prillit si një fillim të fundit të përmirësimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai tha se udhëton për në Bruksel me bindjen që me palën serbe do të dakordohen për fillimin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

"Ajo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Serbinë, për paqen dhe stabilitetin, për bashkëpunimin rajonal për perspektivën euroatlantike edhe të Kosovës edhe të Serbisë", tha kryeministri Thaci. Kryeministri i Kosovës e siguroi shefin e diplomacisë gjermane se skena politike Kosovare ka arritur një konsensus të gjerë të aprovimit të marrëveshjes së paqes Kosovë-Serbi dhe institucionet e Kosovës janë të gatshme që ta zbatojnë atë.

Interes i investitorëve gjermanë për investime në Kosovë

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle, premtoi në Prishtinë se Gjermania do të angazhohet në nivel ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Ne e mbështesim Kosovën në objektivat e saj për të kontribuar në forumet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Kosovës në BE për sa i përket tregitisë dhe ekonomisë dhe sigurisht që ne e lidhim mbështetjen tonë edhe mbi angazhimin financiar konkret", tha Westerwelle. Ai tha se interesimi i komunitetit të investitorëve gjermanë për investime në Kosovë është në rritje. Në këtë kuadër shefi i diplomacisë gjermane përmendi privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës PTK ku 75 % të aksioneve janë blerë nga një kompani gjermane, AXOS.